Opozita ka mbetur jashtë sallës së mbledhjes së Këshillit të Mandateve pasi kuvendi e kishte mbyllur derën me çelës. Pesë anëtarë të së djathtës ishin përgatitur të merrnin pjesë në mbledhjen e sotme rreth orës 11:00 për mandatin e zv.kryeministres Belinda Balluku, por janë penguar sipas tyre të ushtroni përgjegjësinë që u takon sipas ligjit. Ata kërkuan që Këshilli të vepronte sa më parë që Balluku të mos kishte mundësi të manipulonte provat për akuzat që SPAK-u ka paralajmëruar arrestimin e saj.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi pasi nuk mundi dot të futej në sallë u shpreh se ky skandal është krijuar nga vetë kreu i kuvendit, Niko Peleshi dhe se ai ka urdhëruar bllokimin e ambienteve ku do vendosej për Ballukun. Bylykbashi denoncoi edhe pengimin e mediave që të futeshin në sallën e grupit parlamentar të PD-së. “5 anëtarë të Këshillit dhe të Rregullores dhe Mandateve dhe Imunitetin, kanë bërë kërkesën për thirrjen e mbledhjes pas kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetin për Ballukun, në kuadër të shkeljeve skandaloze. Ne kemi bërë këtë kërkesë si gjysma e anëtarëve. Mbledhja është e vlefshme, por kryetari i Kuvendit refuzon që të thërrasë pjesën tjetër, të bëjë veprimet e tij të kërkuara nga ligji, duke bllokuar një proces të rëndësishëm të Parlamentit për heqjen e imunitetit të deputetit e kësaj afere. Ja ku jemi, kryetari i Kuvendit na e ka bllokuar, dera është e mbyllur.”- tha Bylykbashi. I pranishëm, deputeti Saimir Korreshi shprehu shqetësimin se shumica në pushtet e quan kuvendin si privat.

Edhe gazetarët u penguan sot të ushtronin detyrën pasi u lanë jashtë kangjellave të kuvendit. Në një video të publikuar prej saj në rrjetet sociale, Esiona Konomi tregon si mediat nuk u lejuan të futen në kryesi edhe pse ishte rënë dakort për intervista. “Edhe me dakordësi për intervistë në ditë pushimi, hyrja refuzohet me justifikimin “zbatojmë urdhra”, ndërsa rregullorja lihet mënjanë.”-shkruan ajo.

Video credits: Esiona Konomi

Retorika e demokratëve thellohet pasi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka drejtuar akuza qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Sipas Bardhit kuvendi po kthehet në bunker dhe një institucion që po mbron interesat e Ballukut e cila thotë Bardhi: “Ka vjedhur 1.1 miliardë euro”. Bardhi shton se Balluku mund ta kalojë në shtëpi Vitin e Ri, po siguron se ajo nuk do i shpëtojë burgut. Bardhi kujton se në fillim kreu i kuvendit Peleshi ka bërë të ditur se Balluku kishte kërkuar 3 javë kohë.

“Imagjinoni në një moment një person për të cilin kërkohet arresti, të thotë: -Bëjeni shpejt se dua të iki në burg! Çdo person kërkon të zvarrisë procesin. Në rastin kur Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar që të japë një qëndrim mbi një çështje, nuk mund të mblidhet Këshilli. Sot që flasim, prokuroria ka dokumentuar se ka vjedhur 1.1 mld euro. Është rënduar situata. Çështja që është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese është e ndryshme me atë të SPAK-ut. Niko Peleshi mund të marrë peng kuvendin, por s’ka për të ndodhur. E ka kthyer kuvendin në bunker. Të shpërthejmë derën dhe të marrim peng Niko Peleshin? Këtë s’e bëjmë dot”,-tha Bardhi.

Opozita ngul këmbë për një hetim të plotë të dosjes në ngarkim të Ballukut dhe më pas bën ironi duke hedhur dyshime se dera mund të jetë mbyllur për të fshehur aty Ergys Agasin, të përfshirë në një tjetër skandal. “I kanë dhënë urdhër Gardës që të mos vijë në zyrën e kreut të grupit parlamentar të PD-së. Kështu është kur në krye të Gardës është vënë një trafikant armësh. Mos u çudisni nëse në ndonjë nga zyrat e Kuvendit që mund të jetë mbyllur, mund të jetë strehuar Ergys Agasi. Vota për Ballukun u ndryshua pasi u dha vendimi, se Gjykata Kushtetuese u mor peng. Belinda Balluku mund të hajë Vitin e Ri në shtëpi, por ju siguroj se do të përfundojë në burg. T’u vjedhësh shqiptarëve 1.1 mln euro nuk shpëton dot.”

Bardhi ka paralajmëruar mbledhjen e Këshillit të Mandateve javës që vjen si detyrim. “Nuk kemi marrë mandat për të mbrojtur korrupsionin e Ballukut, Ramës dhe Agasit. Ndjej keqardhje që kryetari i Kuvendit, me urdhra politikë të Ramës, thotë se do të mbledhë komisionin”,- shtoi ai.

Shtyrja e heqjes së mandatit dhe lënia në liri të zv.kryeministres Balluku, për Bardhin është përpjekje për të blerë kohë që ajo të intimidojë dëshmitarët dhe të prishë provat që e implikojnë në shkeljet për të cilat po hetohet si fillim për tenderin e Tunelit të Llogarasë, duke iu referuar lajmit se Mirzeta Kashnica, vartësja e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukut, ka deklaruar se është vënë nën presion të drejtpërdrejtë nga ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, për të firmosur dokumentacionin e tenderit. Ai deklaroi se numri 2 i qeverisë, Balluku po favorizohet nga Rama e Peleshi. “E keni parë që media ka publikuar dëshminë e vartëses së Ballukut që ka bashkëpunuar me SPAK-un për të treguar si është zhvilluar procedura e tenderit të tunelit të Llogarasë. Është kjo vartëse që është intimiduar nga Balluku. Këta po tentojnë që duke i dhënë kohë Ballukut të prishin provat, intimidojnë dëshmitarët dhe pengojnë drejtësinë.”-tha Bardhi.

SPAK-u i ka paraqitur kuvendit vendimin për arrestimin e Ballukut, por më parë kërkohet shqyrtimi i mandatit të saj nga Këshilli i Mandateve. Mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura për mediat dhe është kërkuar shtyrja për shkak së anëtarët duhet të njiheshin me dosjen e cila përmban mijëra faqe materiale, prova e fakte që prokuroria ka nxjerrë si rezultat i hetimit paraprak. Balluku u rikthye në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, pas pezullimit me kërkesë të GJKO-së e cila u hodh poshtë duke u pranuar ankimimi nga qeveria me firmë të kreut Edi Rama.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10