
Nga Arbër Zaimi
Kamerat e disa televizioneve në Tiranë kanë filmuar disa grupe njerëzish me maska që dalin nga zyrat e ministrive dhe infiltrohen në protestë, gjithnjë duke brohoritur “Rama n’burg”. Kjo është jo pak shqetësuese. Me gjasë nuk bëhet fjalë për civilë të zakonshëm, që zakonisht infiltrohen në çdo turmë për arsye sigurie – sepse civilët e zakonshëm nuk rrinë në ministri por në komisariate. Gazetarët hulumtues dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, po edhe organet e drejtësisë e të inteligjencës për aq sa kanë pavarësi veprimi duhet të shohin me vëmendje dhe të ngrenë pikëpyetje, si u bë që teksa të rinjtë protestues fokusin e zemërimit e kanë me ministritë dhe sidomos me kryeministrinë, megjithatë disa “degëzime” të protestës sulmuan dhe dogjën disa seli gjykatash e prokurorish në Tiranë dhe në Durrës.
A janë cënuar dosje e dokumentë të caktuar? A është duke u përpjekur dikush t’i çojë “sms” edhe SPAK-ut, institucionit që aktualisht gëzon kredibilitet e mbështetje publike? Përveç kësaj, ka përpjekje të përditshme nga milicia mediatike e Ramës, për ta transferuar fajin për protestat te shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, specifikisht te VV dhe Vlen. Madje edhe me sajesa të trasha, duke shpikur “aktivistë” e “mbështetës” të cilët nuk i njeh askush. Ata duan që përçarjen kombëtare ta bëjnë fakt të kryer. Deri më tash kanë dështuar. Përpjekjet për të gjetur e sajuar me çdo kusht “armik të jashtëm” duken si të koordinuara me imazhet e maskave që dalin nga brenda ministrive. A thua i njëjti plan operativ?


