
SPAK-u ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t. Hyseni është në krye të institucionit që ruan të dhënat më sensitive të shtetit që prej vitit 2023, ndërsa më herët ka shërbyer edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, si zëvendësdrejtoreshë. Vlora Hyseni aktualisht ndodhet në Baku në takim me 81 krerë të shërbimeve informative.

Vlora Hyseni më parë ka mbajtur pozicionin e zëvendësdrejtores së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, si dhe të drejtores së këtij institucioni për katër muaj me radhë, gjatë periudhës që mbeti pa drejtor. Ajo u emërua nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit 2020, kur u shkarkua drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, ku në këtë karrige e zëvendësoi Petrit Ajeti.
Më 30 qershor të vitit 2021, i sapozgjedhur si kryeministër Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani lajmëruan me një njoftim të beftë shkarkimin e Vlora Hysenit. Në njoftim asokohe thuhej se ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Presidenca dhe ZKM-ja shpjeguan se e kishin paralajmëruar Hysenin se mosruajtja e informacioneve që ajo posedonte nga puna në AKI, do të mund t’i kushtonte asaj, gjë që si duket ajo nuk e kishte marrë në konsideratë.
Vlora Hyseni njihet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, por nuk u bë me dije se cilat kanë qenë informacionet e klasifikuara që ajo nuk i ka ruajtur dhe i ka ndarë me ‘armiqtë’ e Kosovës, duke qenë se sipas mediave të Kosovës përshkruhet si njeriu i Hashim Thaçit dhe ‘mbuluese’ e çdo marrëdhënieje që lidh Kosovën me Serbinë.

Pas shkarkimit nga detyra në Kosovë u rekrutua nga Edi Rama, fillimisht si këshilltare e tij në Kryeministri. Më pas “besnikëria” e saj u shpërblye, duke u vënë në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.


