
Kryeministri britanik Keir Starmer dhe gruaja e tij Victoria kanë pranuar donacione veshjesh në mënyrë që të mund të “dukeshin në formën e tyre më të mirë” për të përfaqësuar Britaninë e Madhe. Këtë e ka konfirmuar sekretari i jashtëm britanik David Lammy. I pyetur nga gazetarët për donacionet e veshjeve, Lammy sugjeroi se vendet e tjera kishin për dedikuar për veshjet e liderëve buxhete të majme të financuara nga taksapaguesit. Kjo erdhi pas raportimeve se kryeministri Keir mund të ketë thyer rregullat parlamentare duke mos deklaruar rrobat e blera për gruan e tij nga donatori laburist, Lord Waheed Alli.
Lammy i tha gazetares Laura Kuenssberg se: “Presidentët dhe zonjat e para të SHBA-ve kanë një buxhet të madh, të financuar nga taksapaguesit, që të duken sa më mirë në emër të popullit amerikan.” Në fakt, zonja e parë e SHBA-ve nuk ka akses në një buxhet të caktuar për veshje – dhe shumë kanë shprehur frustrim për kostot që kanë për të qëndruar të modës në Shtëpinë e Bardhë.

Pra, cilat janë rregullat për veshjet në skenën botërore?
Në disa vende, taksapaguesit kontribuojnë në shpenzimet për jetesën e liderëve të tyre – dhe kjo mund të përfshijë dhe veshjet. Presidentët e SHBA-ve kanë një buxhet shpenzimesh prej rreth 50 mijë dollarësh, i cili mund të përdoret për blerjen e veshjeve dhe objekteve të tjera, përveç pagës vjetore prej 400 mijë dollarësh. Por bashkëshortja e presidentit të SHBA-ve, historikisht, gjithmonë si një zonjë e parë nuk merr një pagë vjetore apo një buxhet të caktuar shpenzimesh, e megjithatë ata kanë një staf të paguar dhe një zyrë. Kjo pavarësisht se zgjedhjet e modës së zonjës së parë të SHBA tërheqin një vëmendje të madhe.
Shembuj të njohur përfshijnë xhaketën e kompanisë “Zara” të veshur nga Melania Trump, mbi të cilën shkruhej “Unë me të vërtetë nuk dua t’ja di, po ti?” gjatë një vizite në një qendër paraburgimi emigrantësh, ai dhe fustanin e ndritshëm të kuq të “Alexander McQueen” që mbante veshur Michelle Obama gjatë takimit me ish-Presidentin kinez Hu Jintao.

Disa zonja të para kanë thënë se, në përgjithësi, pritej që ato të paguanin vetë për veshjet e tyre. Për shembull zonja Laura Bush, gruaja e Xhorxh W. Bush, shkroi në librin e saj të kujtimeve të vitit 2010 se ishte “e habitur nga numri i madh i veshjeve dizajnuese që pritej nga ajo të blinte… për të përmbushur pritshmëritë e modës për një zonjë të parë”.
“Pas vitit tonë të parë në Shtëpinë e Bardhë, kontabilisti ynë i tha Xhorxhit, ‘Të jesh president kushton shumë,’ dhe ai po i referohej kryesisht veshjeve të mia.”– shkroi zonja Bush. Sekretarja e shtypit e Michelle Obamës, Joanna Rosholm, i tha CNBC-së në vitin 2014 se: “Zonja Obama paguan për veshjet e saj”.

Zonjat e para të SHBA-ve gjithashtu mund të pranojnë veshje si dhurata, shpesh në emër të qeverisë. Disa dizajnerë e mirëpresin reklamën që u ofron mbajtja e veshjeve të tyre nga zonja e parë. Me çmimet e fustaneve të stilistëve që shkojnë në dhjetëra mijëra, donacionet janë e vetmja mënyrë që banorët relativisht më pak të pasur të Shtëpisë së Bardhë mund të përballojnë të veshin dizanjerë të njohur.
“Për ngjarjet zyrtare me rëndësi publike ose historike, siç është një vizitë shtetërore, veshjet e zonjës së parë mund të jepen si dhuratë nga një dizajner dhe pranohen në emër të qeverisë së SHBA-ve.”– tha zonja Rosholm.
Muzeu Smithsonian liston fustanin që zonja e parë e tanishme Jill Bideni veshi në inaugurimin e bashkëshortit të saj në vitin 2021 si një dhuratë nga stilistja Alexandria O’Neil. Në kontrast, paraardhësja e saj, Melania Trump, pasuria e bashkëshortit të së cilës e bëri atë presidentin më të pasur në histori, e dhuroi fustanin e saj të inaugurimit të dizajnuar nga vetë stilisti Hervé Pierre. Kjo mund të jetë shkak se ajo e pagoi atë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Sarah Brown, gruaja e ish-kryeministrit Gordon Brownit, ka folur për vështirësitë e pranimit të dhuratave – përfshirë veshjet. “Siç e zbulova shpejt nuk ka mungesë dizajnerësh dhe shitësish që do t’ju ofrojnë veshje falas.”- shkroi ajo në librin e saj të titulluar “Behind the Black Door” (në shqip Pas Derës së Zezë) në vitin 2011. Megjithatë, ajo shtoi se ka shumë rregulla që rregullojnë atë që mund të bëjnë deputetët (dhe partnerët e tyre) me dhuratat falas – për të mos përmendur aspektin moral të përdorimit të pozitës për të përfituar gjëra falas. Ajo e shpjegoi zgjidhjen kështu: “Këshilltarët e Nr.10 dhe unë gjejmë një mënyrë që funksionon për të gjithë. Çdo veshje që dëshiroj të mbaj, mund ta blej. Çdo veshje apo bizhuteri që ofrohet falas, mund ta ‘marr me qira’ në mënyrë efektive për rreth 10 për qind të vlerës me pakicë, pastaj ta kthej.”
Bashkëshortët e liderëve botërorë në vende të tjera zakonisht duken se mbështeten në dhurata për zgjedhjet e stilit të tyre. Brigitte Macron e Francës nuk ka një buxhet të financuar nga shteti për veshje dhe besohet se asaj i janë huazuar veshjet nga shtëpitë e modës pariziane si Louis Vuitton. Sipas librit “Madame La Présidente” (në shqip Gruaja e Presidentit) të vitit 2019, zyra e saj mban një regjistër të veshjeve që i janë dhuruar dhe atyre që janë të sajat. Por bashkëshorti i saj, Presidenti Emmanuel Macron, është kritikuar për shpenzimet e tij të tepruara. Këtë vit, u zbulua se zyra e tij kishte rezervuar një vend në klasin e biznesit në një fluturim nga Parisi në Brazil, vetëm për të transportuar dy kostumet e tij me një kosto prej gati 4 mijë euro.

Në Gjermani, ministrat u kritikuan për shpenzimin e 450 mijë eurove për parukierë, artistë make-upi dhe fotografë në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, megjithatë nuk duket se ka një fond të veçantë për veshje. Qeveria britanike tha për shpalljen e dhurimeve të veshjeve nga kryekministri Keir: “Kërkuam këshilla nga autoritetet kur erdhëm në detyrë. Ne besonim se ishim në përputhje, megjithatë, pas një hetimi të mëtejshëm këtë muaj, ne i kemi deklaruar artikujt e tjerë.”
Lexo artikullin origjinal te BBC


