
Në ditët e fundit të presidencës së Ilir Metës një fushatë intensive vetofrimi po ndodh në rrjetet sociale.
Paralel me këshillimin e legalizimit të kanabisit, kjo lloj fushate ka arritur nivele përtej debateve të përgjithshme.
Në rrjetet sociale po shpërfaqen personazhet e para që vetëofrohen për president të Republikës së Shqipërisë, mes tyre edhe nga ato që kanë nisur intervistat në televizione pse janë figurat më të volitshme për t’u marrë në konsideratë.
Elena Kocaqi, historiane, është një nga figurat bazë në komentet e ndjekësve në rrjet, që jo vetëm thotë se ka mbështetjen e deri 90% të shqiptarëve por është dakordësuar me ta për ta pranuar këtë “nder” duke u hedhur në sulm për të elaboruar se pse është e duhura për postin e kryetarit të shtetit.
Thirrja kryesore e saj është që presidenti të zgjidhet nga populli si dhe të jetë grua. Ndjekësit janë polarizuar, duke e kritikuar protagonizmin e Kocaqit deri edhe shigjetuar për mënyrën se si shkruan shqip, teksa një pjesë edhe e kanë mbështetur.

Një sërë figurash të tjera janë lakuar virtualisht si kandidatë potencialë, mes të cilëve Marin Mema, Majlinda Bregu, Mimi Kodheli, Elisa Spiropali e deri te Lulzim Basha, ish-kryetari i Partisë Demokratike.
Po kush po e nxit delirin për zgjedhjen e presidentit të ri në Shqipëri?
Presidenti i Republikës së Shqipërisë zgjidhet nga parlamenti dhe praktikisht çdo dëshirë ndjekësish socialë apo qytetarësh realë mbetet një delir.
De facto presidenti i ardhshëm i Shqipërisë do të varet nga vendimi i kryeministrit Edi Rama duke qenë se pas shumë raundesh provash, edhe nëse nuk funksionon dakordësia e tij me deputetë të opozitës, sërish socialistët kanë mundësinë të zgjedhin me anë të shumicës së thjeshtë kreun e ardhshëm të shtetit.

Diskutimet mbi presidentin e ardhshëm i shërbejnë vetëm rritjes së dimensionit prej “lideri” dhe popullaritetit të vendimarrësit real, në këtë rast kryeministrit Rama.
Nuk përjashtohet që në stilin se si qeveris dhe i zgjedh ata rreth vetes, nga Rama të vijë ndonjë vendim surprizë. Thashethemnajat korridoreve të politikës nuk përjashtojnë as Lea Ypin, një profesoreshë e re, së fundmi investuar shumë mbi të dhe produktin e saj “Të lirë”, edhe në audiencën ndërkombëtare.