
Ambasadori i BE-së në Tiranë, diplomati italian Silvio Gonzato do i lërë postin e tij një gruaje në karrierë. Diplomatja portugeze Sofia Moreira de Sousa ëstë propozuar të drejtojë përfaqësinë në Tiranë nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas. Ajo nominoi Sofia Moreira de Sousas në listën me të gjithë emrat për ambasadorët dhe drejtuesit e delegacioneve të BE-së në vende të ndryshme të botës sipas “Eeas.europa.eu”.
Zyrtarizimi i emrit të saj do konfirmohet pasi të marrë dakordësinë nga autoritetet shqiptare dhe përfundimit të procedurave administrative që lidhen me rotacionin diplomatik të vitit 2026. Ardhja e saj përkon me një fazë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në vendet e unionit. Ajo do ketë një peshë në mbështetjen që do i japë Shqopërisë, përparimin e negociatave dhe bashkëpunimin e vendit tonë me BE-në. Sofia Moreira de Sousa pritet të vijë pas Silvio Gonzatos. Ai ka mbajtur detyrën e ambasadorit të BE-së në Shqipëri në fazën së hapjes së disa kapitujve për reformat e kërkuara.

Kush është Sofia Moreira de Sousa
Sofia Moreira de Sousa sipas biografisë së publikuar nga “Ipp-jcs.org “, është drejtuese e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Portugali, një detyrë që e mori në shtator të vitit 2021, pasi përfundoi mandatin katërvjeçar si ambasadore e Bashkimit Evropian dhe Shefe e Delegacionit të BE-së në Republikën e Kepit të Gjelbër (Cabo Verde). Para kësaj, ajo ishte zv.shefe e Delegacionit të BE-së në Republikën e Afrikës së Jugut. Deri në vitin 2014, ajo shërbeu si këshilltare e lartë e zv.sekretarit të Përgjithshëm të Bashkimit Evropian dhe anëtare e Bordit Korporativ, duke u marrë me negociatat me Iranin dhe marrëdhëniet e BE-së me Partnerët Lindorë. Këtë post e mori pasi punoi si zv.shefe e njësisë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, përgjegjëse për koordinimin e politikave, përgatitjen e të gjitha mbledhjeve të Këshillit të Punëve të Jashtme dhe ofrimin e udhëzimeve politike për delegacionet e BE-së në mbarë botën.
Nga viti 2009 deri në vitin 2011, Moreira de Sousa ishte këshilltare politike në Delegacionin e BE-së pranë Bashkimit Afrikan në Addis Abeba, ku ndoqi nga afër procesin e integrimit rajonal afrikan dhe zbatimin e partneritetit strategjik BE-Afrikë. Para kësaj, ajo ishte e deleguar në ministrinë e Punëve të Jashtme të Portugalisë në Lisbonë, për përgatitjen dhe ndjekjen e Samitit BE-Afrikë të vitit 2007 në Lisbonë dhe krijimin e partneritetit BE-Afrikë. Më herët, ajo ka punuar si këshilltare e lartë e Përfaqësuesit Special të BE-së për Kaukazin nga viti 2005 deri në vitin 2006, duke udhëtuar gjerësisht në rajon. Gjithashtu, nga viti 2003 deri në vitin 2007, ajo punoi në ekipin e ngushtë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Javier Solana, për marrëdhëniet e BE-së me Rusinë dhe Ukrainën. Ajo ishte pjesë e ekipit të BE-së të përfshirë në ndërmjetësimin e Revolucionit Portokalli në Ukrainë në vitin 2004.
Në fillim të karrierës së saj, Moreira punoi në departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, duke u marrë me aspektet e jashtme të sistemit satelitor të navigimit “Galileo”. Ajo gjithashtu punoi si drejtoreshë kursesh në Akademinë Evropiane të së Drejtës në Trier, ku ishte përgjegjëse për programet e trajnimit të gjyqtarëve dhe magjistratëve në fushën e së drejtës dhe jurisprudencës evropiane. Përpara këtyre angazhimeve, ajo punoi për dy vjet në një studio ligjore në qytetin e saj të lindjes, Porto, në Portugali. Sofia Moreira de Sousa ka studiuar drejtësi në Portugali dhe zotëron një diplomë Master (LL.M.) në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare nga Universiteti i Hamburgut në Gjermani.


