
Dy gazetarë janë vrarë brenda një qarku kohor prej 24 orësh në Meksikë. Mbrëmjen e së martës u vra gazetari 25-vjeçar Mauricio Cruz Solís, fill pasi kishte mbuluar historinë e një zjarri në një qendër tregtare. Ndërsa gazetarja e dytë Patricia Ramírez González e cila raporton për kulturën dhe showbizzin, u vra të mërkurën pasdite ndërsa po punonte në një dyqan ushqimor.
Këto janë dy vrasjet e para të gazetarëve që ndodhin nën qeverinë e re të presidentes Claudia Sheinbaum, e cila mori detyrën zyrtarisht më 1 Tetor. Por brenda një viti janë shënuar 6 vrasje, duke e bërë Meksikën vendin më të rrezikshëm për profesionistët e medias.
Kush ishte Mauricio Cruz Solís
Gazetari 25-vjeçar Mauricio Cruz Solís mbrëmjen e të martës kishte qenë duke mbuluar historinë e një zjarri të ndodhur në një qendër tregtare të qytetit të Uruapanit, ku banojnë rreth 300 mijë banorë. Në një transmetim live që zgjati 38 minuta e 34 sekonda, ai vizitoi dyqanet, bisedoi me njerëzit, intervistoi dhe kryetarin e bashkisë Carlos Alberto Manzo si dhe reflektoi mbi atë që ishte humbur nga zjarri dhe implikimet e mëtejshme sociale. Pak minuta pas përfundimit të transmetimit, ai u qëllua për vdekje. Sulmi i armatosur ka ndodhur rreth orës 22:00, kur Cruz Solís ndodhej në një rrugë pranë Shtëpisë së Kulturës në qytet. Si pasojë e sulmit me armë mbeti i plagosur dhe një kalimtar, i cili u dërgua në spital.

Nuk dihet ende se sa njerëz kanë marrë pjesë në vrasjen e tij, apo nëse gazetari kishte marrë kërcënime më parë. Cruz Solís ishte një nga ata reporterët e terrenit që bënte pak nga gjithçka për të fituar një rrogë. Pavarësisht moshës së tij të re, ai kishte punuar tashmë për gazetat ABC de Michoacán dhe La Opinión de Michoacán, të dyja me qendër në Uruapan.
“Mauricio ishte më shumë se një koleg, ai ishte një mik i pakushtëzuar, një burim frymëzimi dhe një zë i palodhur në shërbim të komunitetit tone.”– tha stacioni radiofonik ku punonte gazetari. “Ne do të kujtojmë gjithmonë ty Mauricio. Faleminderit për gjithçka që ndave me ne.”
Kush ishte Patricia Ramírez González
Vetëm një ditë më pas një tjetër gazetare u vra, këtë radhë në lagjen La Atrevida, në kryeqytetin e shtetit perëndimor të Colimasit. Media infobae shkruan se sulmi ndodhi pasditen e së mërkurës në një biznes ushqimor ku po punonte reporterja Patricia Ramírez González (përveç punës në media). Një burrë i armatosur hyri në objekt dhe qëlloi drejt saj me armë.

“Paty Bunbury” ishte emri me të cilin Ramírez González identifikohej në botën e showbiz-it. Patricia ishte 39 vjeçe dhe njihej në Colima për shkak të lajmeve që bënte në rubrikat e argëtimit dhe kulturës për media të ndryshme vendase. Sipas familjarëve dhe miqve të saj, ajo ishte shumë karizmatike dhe e përkushtuar, përveçse kishte një dashuri të veçantë për kulturën dhe argëtimin. Portali Colimote shprehu ngushëllimet për familjarët dhe miqtë e gazetares: “Ne i bashkohemi dhimbjes që pushton ata që patën gëzimin të ndajnë jetën dhe pasionin e tyre për gazetarinë. Karizma, përkushtimi dhe dashuria e saj për kulturën dhe shfaqjet lanë gjurmë të pashlyeshme në sindikatë dhe te të gjithë ata që e njihnin.” Vrasja e Ramírez Gonzálezit është e dyta vrasje e një gazetari nën qeverinë e re, por e gjashta që ndodh në Meksikë deri më tani këtë vit, pasi një valë dhune ka prekur profesionet e komunikimit në vend.


Meksika, shteti ku vriten më shumë gazetarët
E goditur nga dhuna në lidhje me trafikun e drogës, Meksika është një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, madje më i rrezikshmi sipas Reporterëve pa Kufij. RFS thotë se më shumë se 150 gazetarë janë vrarë në Meksikë që nga viti 1994 dhe viti 2022 ishte një nga vitet më vdekjeprurëse për gazetarët në Meksikë, me të paktën 15 të vrarë.
Vrasja e Cruz Solísit ishte vrasja e parë e një gazetari nën qeverinë e re të presidentes Claudia Sheinbaum, dhe 24 orë më vonë ndodhi vrasja e dytë, ajo e Ramírez Gonzálezit. Presidentja Sheinbaum mori detyrën më 1 tetor, dhe gjatë këtij muaji ka pasur një sërë sulmesh të tjera ndaj medias, por jo me viktima. Jo më larg se më 18 tetor, persona të armatosur qëlluan në pjesën e përparme të zyrës së gazetës “El Debate” në Culiacan, kryeqyteti i bastionit të kartelit Sinaloa, i cili është tronditur nga disa javë luftimesh brenda bandave.
Ndërkohë El Pais shkruan se sipas statistikave të organizatës “Neni 19”, nëse nisim nga viti 2000 llogariten të paktën 167 gazetarë janë vrarë në Meksikë. Midis tyre, shtatë reporterë janë në shtetin Michoacán të Meksikës, ku bën pjesë dhe qyteti ku u vra gazetari Cruz Solís. Grupet sociale të shtetit e rrisin shifrën midis 14 dhe 18 viktimave.



