Pas 10 orësh mbledhje maratonë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kreut të qeverisë Edi Rama për pezullimin e vendimit të GJKO-së për të pezulluar Belinda Ballukun nga posti i zv.kryeministres dhe kthimin e pasaportës pasi iu ndalua të dilte jashtë vendit. 8 anëtarët e trupës së gjykatësve kanë votuar 4 me 4, që çon automatikisht në rënie të pretendimeve të Ramës. Kryetarja e Gjykatës Fiona Papajorgji në leximin e vendimit ka njoftuar se 4 vota kanë mbështetur kryeministrin dhe 4 të tjera, pro SPAK-ut. Kundër Ramës votuan: Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sandër Beci dhe Asim Vokshi.

“Gjykata Kushtetuese vendosi: Rrëzimin e kërkesës. Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin e Kushtetueses”, citohet në vendim.

Mbledhja e sotme vjen pas disa dështimesh e shtyrjesh së njëpasnjëshme, për shkak të pretendimeve për t’u njohur më shumë me dosjen në ngarkim të Ballukut.  Ky hap i gjykatës i jep mundësinë SPAK-ut të veprojë ndaj Ballukut pasi është kërkuar arrestimi i saj për “Shkelje të barazisë në tendera”. Më herët është kërkuar edhe heqja e imunitetit si deputete, çështje për të cilën vendos Komisioni i Mandateve.

Rama e konsideroi shkelje të kompetencave pezullimin e Ballukut nga GJKKO-ja dhe e çoi ankimimin në GJK. Ai shprehu shqetësimin se GJKKO-ja kishte shkelur kufijtë e pushtetit, gjë që bëri rikthimin përkohësisht të Ballukut në detyrë. Ajo është e pandehur nga SPAK-u për tenderin 190 eurossh në Tunelin e Llogarasë, si edhe është nën hetim për 7 procedura të tjera.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës duke kërkuar që kreu i Kuvendit, Niko Peleshi të njoftojë menjëherë të hënën mbledhje urgjente të Këshillit të Mandateve dhe në seancën e së enjtes të përfshihet kërkesa për dhënie autorizimi për heqjen e imunitetit ndaj Ballukut.

Ylli Manjani, ish-Ministër i Drejtësisë ka sqaruar vendimin e sotë të Gjykatës Kushtetuese për Ballukun:

“Meqë kam shumë pyetje dhe nuk u përgjigjem dot të gjithëve, po e sqaroj këtu domethënien e vendimit pa vendim të Gjykatës Kushtetuese:

1. Gjykata Kushtetuese ka dështuar të marrë një vendim mbi objektin e kërkesës së bërë. Pra nuk i ka dhënë dot zgjidhje mosmarrëveshjes ndërmjet Qeverisë dhe Drejtësisë.

2. Duke mos qenë në gjendje të marrë vendim, automatikisht kërkesa e bërë quhet e rrëzuar, megjithëse e pagjykuar.

3. Vendimi i ndërmjetëm i pezullimit të vendimit të GJKKO, bie nga fuqia automatikisht sepse ka përfunduar gjykimi.

4. Situata ligjërisht rikthehet në gjendjen që ishte përpara fillimit të gjykimit në Gjykatën Kushtetuese. Pra zonja Balluku mbetet e pezulluar nga detyra sipas vendimit të GJKKO.

5. Çështja e debatit mbi imunitetin e saj nuk ka lidhje me këtë gjykim, por me procedurat dhe vendimmarrjen e Parlamentit, mbi kërkesën e SPAK.

Kaq sa për sqarim ligjor të mënyrës se si duhet kuptuar vendimi pa vendim i kushtetueses.

Komentet, opinionet e konspiracionet janë temë tjetër.”

NJOFTIMI I PLOTË I VENDIMMARRJES SË GJYKATËS:

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 06.02.2026 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër; shfuqizimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.

Paraprakisht Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të Ligjit Organik të saj.

Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon ntë mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të  detyrës apo shërbimit publik vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.

Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:

Rrëzimin e kërkesës.

Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës

12.12.2025.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11