
Në një garë të ashpër katërpalëshe që tërhoqi vëmendjen kombëtare, Zohran Mamdani, përfaqësues i Asamblesë Shtetërore të New York-ut dhe anëtar i krahut të progresist të Partisë Demokrate, arriti të fitojë postin e kryebashkiakut të qytetit më të madh amerikan. Përballë tij qëndruan figura të njohura si ish-guvernatori Andrew Cuomo (i pavarur), ish-kryebashkiaku Eric Adams dhe republikani Curtis Sliwa. Sipas “The Guardian”, fushata e Mamdanit “shënoi një kthesë të dukshme në politikën urbane të SHBA-së, ku idealet e barazisë dhe transparencës triumfuan mbi makinerinë tradicionale partiake.”

Bir i emigrantëve nga India dhe Uganda, Mamdani është bërë një simbol i politikës progresiste amerikane. Që prej zgjedhjes në Asamblenë e Shtetit, ai është dalluar për qëndrimet e tij kundër interesave të korporatave dhe për mbrojtjen e të drejtave të banorëve me të ardhura të ulëta. Ai ka refuzuar çdo donacion nga zhvilluesit e pasurive të paluajtshme dhe nga komitetet e veçanta të interesit (PAC), duke ruajtur një imazh të pastër dhe të pavarur.
Në një analizë nga “Associated Press” (AP) për të thuhet se “popullariteti i Mamdanit nuk u ndërtua mbi premtime të mëdha, por mbi një ndjenjë të sinqertë besimi që ai ka krijuar me qytetarët, një besim i rrallë në politikën e sotme amerikane.”
Mamdani është pjesë e organizatës Democratic Socialists of America (DSA) dhe shpesh ka sfiduar stabilitetin politik të qytetit. Qëndrimet e tij për çështjet ndërkombëtare, veçanërisht për konfliktin Izrael-Palestinë, e kanë bërë figurë të debatueshme, por edhe të admiruar për guximin me të cilin mbron bindjet e tij. Ai ka deklaruar se, si kryebashkiak do të mbetet besnik ndaj parimeve të ligjit ndërkombëtar dhe drejtësisë, pavarësisht presioneve politike.
Në kontrast me shumë politikanë të tjerë të New York-ut, Mamdani jeton si një banorë i thjeshtë, ai banon në një apartament me qira në Astoria, Queens dhe përdor transportin publik. Nuk zotëron prona apo investime të mëdha. “The Guardian” shkruan se “stili i tij modest i jetesës është pjesë e autenticitetit që e bën të besueshëm për votuesit. Një politikan që jeton si qytetarët që përfaqëson.”
Mamdani është i njohur për thjeshtësinë, përkushtimin ndaj punës publike dhe mënyrën me të cilën e përzien idealizmin me pragmatizmin politik. Përkrahësit e tij e përshkruajnë si “njeri të njerëzve”, dikë që e njeh realitetin urban jo nga zyra, por nga rrugët e qytetit.
Një kryebashkiak që sfidon status quo-në. Fitorja e Zohran Mamdanit shënon një moment historik për New York-un. Ai është kryebashkiaku i parë mysliman në historinë e qytetit, si dhe i pari me prejardhje indiano-ugandeze, duke përfaqësuar një brez të ri liderësh që synojnë të rindërtojnë besimin midis politikës dhe qytetarëve.
Siç vëren “Associated Press”, “Mamdani përfaqëson një brez që nuk kërkon pushtet për ta trashëguar, por për ta ndryshuar.” Nëse do t’ia dalë të shndërrojë idealet e qytetit, kjo mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt, Zohran Mamdani ka ndryshuar mënyrën se si flitet për politikën në New York duke e kthyer atë nga një arenë pushteti, në një mjet shprese.


