
Li Jianhong, një nga biznesmenët më të fuqishëm të turizmit në Kinë ka humbur jetën në Shqipëri teksa ishte në një udhëtim për çështje pune. Lajmi është dhënë nga Shoqata e Turizmit të Rajonit Autonom Ujgur të Xinjiang-ut. Ngjarja është shënuar në aksin Librazhd-Elbasan, pranë Xibrakës. Sipas raportimit të “ChinaDaily”, nga përplasja kanë mbetur të plagosur edhe 6 persona të tjerë. Sipas policisë shoferi 26-vjeçar i automjetit që u përplas me makinën që drejtonte Li, e cila mbante targa kineze, është arrestuar nën akuzën për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Kush ishte Li Jianhong
Emri i Li Jianhong-ut lidhet më një nga kompanitë e resorteve gjigante të skive në “Silkroad Mountain”. 60-vjeçari njihej edhe si drejtues i “Xinjiang Grand Scape Group”. Ai u tërhoq nga “Guangdong Planning and Designing Institute of Telecommunication Co” për të marrë një drejtim tjetër profesional, në atë të ngritjes së bizneseve që pushtuan më pas Kinën në vitin 1993. Asetet totale të “Xinjiang Grand Scape Group” sot arrijnë në 1.4 miliardë juanë (rreth 205 milionë dollarë). “ChinaDaily” shkruan se: “Gjatë tre viteve të fundit, grupi ka regjistruar të ardhura prej 1.98 miliardë juanësh, ka paguar 62.51 milionë juanë taksa dhe punëson rreth 2,500 persona”. Në vitin 2002, grupi ishte një nga themeluesit e “Xinjiang International Grand Bazaar”, që më pas u kthye në simbol i qytetit Urumqi, kryeqyteti rajonal. Nga ky projekt kompania është tërhequr në vitin 2017.

I apasionuar pas skive ai ngriti resortin “Silkroad Mountain” në vitin 2003 i cili shërbeu si një nga vendet e garave për Lojërat e 13-ta Kombëtare Dimërore në vitin 2016. Ai ka ngjitur shtatë majat më të larta në botë dhe duke arritur në Polin e Veriut dhe të Jugut. Ai ishte personi i parë nga Xinjiang dhe i 19-ti nga Kina që e përfundoi këtë sfidë dhe në vitin 2018, në moshën 53-vjeçare, ai arriti majën e Qomolangma (Everest), maja më e lartë në botë me një lartësi prej 8,848.86 metrash. Pak muaj më vonë më 21 korrik 2018, ai arriti majën e K2, mali i dytë më i lartë në botë me 8,611 metra, për vetëm tetë ditë nga kampi bazë.
Aventura e tij sportive vijon në vitin 2019. Vendosi dy rekorde kombëtare të certifikuara nga Shanghai China Records Headquarters: distanca më e gjatë e bërë me ski brenda një dite dhe koha më e shkurtër për të përshkuar 200 km në një ditë, 56 kilometra në 11 orë e 9 minuta në resortin e tij.


