
“The New York Times” liston donatorët më me ndikim në zgjedhjet e SHBA-ve. Në mbledhjen e fondeve për zgjedhjet presidenciale këto ditë, donatorët që kanë më shumë rëndësi janë ata që janë shumë të vegjël (pra që dhurojnë shuma më të vogla parash) dhe ata shumë të mëdhenj (që dhurojnë shumë para).
Ata të klasifikuar si shumë të vegjël janë “gjaku” i fushatave, të cilët email pas emaili janë përndjekur për të përsëritur donacionet e tyre. Por ata shumë të mëdhenj mund të bëjnë kontribute që janë aq të mëdha sa po të mbledhësh miliona donatorë me shuma të vogla.
Fushatat e Zëvendës Presidentes Kamala Harrisit dhe ish-Presidentit Donald Trump, kanë mbledhur 1.3 miliardë dollarë dhe kjo nuk përfshin paratë e mbledhura nga organizatat e financuara me para të korruptuara që janë aktive në garën presidenciale dhe që nuk i bëjnë publike donatorët e tyre. Dy muajt e fundit të zgjedhjeve shohim rëndom që donatorët shkruajnë disa nga çeqet me vlerat më të mëdha të sezonit të fushatës.
Donatorët më të rëndësishëm të Trumpit
Trumpi nuk ka shtuar shumë mega-donatorë të rinj në fushatën e tij që nga fushata e vitit 2020. Ai vetë nuk ka udhëtuar shumë për të marrë pjesë në eventet e mbledhjes së fondeve në të gjithë vendin, një pikë frustrimi për disa nga mbledhësit e tij të fondeve që nganjëherë duhet të udhëtojnë deri te pronat e vetë Trumpit për të pasur akses te kandidati. Disa donatorë tradicionalë republikanë, të cilët nuk janë të kënaqur me Trumpin, po i përqendrojnë energjitë e tyre në fushata të tjera me profil më të ulët. Por, që nga viti 2016 Trumpi e ka transformuar klasën e kontribuesve republikanë, duke zhvilluar një rrjet të veçantë donatorësh të mëdhenj besnikë ndaj tij.

Tim Mellon
Nuk ka asnjë donator që ka shpenzuar më shumë publikisht për Trumpin në këto zgjedhje sesa Timothy Mellon, trashëgimtari i bankës “Mellon”. Ai ka dhënë më shumë se 125 milionë dollarë për fushatën e Trumpit dhe jemi ende në shtator.
Tim Mellon u shfaq papritur në skenën e donatorëve politikë, ndonëse nuk ka pothuajse asnjë marrëdhënie me Trumpin, ai e ka financuar pjesën më të madhe duke siguruar pothuajse gjysmën e totalit të parave të mbledhura këtë periudhë. Melloni është gjithashtu mik i Robert Kennedy dhe ka dhënë 25 milionë dollarë për të, duke u bërë donatori më i madh publikisht gjatë kësaj periudhe.
Elon Musk
Elon Musk si donator politik ka qenë një nga historitë më të jashtëzakonshme të fushatës së vitit 2024. Musk, pronari i platformës së mediave sociale X dhe drejtori ekzekutiv i Teslas, nuk kishte treguar shumë interes për politikën më parë dhe prirjet e tij personale ishin liberale.
Por këtë pranverë, ai shpenzoi deri në 180 milionë dollarë për të transformuar programin organizativ të fushatës së Partisë Republikane. Fillimi i tij ishte i vështirë, por ka ende kohë dhe Musk ka sjellë udhëheqës të rinj, përfshirë një ndihmës personal të ri për ta ndihmuar atë të marrë vendime politike. Të paktën, Musku është dikush me të cilin Trumpi flet dhe e dëgjon. Ai pranoi këshillën e Muskut për të zgjedhur JD Vance si partnerin e tij dhe duket se Musku ka ndikuar që Trumpi të zbusë armiqësinë e tij ndaj automjeteve elektrike.
Miriam Adelson
Miriam Adelson, një mbështetëse e flaktë e Izraelit, ajo po planifikon të japë më shumë se 100 milionë dollarë për grupin.
Adelson mori disa kritika nga Trumpi vetëm disa ditë pasi u takua me të në Konventën Kombëtare Republikane në korrik, sepse ajo po punonte me operativë republikanë më tradicionalë. Por Trumpi më pas e lavdëroi atë në një event tjetër të kohëve të fundit të fokusuar te antisemitizmi.
Dick dhe Liz Uihlein
Dick dhe Liz Uihlein, themeluesit e kompanisë së transportit “ULine”, janë konservatorë të bindur dhe prej kohësh kanë qenë donatorë të rëndësishëm për organizatën “Club for Growth”, prandaj ata u tërhoqën nga fushata presidenciale e Guvernatorit Ron DeSantis gjatë zgjedhjeve paraprake republikane.
Por ata janë lojtarë ekiporë dhe janë rikthyer në rrethin e Trumpit. Siç ndodhi me Adelson ku çifti u takua me Trumpin në Konventën Kombëtare Republikane, sipas një personi që ishte i informuar për takimin e tyre.
Linda McMahon
Linda McMahon është një mike e vjetër e Trumpit, si dhe një donatore e madhe. Trumpi e emëroi atë si drejtore të Administratës së Bizneseve të Vogla gjatë presidencës së tij dhe i dha asaj një vend për të folur në Konventën Kombëtare Republikane. Fuqia e saj nuk buron vetëm nga paratë e saj, por edhe nga roli që ajo ka.
Ajo bashkohet me një tjetër donator të madh të Trumpit, Howard Lutnick, i cili është drejtor ekzekutiv i Cantor Fitzgeraldit, si një nga bashkëkryetarët e përpjekjeve të tranzicionit të Trumpit.

Donatorët më të rëndësishëm të Harrisit
Ka pasur një konsolidim të ndjeshëm në botën e donatorëve të mëdhenj demokratikë që nga viti 2020, pasi janë shumë pak lojtarë të rinj të mëdhenj, si Sam Bankman-Fried, i cili hyri fuqishëm në politikën demokrate në vitin 2022 dhe u dënua për mashtrim dhe krime të tjera në vitin 2023.
Megjithatë, vendimi i presidentit Joe Biden për të dalë nga gara dhe mbështetja e shpejtë e demokratëve për Harrisin ka gjallëruar disa donatore femra, që nuk ishin veçanërisht aktive në fushatën e Bidenit, por mund të jenë në fushatën e Harrisit.

Reid Hoffman
Reid Hoffman, bashkëthemeluesi i “LinkedIn”-it është shndërruar në një figurë të vendosur politike që nga zgjedhja e Trumpit në vitin 2016, duke u thënë në një moment donatorëve të tjerë gjatë fushatës së vitit 2020 se do të largohej nga një takim i bordit nëse politika amerikane e kërkonte. Përveçse është një nga donatorët kryesorë demokratikë në SHBA, Hoffmani është shfaqur edhe si një këshilltar për demokratët e tjerë të pasur në “Silicon Valley” që kërkojnë të bëjnë donacione politike.
George dhe Alex Soros
George Soros ka bërë prej kohësh donacione për të mbështetur demokratët. E reja është se tani një tjetër Soros është gjithashtu i angazhuar në dhënien e donacioneve. Ai është Alex, djali i Sorosit, i cili është po aq i interesuar për politikën amerikane sa babai i tij. Ai është i fejuar me Huma Abedin, këshilltaren e ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton. Familja Soros priret të jetë në gardën e vjetër të politikës së madhe demokratike, e cila mbështet grupe më tradicionale dhe pëlqen të financojë organizata që përpiqen të ndërtojnë ndryshime afatgjata.
Mike Bloomberg
“Ku është Mike?” është një pyetje që demokratët po bëjnë shpesh në këtë kohë të vitit. Bloombergu, sipërmarrës dhe ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, ka pasur një marrëdhënie të ftohtë me Bidenin dhe ende nuk ka investuar aq shumë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 sa zakonisht bën.
Por ai priret të jetë një donator shumë i vonshëm, shpesh financues i një përpjekjeje përfundimtare që nuk është e qartë gjatë verës.
Dustin Moskovitz
Dustin Moskovitz mund të jetë i vetmi person në këtë listë që ende nuk ka dhuruar mjaftueshëm për të mbështetur Harrisin. Por Moskovitz, është donatori më i madh në lëvizjen bamirëse të njohur si altruizmi efektiv, pritet gjerësisht të bëjë një kontribut të madh në muajt e fundit të kësaj gare për Future Forward, grupi demokrat që ai e mbështeti me dhjetëra miliona dollarë në vitin 2020. Moskovitz, një nga themeluesit e Facebook-ut nuk është shumë i njohur jashtë “Silicon Valley”, por ai ka një ekip këshilltarësh politikë që kanë ndikim të konsiderueshëm në rrethin e donatorëve. Në muajt e fundit, Moskovitz është bërë një nga zërat kryesorë kundër Muskut në “Silicon Valley” dhe ka shprehur shqetësimin për kthesën djathtas të disa individëve në komunitetin teknologjik.
Jeffrey Katzenberg
Jeffrey Katzenberg, ish-kryetar i Walt Disney Studios, nuk është aq i pasur sa të tjerët në këtë listë, por ndikimi i tij vjen nga qasja e tij në fushatën e Harrisit. Katzenberg, një mbledhës fondesh politike jashtëzakonisht i suksesshëm në “Hollywood” për dekada, u bë një nga bashkë-kryetarët e fushatës kombëtare të Bidenit dhe ka mbetur në atë rol dhe me Harrisin në krye të garës.





Artikullin origjinal mund ta lexoni te The New York Times


