
Artur Zheji u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare pas një arresti kardiak teksa drekonte me familjen në Sarandë. Gazetari e publicisti i njohur Artur Zheji ishte ndër personalitetet më me ndikim ne median shqiptare. Zheji ka zënë vendet kryesore në hapësirat e mediumet e fjalës së lirë duke u bërë protagonist në debate e panele televizive për çështje të ndjeshme që kanë ngjallur interesin e publikut. Artur Zheji ka lindur më 29 gusht 1961 në Tiranë. Ai vinte nga një familje që ka lënë gjurmë në artin e gjuhësinë shqipe, siç ishte babai i tij, studiuesi Petro Zheji dhe e ëma, aktorja Besa Imami. Ambienti intelektual përgatiti më pas një tjetër personalitet si ai i gazetarit Artur Zheji i cili kontribuoi në media, filozofi dhe në politikë.

Regjisura ishte dega në të cilën Artur Zheji u diplomua pranë Institutit të Lartë të Arteve ku më pas iu krijua mundësia për t’u marrë me dramaturgji në Teatrin Kombëtar. Vitet ’90-të shënuan një kthesë domethënëse në jetën e tij pasi u angazhua në median italiane në transmetimet e “Radio Radicale” për t’u rikthyer pas pothuaj 10 vitesh në Tiranë gjatë luftës së Kosovës ndërsa nisi emisionin “Luftë apo paqe në Kosovë”, duke i dhënë një tjetër natyrë të bërit media në Shqipëri.

Zheji njihet edhe për drejtimin e disa prej mediave qendrore si “Radio Televizioni Shqiptar”, “Agjencia Telegrafike Shqiptare”, gazeta “Mapo”, në shkrimet e së cilës u ndie profesionalizmi në ndërtimin e përzgjedhjen e materialeve për botim. “360 Gradë”, ishte emisionin më i famshëm i Zhejit ku janë rrahur mendime e janë zhvilluar debate për tema nga më të ndryshmet me emra që përfaqësojnë grupe dhe qëndrime me kurajo dhe integritet.
Ikja e beftë e Zhejit ngjalli keqardhje te miqtë dhe ata që e kanë njohur. Në mesazhe prekëse ata kanë vlerësuar kolegun, mikun e të afërmin e tyre. Presidenti Bajram Begaj në një mesazh në rrjete sociale shkruan: “Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe komunitetit të medias për ndarjen e papritur nga jeta të Artur Zhejit, një prej zërave më aktivë, më të angazhuar dhe më moderatorë e kontribues në debatin publik në Shqipëri.

Më tej kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet dhe shtoi: “Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin.”

Kreu i opozitës, Sali Berisha pasi shprehu ngushëllimet për një nga intervistuesit e tij, shkruan se bashkohet me lutjet e familjes, miqve e të afërmëve që shpirti i Arturit të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin!

Shkrimtarja e deputetja Flutura Açka ka shkruar një mesazh ngushëllimi për mikun e saj: “Zheji, i thoje. Mjaftonte! Ndër mendjet e fundit brilante të mbrëmjeve, të medias sonë! Artur Zheji, lamtumirë, mik! Po hyn i zbarët shtatori!”

Prezantuesi Ardit Gjebrea shkruan për humbjen e mikut e kolegut Zheji: “Po pse mo Tur…?! Lajmi më i trishtë dhe i paimagjinuar që mund të merrja sot! Miku i mirë me të cilin ndaja orë bisedash me vlerë, gazetari që i dha peshë televizioneve ku punoi, mendimtari këshillues për shumë momente të vështira miqsh, skaneristi politik ekselent… nuk do e kemi më. Një peng mbetet – kafja jonë e lënë këto ditë, pas kthimit nga pushimet… por do ketë një moment tjetër, me siguri do e rikuperojmë. Pra, nuk ka lamtumirë, thjesht mirupafshim!”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka vlerësuar Zhejin si mik të Kosovës dhe veçon: “Fjala e tij nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen,” shkruan Kurti ndërsa ka sjellë ndërmend edhe origjinën e së ëmës, Besa Imamit nga Gjakova.

Vetë Zheji një vit më parë ka publikuar një shkrim me titull “Vdekja, kjo Zonjë madhështore!”, ndër të tjera veçojmë:
“Dhe titullarët e pushtetit trullosen dhe ndjehen Askushi, kur shohin në sytë pa sy Mbretëreshën e Zezë.
Këtë Zonjë madhështore që një ditë vendos Drejtësi Hyjnore, mbi vampirët hipokritë të së përditshmes, ngjeshur dhe fshehur fort mirë, mbas kostumeve dhe kollareve të shtrenjta.
Ata, kinse të vrerosur, parakalojnë kokëulur, në funeral, buzë Zonjës Madhështore, Mbretëreshës së Zezë, me duart me unaza të arta, që ju fshehin paq njollat e gjakut që nuk ju lahen dot.
Ajo qëndron mbi krye të udhëtarit të rradhës për në Botën tjetër dhe i kqyr të gjithë si i kqyr Shqiponja, minjtë brejtës të Vendit tim.
Dhe Mbretëresha, që lodron si fllad në atë log të përzishëm, dëgjon lutjet e tyre të heshtura, që ta shtyjnë sa më shumë takimin me të, të Pakorruptueshmen Absolute!…”

Homazhet në nder të gazetarit e publicistit Artur Zheji do mbahen më 25 gusht nga ora 10:00 deri në 12:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura.


