
“Ne mund ta trajtojmë veten si objekt pasiv që na zgjedh Evropa dhe na cakton datat, dhe na jep detyrat e shtëpisë, si ato që i kanë mbyllur me leckë sytë dhe vazhdojnë ecin në këtë tranzicionin drejt të ardhmes së ndritur evropiane”,- Lea Ypi flet me nota kritike për gjithë vëmendjen e përqëndruar te procesi integrimit të Shqipërisë në organizmat e BE-së. Në një intervistë për “A2CNN”, shkrimtarja Lea Ypi e vë theksin në një aspekt që për të ka rëndësi më të madhe, si ai i drejtësisë sociale. “Mund të zgjedhim që të angazhohemi në këtë proces me përgjegjësi më të madhe, me ndërgjegje më të madhe kritike duke kërkuar më shumë nga institucionet në aspektin e drejtësisë sociale, të lirisë së individit, të ndarjes së pushteteve, të konsolidimit të demokracisë së kuptuar, jo si demokraci “të standarteve evropiane” që është fjala që unë dëgjoj më tepër në mediat shqiptare, por si demokraci që u intereson shqiptarëve, që u intereson barazia, u intereson përfaqësimi”- thotë ajo duke nënvizuar se edhe vetë Evropa në shumicën e rasteve nuk e ka as vetë këtë lloj standarti.
Ypi i futet më në hollësi klimës së politikbërjes në Shqipëri dhe interesit integrues në BE, duke argumentuar se: “Në Shqipëri nuk ka as të majtë e as të djathtë se e vetmja ideologji që ekziston për momentin është ideologjia e integrimit. Dhe integrimi evropian bën çdo politikë që të ketë aspekt depolitizues sepse nuk shtrohen çështje themelore. Pra ne diskutojmë a do hyjmë në Evropë, a u bënë detyrat për të hyrë në Evropë, a u plotësuan kriteret për të hyrë në Europë?”
Shqetësimi që ngre Ypi është se në vendin tonë nuk ka debat se çfarë është Evropa, se çfarë i sjell Shqipërisë, se në çfarë konteksti gjenden sot institucionet e BE-së: “Cilat janë krizat e Europës, cilat janë vështirësitë, si ka reaguar Evropa në kontekste krizash në vendet anëtare si Greqia, a ka patur impakt pozitiv apo negativ? Ne kemi një narrativë lëvduese të Evropës, të BE-së dhe kjo bën që të mos ketë debat politik për asnjë çështje sepse e gjithë politika është e depolitizuar pasi përgjigjet janë përgjigje teknokratike, se janë përgjigjet që i jep BE-ja dhe që i jep procesi i integrimit në BE.”

Në një shkrim të sajin me titull: “2026, shpresë pa optimizëm”, për “Project syndicate” shkrimtarja shkruan për aspiratat evropiane si koncept për të cilat sipas saj: “Paradoksalisht, i vetmi vend ku sot ajo ëndërr duke se është ende gjallë është Shqipëria, e cila duket se ka hyrë sërish në një tjetër kapsulë kohore, një realitet alternativ që më kujton romanin “Time Shelter” të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, ku njerëzit mund të zgjedhin epokën historike në të cilën dëshirojnë të jetojnë. Për shqiptarët, epoka ideale është BE-ja e mesit dhe fundit të viteve 1990, përafërsisht nga nënshkrimi i Traktatit të Mastrihtit deri te projekti kushtetues. Zgjedhjet në Shqipëri zhvillohen dhe fitohen me premtimin e anëtarësimit në BE; ligje miratohen brenda natës për t’u përafruar me acquis communautaire.”
A ka kjo pasoja direkte apo indirekte në jetën tonë politike e sociale? Ypi vijon: “Por ka një çmim. Në bregdetin shqiptar, në qytetet e Shëngjinit dhe Gjadrit, qendrat e emigrantëve të ndërtuara nga Italia për të strehuar azilkërkues të deportuar janë një kujtesë e rendit kohor në të cilin jeton sot pjesa tjetër e Evropës, dhe një pjesë e madhe e botës. Aty gjejmë një hapësirë kufitare midis idealit kozmopolit dhe një distopie të së ardhmes.Në një fjalim të mbajtur në parlamentin italian në mars 2025, kryeministrja Giorgia Meloni e artikuloi këtë rend të ri më qartë se kushdo tjetër. Jo çuditërisht, ajo sulmoi edhe Manifestin e Ventotenes, autorët e të cilit shkruanin: “Problemi i parë që duhet zgjidhur, pa të cilin çdo përparim tjetër do të jetë vetëm sipërfaqësor, është eliminimi përfundimtar i ndarjes së Evropës në shtete sovrane kombëtare.”
Duke iu referuar teorive të ndryshme ajo analizon se: “Për këtë qëllim, Spinelli dhe Rossi mbështesnin (mes shumë dispozitave të arsyeshme) ndarjen e pushteteve, rëndësinë e demokratizimit të ekonomisë, rolin e përfshirjes kulturore dhe domosdoshmërinë politike të mobilizimit të një koalicioni të gjerë partish progresiste. Kësaj, Meloni iu kundërpërgjigj: “Nuk e di nëse kjo është Evropa juaj, por sigurisht që nuk është e imja,” duke shtuar se shpresonte që ata që po e mbronin dokumentin të mos e kishin lexuar atë. E megjithatë, pothuajse askush jashtë Italisë nuk e vuri re këtë. Ndoshta sepse Evropa e sotme i ngjan shumë më tepër vizionit të partisë së Melon-it, Vëllezërit e Italisë, sesa atij të federalistëve të hershëm evropianë. Kontributi i elitës evropiane në imagjinimin e së ardhmes tani konsiston kryesisht në duartrokitjen e modelit të Melon-it për “menaxhimin e emigracionit”, ose në lajkatime të bujshme ndaj Trump-it, me shpresën për të siguruar lëshime tregtare modeste.”

Shkrimtarja Ypi i është përgjigjur pyetjes nëse do jetë pjesë e politikës në Shqipëri duke deklaruar se nuk e ka menduar veten në politikë, por është shprehur se njeriu nuk thotë asnjëherë “jo” për të ardhmen, duke nënkuptuar një hap të mundshëm në këtë fushë. Ajo tha se: “Për momentin kam prioritet librat, shkrimin, angazhimin me lexuesit.”
Ypi ndalet në ato që i quan “forma” të ndryshme të pushtetit duke theksuar se të gjithë jemi të angazhuar në politikë. “Latinët kishin një shprehje që thoshte “ars longa vita brevis”. Pra arti është i gjatë, jeta është e shkurtër. Pushteti politik ka jetën shumë të shkurtër dhe ka atë energjinë që merr në atë jetë të shkurtër shumë të madhe dhe krijon një iluzion plotfuqie. Unë mendoj që ndoshta dhe kjo vjen dhe nga qasjet dhe nga ato leximet politike që kanë bërë filozofia, apo filozofët politikë që më interesojnë dhe një reflektim që në fakt pushteti që ushtrohet në këtë mënyrë nuk është e vetmja formë pushteti”,- u shpreh ajo.
Shkrimtarja flet për një “rol” që secili mund të marrë, jo domosdoshmërisht për të ushtruar pushtet apo vendmmarrje. “Pushteti merr forma të ndryshme dhe nuk kam domethënë deri tani, nuk kam ndonjë interes ose ndonjë ambicie që të ushtroj pushtet në kuptimin e vendimmarrjes të këtij aspekti, të vendimmarrjes institucionale, sepse mendoj që ka forma të tjera në të cilat njeriu kontribuon në shoqëri dhe ne të gjithë kemi këtë rol dhe të gjithë marrim pjesë në mënyrat që dimë dhe mund të bëjmë dhe nuk është e thënë se dikush që është intelektual i mirë apo gazetar i zoti është edhe politikan i mirë.”-sqaron Ypi.

Intervista e Ypit ka sjellë edhe reagimin e gazetarit Çim Peka i cili në një postim në rrjete sociale ironizon duke shkruar: “Lea Ypi-Batoni në mes dhe Zeqineja anash! Lea Ypin nuk e njoh dhe të jem i sinqertë nuk kam ndaluar asnjëherë ta dëgjoj që kur Batoni më thotë: “E kam mikeshë dhe konsultohet me mua.” Kaq më mjafton. Zeqinenë e dëgjoj, por nuk dalloj asnjë ndryshim mes saj dhe Lea Ypit përsa i përket qëndrimit ndaj krimit politik, krimit ekonomik, krimit elektoral dhe së fundmi dhe krimit ordiner të sistemit të Edi&Linda Ramës. Zeqineja nuk i shikon, Lea hesht. Lea nuk është Kadare. Nëse Kadareja ishte gjeni letrash, por heshtte se thoshte: “Më vret Ramizi”, Lea nga se ka frikë? Nga Rama që e promovon!? Apo mendon njëlloj si Zeqineja? Kaq më mjafton për Lean!”
Ypi ka nisur prej kohësh ndërtimin e imazhit të saj në daljet ndërkombëtare por edhe në Shqipëri, në medie.


