Nga Ilir Kaso

Sot, në deltën e Vjosës dhe në Lagunën e Nartës, nuk po zhvillohet vetëm një konflikt për territorin. Po përballemi me një krizë shumë më të thellë: krizën e mënyrës se si e kuptojmë zhvillimin, natyrën dhe vetë idenë e qytetërimit.

Prej katër ditësh, qytetarë, aktivistë, artistë, banorë të zonës dhe të rinj po protestojnë për të mbrojtur një nga ekosistemet më të rralla të Mesdheut. Dhe ndërsa protesta ka qenë paqësore, përgjigjja ndaj saj ka ardhur me një gjuhë gjithnjë e më agresive: delegjitimim publik, propagandë, prani masive policore dhe përpjekje për ta paraqitur mbrojtjen e natyrës si pengesë për zhvillimin.

Ndërhyrja që po kryhet aktualisht në një zonë të mbrojtur është arrogante dhe e papranueshme, jo vetëm për mënyrën se si po ndërhyhet në një habitat të mbushur me shpendë migratorë dhe specie të tjera të egra, por edhe për mungesën totale të transparencës publike. Nuk ekziston asnjë tabelë informuese, asnjë komunikim publik dhe asnjë përpjekje minimale për t’u dhënë qytetarëve shpjegime mbi natyrën e punimeve që kanë nisur në një nga ekosistemet më të ndjeshme të vendit.

Vite më parë, kur nisëm betejën për ta kthyer Vjosën në Park Kombëtar, patëm një vizion krejt tjetër nga ajo që po ndodh sot. Lobuam që ky lumë të mos kthehej në një korridor betoni dhe shfrytëzimi agresiv, por në një simbol europian të mbrojtjes së natyrës. Vizioni ynë nuk ka qenë të rrethonim natyrën me gardhe dhe tela me gjemba që kujtojnë kampet e përqendrimit, por të dëshmonim se zhvillimi mund të ndërtohet duke ruajtur atë që ka mbetur ende e egër dhe e paprekur. Sepse qytetërimi nuk fillon aty ku ngrihen kullat. Ai fillon aty ku njeriu vendos kufij ndaj lakmisë së vet.

Vjosa nuk duhej të ishte thjesht një park kombëtar në letër. Ajo duhej të shndërrohej në një model të ri ndërgjegjeje për mënyrën se si e kuptojmë marrëdhënien mes njeriut dhe natyrës. Në një kohë kur pjesa më e madhe e Europës ka humbur lumenjtë e saj të egër, Shqipëria kishte mundësinë historike të tregonte se zhvillimi nuk matet vetëm me beton, asfalt dhe infrastrukturë, por edhe me aftësinë për të mbrojtur atë që nuk mund të rikthehet më pasi humbet.

Nëse “qytetërim” do të thotë betonizim i pakthyeshëm i çdo hapësire të egër dhe “zhvillim” do të thotë zhdukja graduale e lagunave, pyjeve dhe lumenjve, ku progresi matet vetëm me shpejtësinë e betonit dhe me madhësinë e investimeve, atëherë kemi filluar të humbim jo vetëm natyrën, por edhe vetë kuptimin e qytetërimit.

Sot, organizatat europiane që monitorojnë lumenjtë tregojnë se Shqipëria ka humbur mbi 1100 kilometra rrjedhë natyrore lumenjsh vetëm në shtatë vitet e fundit. Për një territor kaq të vogël, kjo është një shifër alarmante. Dhe ajo që e bën edhe më shqetësuese është fakti se ne ende vazhdojmë ta quajmë këtë “zhvillim”, pa ndaluar asnjëherë të reflektojmë mbi pasojat afatgjata që po i lëmë brezave që do të vijnë.

Ndërtimi i një aeroporti në një zonë të mbushur me shpendë migratorë është një tjetër shenjë e këtij keqkuptimi të thellë. Habitatet natyrore nuk janë toka bosh që presin të betonizohen. Ato janë sisteme jete, kujtese dhe ekuilibri, të cilat nuk mund të zëvendësohen më pasi shkatërrohen.

Prandaj problemi më i madh që kemi sot nuk është vetëm ekologjik. Është problem edukimi.

Sot kemi nevojë të ndërtojmë një kulturë që e ndihmon njeriun të kuptojë marrëdhënien e tij me natyrën, me kohën dhe me të ardhmen. Përballë kësaj, po kërkon të forcohet një model zhvillimi që i mëson brezat të konsumojnë peizazhin dhe të ndërtojnë mbi të pa respekt, pa e kuptuar se çfarë do të thotë të jetojsh në harmoni me të.

Pa edukimin, do ta kemi gjithnjë e më të vështirë të kuptojmë kohën që po jetojmë. Nuk mund të ndërtojmë një vizion afatgjatë për brezat që do të vijnë nëse nuk i mësojmë ata ta shohin natyrën jo si burim fitimi afatshkurtër, por si themel të jetës, kulturës dhe identitetit tonë.

Për këtë arsye, vizioni ynë për Vjosën ka qenë gjithmonë më i madh sesa mbrojtja e një lumi. Ne imagjinonim ngritjen e shkollave dhe programeve studimore përgjatë gjithë luginës së saj; një rrjet edukimi ku fëmijët, studentët, studiuesit dhe artistët të mësonin drejtpërdrejt nga territori.

Mendonim laboratorë të hapur për shkencën dhe artin në marrëdhënie me ekologjinë. Mendonim që e gjithë lugina të shndërrohej në një hapësirë studimi ku të kuptonim jo vetëm biodiversitetin, por edhe mënyrën si kanë jetuar njerëzit përgjatë këtij lumi ndër shekuj: marrëdhënien me tokën, me blegtorinë, me këngët, vallet, ritualet dhe zakonet që mbajnë gjallë kujtesën tonë kolektive.

Sepse pa kulturë dhe pa kujtesë, edhe zhvillimi humbet kuptimin. Prandaj vizioni për Vjosën nuk ka qenë kurrë vetëm ekologjik. Ai ka qenë kulturor, pedagogjik dhe njerëzor.

Në atë territor ku sot kanë hyrë buldozerët dhe po gërmohet pa asnjë transparencë publike, ne prisnim të ndodhte krejt e kundërta. Prisnim të krijoheshin kushte për kërkim shkencor, për edukim dhe për një model të ri turizmi të qëndrueshëm, ku natyra të mos trajtohej si pengesë për zhvillimin, por si vetë zemra e tij.

Vjosa duhet të jetë sfida jonë për t’i treguar botës se Shqipëria ende ruan atë që Europa e ka humbur prej kohësh: natyrën e egër dhe të paprekur. Dhe kjo mbrojtje nuk mund të jetë e pjesshme. Ajo duhet të zbatohet përgjatë gjithë luginës, nga burimi deri në deltë.

Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje publike që të ndaloni menjëherë punimet në Lagunën e Nartës dhe të hapni një proces transparent informimi dhe konsultimi publik për çdo ndërhyrje që prek këtë territor të mbrojtur.

Kjo nuk është vetëm një betejë për një lagunë apo për një lumë. Është një betejë për mënyrën se si duam të jetojmë, për mënyrën se si duam të edukojmë brezat që do të vijnë dhe për atë çfarë duam t’i lëmë Shqipërisë në të ardhmen.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11