
Ali Khamenei, i lindur më 19 prill 1939 në Mashhad, Iran, në një familje fetare, u rrit me edukim fetar dhe u interesua herët për çështjet politike dhe shoqërore. Ai ndoqi studimet në seminarin e Mashhadit dhe më pas në Qom, ku u bë student i Ajatollah Hossein-Ali Montazeri. Që në vitet 1960, Khamenei iu bashkua lëvizjes revolucionare të Ruhollah Khomeinit kundër Shahut Mohammad Reza Pahlavi, duke u arrestuar disa herë për aktivitetet e tij kundër regjimit dhe duke kaluar periudha të gjata internimi. Sipas “The Guardian” më 12 janar 1979, një muaj para Revolucionit Islamik, ai u emërua anëtar i Këshillit Revolucionar, duke nisur rolin e tij me ndikim në qeverinë e re të Iranit. Pas atentatit ndaj Presidentit Mohammad-Ali Rajai në gusht 1981, Khamenei u zgjodh president i Iranit dhe shërbeu dy mandate deri në vitin 1989. Gjatë kësaj periudhe, ai mbijetoi edhe disa atentate, përfshirë shpërthimin e një bombe në xhami që i dëmtroi përgjithmonë dorën e djathtë. Në qershor 1989, pas vdekjes së Khomeinit, sipas një raportimi të “The Guardian” Asambleja e Ekspertëve e zgjodhi Khamenein si Udhëheqës Suprem të Iranit, duke hequr pengesat kushtetuese për t’u bërë lider i përhershëm.

Gjatë më shumë se tre dekadave, ai centralizoi pushtetin, duke e bërë ekzekutivin, legjislativin dhe institucionet me mandat popullor më pak ndikues, ndërsa forcat e sigurisë dhe Gardën Revolucionare Islamike e bënë pjesë të pazëvendësueshme të qeverisjes.
Nën sundimin e tij, Irani ndoqi një politikë të jashtme konfrontuese me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, duke mbështetur aleatë rajonalë si Hezbollahu në Liban dhe grupe të armatosura në Irak dhe Jemen, pjesë e asaj që u quajt “Boshti i Rezistencës”. Brenda vendit, ai shtypi çdo formë opozite, kufizoi lirinë e shprehjes dhe mbylli rrugët për reforma politike, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe popullore, përfshirë valë të mëdha protestash në vitet 2009, 2022 dhe në fund të vitit 2025.

Ali Khamenei vdiq më 28 shkurt 2026 në moshën 86-vjeçare gjatë sulmeve ajrore të koordinuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në Teheran. Ai u godit gjatë një operacioni që synonte udhëheqësit kryesorë të Iranit, duke shkaktuar vdekjen e tij dhe, sipas raportimeve të “The Guardian”, edhe të vajzës së tij të dytë. Vdekja e tij shënoi përfundimin e një sundimi pothuajse katër dekadash, gjatë të cilit Khamenei mbajti pushtetin suprem politik, ushtarak dhe ideologjik në vend.
Reagimet ndaj vdekjes së tij ishin të përziera. Disa iranianë shprehën lehtësim për largimin e një figure që mbikëqyrte ngushtësisht jetën politike dhe liritë individuale, duke e parë këtë si mundësi për ndryshime të ardhshme politike dhe sociale. Një pjesë e qytetarëve dhe protestuesve që kishin sfiduar regjimin gjatë dekadave, veçanërisht gjatë valëve të mëdha të demonstratave, e panë vdekjen e tij si një shenjë shprese për reforma dhe hapje. Ata madje organizuan edhe festime pas lajmit për vdekjen e Ali Khameneit.

Përpara Portës Brandenburg në Berlin, Gjermani, 1 mars 2026.


