Pas dokumentarit të “RAI 3”, qeveria Rama duket se ka filluar lëvizjet jo vetëm për t’u mbrojtur por edhe për të sulmuar median italiane.

Shumë po flitet për këtë dokumentar që “Rai 3” publikoi mbi marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, ku u përmend Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi si njeriu kyç i paktit mes dy vendeve por etiketohet si “ish-avokati i trafikantëve të drogës nga Tirana”. Mes shumë fjalish të tjera që u thanë në atë dokumentar, kjo duket të ketë ngulitur. Ose të paktën, kësaj po i jepet më shumë vëmendje dhe faktit që Agaçi refuzoi të fliste për gazetarin në kamera.

Por çfarë ndodhi pas dokumentarit që shkaktoi zhurmë të madhe në Tiranë? Disa e konsideruan si super-investigim, disa të tjerë thjesht një përmbledhje e atyre që dihen dhe janë publikuar tashmë në Tiranë, e disa të tjerë e konsideruan si sulm të padrejtë ndaj qeverisë Rama.

AGAÇI BËN GATI AVOKATËT PËR PADI

Si fillim Sekretari i Përgjithshëm nisi lëvizjen e parë, duke lajmëruar se do padiste për shpifje medien italiane.

“Kam lënë detyrën ligjore dhjetë vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv Report është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet.”– shprehej Agaçi përmes një prononcimi për median tjetër italiane “La Repubblica”, akoma pa u publikuar i plotë dokumentari.

RAMA JEP INTERVISTË PËR TË MBROJTUR AGAÇIN

Më pas, kryeministri Edi Rama doli në një intervistë për gazetarin Muhamet Veliu në Top Channel, ku e komentoi dokumentarin si një tretje të ekuilibrit mes gënjeshtrës dhe të vërtetës.

“Nuk kam parë dokumentarin, por kam marrë një përmbledhje të shkruar dhe jetojmë fatkeqësisht në  një kohë dhe një botë ku ajo shprehja e urtë e popullit që kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat’, sot është në një proporcion krejt tjetër, sepse kur e vërteta vesh pantallonat janë 7 gënjeshtra të tjera që bëjnë xhiron e botës, pra ka humbur dhe tretet çdo ditë ekuilibri midis gënjeshtrës dhe të vërtetës në mungesë të një fuqie që ka kapacitetin të përmbajë gjithë këtë lukuni gënjeshtrash që shpërndahen me një shpejtësi marramendëse në një pasqyrë të informimit të publikut përmes shumë burimesh, miliona dhe miliarda burimesh, të cilat nuk ka asnjë mundësi që të mendohet se mund ta filtrojnë informacionin, se mund t’i japim publikut në fund atë çka është e vërteta ose normalisht SPAK-u qëndrime mes atij që gënjen dhe atij që thotë të vërtetat dhe pastaj publiku të gjykojë.”– tha Rama.

Kryeministri më tej në intervistë shprehet se ky dokumentar e ktheu Agaçin në “një viktimë të një agresioni të pashembullt.”

Gjithashtu ai hodhi poshtë lajmet se menjëherë pas dokumentarit kishte telefonuar drejtorin e “RAI 3” për t’i shprehur shqetësimet. Rama tha se kur ky lajm doli vetëm i ka dërguar një mesazh shumë normal për të pasur një komunikim, ai i ka kthyer një mesazh që do ta marrë mbrapsht dhe telefonata ka ndodhur vetëm pas lajmeve se këta kishin “folur”.

Rama theksoi se gazetari italian që ka thyer në mënyrë flagrante kodin etik të gazetarit dhe paralajmëroi që do të përballet në Itali me procesin gjyqësor. Megjithatë, Rama nuk foli asnjë fjalë për akuzat e tjera që përmenden në këtë dokumentar, as për të vëllanë e vet Olsi Rama. (Ndiq këtu intervistën e plotë).

DEL E-MAILI ME PËRGJIGJET QË AGAÇI I DHA GAZETARIT

Pas kësaj, programi televiziv italian u detyrua të pranonte se Agaçi iu ishte përgjigjur pyetjeve, megjithëse jo para kamerave por me e-mail.

“Report” zbuloi e-mailin që tregon se mes Agaçi dhe gazetarit të “RAI 3” paska patur një komunikim, ku ai iu është përgjigjur të gjitha pyetjeve, megjithëse në dokumentar ai paraqitej si një zyrtar që kishte refuzuar të përgjigjej. Përgjigjet ishin dërguar më 5 prill 2024, brenda afatit të kërkuar nga gazetari.

Pra refuzimi i tij duket se paska qenë vetëm për intervistë televizive, por kjo nuk u pasqyrua në median italiane. Autori i “Report” Sigfrido Ranuçi reagoi duke thënë se Agaçi iu është përgjigjur pyetjeve, por vetëm “pas shumë kërkesash”, por nuk janë konsideruar të nevojshme të nxirren në dokumentar pasi përmbajtja e tyre përkonte me informacionin e publikuar. Përgjigjet janë publikuar tashmë në website: Kliko këtu.

FUTET DHE CARLO BOLLINO NË DEBAT

Në këtë “valle” të përgjigjes së qeverisë mbi dokumentarin, janë futur edhe analistë e gazetarë, mes të cilëve Carlo Bollino.

Në një shkrim që ka publikuar në median e vet, Bollino thotë se reportazhi i fundit i ”Report” në “Rai 3” dedikuar Shqipërisë, është një shembull klasik i një gazetarie manipuluese alla italiane.

Qëllimi sipas tij i këtij dokumentari “ishte vetëm për politikë të brendshme”. Duke goditur Edi Ramën, sipas tij dokumentari kishte si qëllim të vetëm të goditej kryeministrja Giorgia Meloni e cila ka firmosur një marrëveshje mbi emigrantët me Shqipërinë, që nuk i pëlqen as opozitës italiane.

“Pastaj nëse kjo baltos imazhin e një vendi të tërë dhe të një populli të tërë, disa gazetarëve italianë, siç e dimë, nuk u intereson.”-shton Bollino i cili në këtë shkrim që mund ta lexoni këtu, jep argumentet e tij se përse ndan këtë mendim.

Leave a Reply

  • (not be published)