

Paraqitja e dobët e Joe Bidenit kundër Donald Trumpit gjatë debatit presidencial ka nxitur thirrje brenda Partisë Demokratike për një zëvendësim të presidentit aktual si kandidat të tyre përpara zgjedhjeve të këtij viti.
Ky debat nxorri në pah se Joe Biden nuk ishte në gjendje shumë optimale për të vazhduar detyrën e tij si president, për shkak të momenteve të shumta të konfuzionit që pati gjatë diskutimit.
Shumë demokratë të lartë, anëtarë të familjes, si dhe zonja e parë Jill Biden kanë shprehur mbështetjen e tyre për Bidenin, që të vazhdojë garën në zgjedhjet e ardhshme për president.
Vetë Presidenti Biden ka në dorë të marrë vendimin nëse do tërhiqet apo jo. Nëse Biden nuk do të kandidojë në zgjedhjet e nëntorit, ka disa demokratë të cilët po përfliten në mediat amerikane, si zëvendësues të mundshëm të tij.
Kështu, media si USNews dhe The Hill, duke u bazuar mbi mendimet që kanë dhënë disa ekspertë dhe analistë të ndryshëm të politikës amerikane, kanë publikuar një listë kandidatësh që mund të jenë zëvendësuesit e mundshëm të Bidenit.
Kamala Harris
Nëse Bideni do të vendosë të mos rikandidojë, zëvendëspresidentja Harris do të ishte zgjedhja më e dukshme për ta zëvendësuar atë.
Harris ka dëshmuar të jetë një aleate besnike e presidentit dhe ka mbrojtur fort performancën e tij në debat duke argumentuar se Biden dha përgjigje më thelbësore se Trumpi.
Për më tepër, nëse Bideni do të zgjidhte të jepte dorëheqjen tani, Harris do të bëhej automatikisht president.
Mirëpo Harris, ka vlerësime të dobëta në sondazhe. Sipas shifrave të bëra publike nga websajti i sondazheve FiveThirtyEight, 49% e amerikanëve nuk e miratojnë zonjën Harris, ndërsa 39% e miratojnë.
Ajo gjithashtu mund të përballet me kritika ndaj politikave të administratës së Bidenit, si emigracioni, mbi të cilin ajo po drejtonte një iniciativë.
Megjithatë, demokratët mund të godasin duke e zgjedhur Harrisin si kandidate, për të marrë mbështetjen e votuesve me ngjyrë. Kjo pasi një sondazh muajin e kaluar tregoi se Harris do të performonte më mirë me votuesit me ngjyrë sesa Bideni.

Gavin Newsom
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, është kandidati tjetër në këtë listë.
Newsom është bërë një nga demokratët më të njohur në vend gjatë viteve të fundit, pjesërisht për shkak të mbrojtjes së tij ndaj Bidenit dhe përplasjes që ka patur me republikanët, veçanërisht me guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis.
Pavarësisht nga spekulimet e vazhdueshme se Newsom ka ambicie presidenciale, ai shpesh e ka mohuar vazhdimisht interesin për të kandiduar për president në vitin 2024.
Pas debatit të Bidenit me Trumpin, ai argumentoi kundër heqjes dorë nga Bideni vetëm për shkak të një performance dhe i quajti bisedat për zëvendësimin e tij, si “të padobishme” dhe “të panevojshme”.
Por nëse Biden do të tërhiqej, Newsom do të ishte në gjendje të kandidonte me një rekord si guvernator me dy mandate i një prej ekonomive më të mëdha në botë. Ai gjithashtu ka kapërcyer një përpjekje për ta hequr atë nga detyra dhe pavarësisht se po flasim për zgjedhjet e 2024-ës, potenciali më i madh është që ai të kandidojë në vitin 2028.

Gretchen Whitmer
Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer e nisi karrierën e saj në vitin 2018, e nxitur nga slogani “Fix the Damn Roads”, apo në shqip “Rregulloni ato dreq rrugësh”, i cili vendosi një fokus pragmatik në riparimin e infrastrukturës së shtetit të Miçiganit . Që atëherë, ajo është një personazh në rritje në Partinë Demokratike.
52-vjeçarja aktualisht shërben edhe si nënkryetare e Komitetit Kombëtar Demokratik, një pozicion i lartë në strukturat e kësaj partie.
Në vitin 2022, ajo fitoi postin e guvernatores me më shumë se 54% të votave. Fitorja e saj i dha Partisë Demokratike kontrollin e plotë të legjislaturës dhe qeverisë së shtetit të Miçiganit, një rezultat që nuk është arritur në gati 40 vjet. Gjatë kohës së saj në detyrë, ajo ka miratuar edhe një portofol politikash progresive.
Whitmer ka qenë në gjendje të arrijë fitore kyçe, duke përfshirë shfuqizimin e ndalimit prej dekadash të shtetit të abortit dhe një ligj mbi “të drejtën për të punuar” për të mbështetur sindikatat.
Megjithëse është një nga emrat më të përfolur, ajo ka reaguar duke thënë se nuk dëshiron të zëvendësojë Bidenin dhe se është plotësisht pas tij.

Pete Buttigieg
Sekretari i Transportit Pete Buttigieg nuk ishte aq i njohur kur kandidoi për president në vitin 2020, por ai fitoi tërheqje dhe popullaritet si “Kryetari Pete” pasi shërbeu si kryebashkiak i South Bend, Indiana.
Buttigiegu u bë një avokat i ngushtë i Bidenit gjatë gjithë vitit 2020, duke kulmuar me zgjedhjen e tij si sekretar i Transportit. Ai u bë sekretari i parë i kabinetit që kishte dalë haptazi si homoseksual.
Suksesi i tij në vitet e fundit ka ngritur spekulime se ai mund të përpiqet për një tjetër kandidim presidencial të radhës.
Në veçanti, Buttigiegu, pati një moment popullariteti në vitin 2021 kur Kongresi kaloi dhe Bideni nënshkroi ligjin dypartiak të infrastrukturës në fuqi.
Mosha e tij do të ishte gjithashtu një kontrast i mprehtë me Bidenin, pavarësisht se kishte më pak përvojë se disa nga kandidatët e tjerë të përfolur, por ai pati vështirësi në vitin 2020 për të fituar mbështetjen e pakicave dhe veçanërisht të njerëzve me ngjyrë.

Josh Shapiro
Guvernatori i Pensilvanisë Josh Shapiro është gjithashtu pretendent për të zëvendësuar Bidenin.
Ai gradualisht u ngrit në poste më të larta në shtetin e tij të origjinës përpara se të zgjidhej prokuror i Përgjithshëm i Shtetit dhe përfundimisht guvernator në vitin 2022.
Shapiro kishte krijuar një reputacion gjatë karrierës së tij si një demokrat më i moderuar, por u zgjodh vetëm kur kandidoi për çështje kyçe liberale, si p.sh. mbrojtja e të drejtave të abortit dhe rritja e pagës minimale.
Aftësia e tij për të fituar me lehtësi postin e guvernatorit në fushën e betejës me pothuajse 15 pikë, si dhe energjia e tij rinore, ka ndezur thashethemet se ai mund të jetë një fytyrë e ardhshme e partisë, ndoshta duke kandiduar për Zyrën Ovale në katër vjet.
Ai ka qenë një nga zëvendësuesit kryesorë të Bidenit dhe iu bëri thirrje kolegëve të tij demokratë që të bëjnë punën e nevojshme për të zgjedhur Bidenin.

JB Pritzker
JB Pritzker është shfaqur gjithashtu si një zëvendësues i fortë për Bidenin. Ai bëri bujë për sulmet e tij të ashpra kundër Trumpit, duke e cilësuar atë si kriminel, racist, homofob dhe mashtrues pas gjyqit të tij në Nju Jork.
Si guvernator i Illinoisit me dy mandate, Pritzkeri ka krijuar gjithashtu një rekord të gjerë progresiv, duke shënuar fitore të mëdha për kontrollin e armëve dhe të drejtat e abortit.
59-vjeçari qëndron gjithashtu si zyrtari më i pasur i zgjedhur, me një pasuri prej rreth 3.5 miliardë dollarësh sipas Forbes. Ai ka treguar gatishmëri për t’i përdorur paratë në fushatat e tij, me të dhënat që sipas Chicago Tribune tregojnë rreth 350 milionë dollarë të shpenzuara në dy fushatat e tij.

Andi Beshear
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear arriti një fitore të thellë kur u rizgjodh në shtetin e tij vitin e kaluar, duke përmirësuar diferencën e tij me disa pikë në krahasim me zgjedhjet e tij të para në 2019.
Kjo bëri që emri tij të futej në bisedën kombëtare si dikush që mund të ketë një të ardhme në parti, edhe pse ai do të jetë i kufizuar me mandat në zgjedhjet e ardhshme.
Guvernatori është shumë popullor dhe arriti të fitojë në mbarë vendin si demokrat dy herë në një shtet që nuk ka votuar për një demokrat në zgjedhjet presidenciale që nga vitet 1990.
Ai ka reaguar gjithashtu mbi debatin midis Joe Bidenit dhe Donald Trumpit, ku u shpreh se ishte një natë e keqe për presidentin, por theksoi se ai është ende kandidat si dhe vetëm ai mund të marrë vendime për kandidaturën e tij të ardhshme.



