
Gjykata Kushtetuese vendosi që të rikthejë në detyrë Erion Veliajn si kryetar të Bashkisë, duke rrëzuar shkarkimin e bërë nga qeveria dhe Këshilli Bashkiak. Pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri Edi Rama i cili tha se Tirana nuk mund të lihet jetime për vite me radhë, duke kërkuar zgjidhjen e ngërçit që e quan absurd. Sipas Ramës, tani që Gjykata Kushtetuese ia dha të drejtën të jetë sërish kreu i Bashkisë, mbajtja e tij në burg krijon një disporcion të rëndë, jo vetëm ndaj të drejtave kushtetuese, por edhe ndaj të drejtës së qytetarëve të Tiranës që i zgjedhuri i tyre duhet t’u shërbejë. Ai gjen rastin t’u japë përgjigje akuzave për kapje të pushteteve, duke shkruar: “Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo”.

Rama ka kërkuar rikthimin e Veliajt në zyrë për ta vijuar procesin në gjendje të lirë. Ai vuri në barazpeshë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke shpresuar që do jetë po aq e drejtë edhe në gjykimin e Veliajt. “Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo.”-tha Rama.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar rrethanat që favorizuan ankimimin e Veliajt. Kryetarja Holta Zaçaj është shprehur se procesi i nisur nga Këshilli Bashkiak ishte i parregullt dhe se qeveria duhet të vlerësonte nëse Veliaj kishte kryer shkelje të rëndë, duke i lënë kohë tani Këshillit Bashkiak të ndjekë procedurat e duhura. Në këtë situatë zgjedhjet në Tiranë mund të zhvillohen vetëm nëse GJKKO dhe Apeli i GJKOO e dënojnë Veliajn me vendim të formës së prerë e më pas caktohet edhe data e zgjedhjeve të ardhshme.

Reagimi i opozitës
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka akuzuar kryministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj se kanë shkelur dhe abuzuar me pushtetin me vendimin që morën për shkarkimin e Veliajt dhe dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme më 9 nëntor. Bardhi thotë se: “Shpallja si antikueshtues i vendimit të Edi Ramës dhe Bajram Begajt në raport me Bashkinë e Tiranës nuk është triumf i shtetit ligjor. Është turpi i një pushteti që sfidon çdo ditë ditë shqiptarët dhe ligjin në mënyrë flagrante”. Demokrati Bardhi shprehu bindjen se Veliaj do vijojë të qëndrojë në burg duke paralajmëruar zgjerimin e hetimeve për dosjen e “Inceneretorit”, ku rrezikon të preket edhe vetë kreu i qeverisë, Edi Rama.
Me dakortësinë me Gjykatën Kushtetuese, Rama ka ulur vrapin me të cilin nxitoi të largonte Veliajn nga detyra e të vendoste Ogerta Manastirliun që e prezantoi si kandidate në Asamblenë e PS-së menjëherë pasi mori shumicën në zgjedhjet e 11 majit. Veliaj tha në gjykatë se shkarkimi ishte një fryerje dhe drejtoi gishtin e akuzës duke thënë: “Ma bënë bashkëpunëtorët e mi”.


