Një komandant i lartë ushtarak i Hezbollahut është vrarë në një sulm ajror në kryeqytetin libanez të Bejrutit të premten, në një përshkallëzim të madh të konflikteve që ka shtuar frikën për përmasat që kjo luftë mund të marrë. Hezbollahu konfirmoi vdekjen e komandantit Ibrahim Aqili, pasi Izraeli kishte thënë më herët se ai ishte njëri prej disa figurave të larta të Hezbollahut të vrarë në sulm. Zyrtarët libanezë thanë se të paktën 14 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin që goditi zonën me popullsi të dendur të Dahiehut, një bastion i grupit të mbështetur nga Irani në periferitë jugore të qytetit. Një zyrtar i lartë i OKB-së ka paralajmëruar se Lindja e Mesme është në rrezik të një konflikti që mund ta bëjë të duket diçka e vogël, shkatërrimin e deritanishëm në rajon.

Sulmi shkaktoi shembjen e të paktën një ndërtese në Bejrut

Si ndodhi sulmi

BBC shkruan se në Bejrut pati skena kaotike, me ekipet e emergjencës që nxitonin në vendin e sulmit, duke shpëtuar të plagosurit dhe duke kërkuar për njerëzit që besohej se ishin të bllokuar nën rrënoja. Të paktën një ndërtesë banimi u shemb dhe të tjerat u dëmtuan rëndë. Rrugët u mbyllën nga anëtarët e Hezbollahut, disa dukeshin mosbesues pasi sulmi përfaqësonte një goditje tjetër brenda një jave, pas shpërthimit të pajisjeve komunikuese që i përkisnin grupit. Dhjetra njerëz u vranë dhe mijëra u plagosën në ato sulme, për të cilat Hezbollahu thotë se ishin të orkestruara nga Izraeli.

Sulmi i së premtes ishte i pari që goditi Bejrutin që nga korriku, kur u vra shefi ushtarak i Hezbollahut, Fuad Shukr. Në një deklaratë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) Daniel Hagari tha se Aqili, një komandant i lartë në forcat elitare Radvanit të Hezbollahut, u vra së bashku me operativët e lartë në stafin e operacioneve të grupit dhe komandantët e tjerë. Hagari tha se ata “ishin mbledhur nën tokë nën një ndërtesë banimi në zemër të lagjes Dahieh (në Bejrutin jugor), duke u fshehur mes civilëve libanezë, të cilët i përdornin si mburoja njerëzore”. Zëdhënësi i IDF-së shtoi se individët e vrarë po “planifikonin sulmin e Hezbollahut ‘Pushto Galilenë’, në të cilin Hezbollahu synonte të depërtonte në komunitetet izraelite dhe të vriste civilë të pafajshëm”.

Plani u raportua për herë të parë nga ushtria izraelite në vitin 2018, kur IDF tha se po bllokonte tunelet e gërmuara nga Hezbollahu për të depërtuar në territorin izraelit dhe për të rrëmbyer dhe vrarë civilë. Në prill, Uashingtoni tha se po kërkonte për Aqilin, i njohur gjithashtu si Tahsin, dhe ofroi shpërblime financiare për këdo që kishte “informacion që çon në identifikimin, vendndodhjen, arrestimin dhe/ose dënimin e tij”.

Ibrahim Aqili

Kush ishte Ibrahim Aqili

Ibrahim Aqili iu bashkua Hezbollahut në vitet 1980 dhe ishte përgjegjës për sulmet e grupit jashtë Libanit, sipas ushtrisë izraelite, shkruan Al Jazeera. Ashtu si shumica e zyrtarëve të lartë ushtarakë të Hezbollahut, Aqili ka qenë një figurë në hije, duke mos bërë asnjë paraqitje apo deklaratë publike. Sipas zyrtarëve amerikanë, Aqili, i njohur gjithashtu si Tahsin, shërbeu në organin më të lartë ushtarak të Hezbollahut. Ai kërkohej nga SHBA prej 4 dekadash për shkak të lidhjeve dhe vjetërsisë së tij brenda grupit të Hezbollahut, një grup që është ndaluar si organizatë terroriste nga Izraeli, Britania e Madhe, SHBA dhe vende të tjera. Në vitet 1980, Aqili ishte një anëtar i grupit që orkestroi bombardimet e ambasadës së SHBA-ve në Bejrut dhe një kazerme detare, duke vrarë qindra njerëz. Sulmet asokohe u morën përsipër nga Organizata e Xhihadit Islamik, një celulë e Hezbollahut, ku Aqili ishte një anëtar i lartë.

Aqili akuzohet gjithashtu se drejtoi marrjen e robërve amerikanë dhe gjermanë në vitet 1980. Sipas gazetës izraelite Haaretz, Aqili mbeti i plagosur gjatë shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit të martën dhe u nxorr nga spitali të premten. Duke konfirmuar vdekjen e Aqilit në një postim në rrjetet sociale, Hezbollahu e përshkroi atë si një nga “udhëheqësit e mëdhenj xhihadistë“. Grupi u krijua në fillim të viteve 1980 nga fuqia më dominuese shiite në rajon, Irani, për të kundërshtuar Izraelin. Në atë kohë, forcat izraelite kishin pushtuar Libanin jugor gjatë luftës civile të vendit.

Më herët të premten, Hezbollahu tha se kishte nisur sulme në objektet ushtarake në Izraelin verior. IDF tha se 140 raketa ishin hedhur në veri të vendit, ndërsa policia izraelite nxorri ​​paralajmërime për dëmtime në rrugë. Kjo erdhi pasi Izraeli kreu sulme të gjera ajrore në Libanin jugor, duke thënë se avionët e tij luftarakë kishin goditur më shumë se 100 raketahedhës të Hezbollahut dhe “lokacione të tjera terroriste”, duke përfshirë një objekt të ruajtjes së armëve.

Fazë e re e konfliktit të Izraelit me Hezbollahun

Luftimet ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut u përshkallëzuan më 8 tetor 2023 – një ditë pas sulmit të paprecedentë ndaj Izraelit nga persona të armatosur të Hamasit nga Gaza – kur Hezbollahu qëlloi në pozicionet izraelite në solidaritet me palestinezët. Që atëherë qindra njerëz, shumica prej të cilëve luftëtarë të Hezbollahut, janë vrarë në luftimet ndërkufitare, ndërsa dhjetëra mijëra janë zhvendosur gjithashtu në të dy anët e kufirit.

Izraeli kohët e fundit shtoi kthimin e njerëzve të zhvendosur nga veriu i vendit në listën e qëllimeve të luftës dhe Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant tha të enjten se vendi i tij po hyn në një “fazë të re të luftës”, duke përqendruar më shumë përpjekjet e tij në veri. Pas shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit në të gjithë Libanin në fillim të kësaj jave, ka pasur një rritje të shqetësimit në vendin e Lindjes së Mesme. Ishte një shkelje e paprecedentë e sigurisë që tregoi se sa thellë Izraeli kishte arritur të depërtonte në sistemin e komunikimit të grupit. Shumë nga shpërthimet ndodhën njëkohësisht.

Njerëzit duke parë vendin e një sulmi izraelit në periferitë jugore të Bejrutit

Hezbollahu dhe autoritetet libaneze kanë fajësuar Izraelin për shpërthimet. Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar mbi akuzat, por shumica e analistëve pajtohen se pikërisht Izraeli qëndron pas sulmit. Në një fjalim televiziv të enjten, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha: “Armiku i ka kaluar të gjitha rregullat, ligjet dhe vijat e kuqe. Nuk i interesonte asgjë, as moralisht, as humanisht, as juridikisht”.

Nasrallah u zotua për një dënim të ashpër, por tregoi se grupi i tij nuk ishte i interesuar në një përshkallëzim të konfliktit të tij aktual me Izraelin. Ministri i Jashtëm libanez Abdallah Bou Habbib i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten se Izraeli kishte “minuar qëllimisht” përpjekjet diplomatike për një armëpushim në Gaza dhe “të gjitha përpjekjet e qeverisë libaneze për të de-përshkallëzuar dhe për të ushtruar vetëpërmbajtje”.

I dërguari i Izraelit në OKB, Danny Danon tha se ndërsa vendi i tij nuk po kërkon një konflikt më të gjerë, ai “nuk do të lejojë Hezbollahun të vazhdojë provokimin e tij”, shkruan BBC. Shefja e çështjeve politike të OKB-së, Rosemary DiCarlo i tha Këshillit të Sigurimit: “Ne rrezikojmë të shohim një zjarr që mund të zbehë edhe shkatërrimin dhe vuajtjen e dëshmuar deri më tani.” Autoritetet e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të mos udhëtojnë në Liban. Shtëpia e Bardhë tha se ishte e përfshirë në diplomaci intensive për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit përgjatë kufirit Izrael-Liban.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13