Gazetarja italiane Stefania Battistini është shpallur në kërkim nga Rusia. Autoritetet ruse e akuzojnë korrespondenten e “RAI”-it se ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin rus, e shoqëruar nga ushtarë të Ukrainës, për të raportuar lajme gjatë një ofensive të ndërmarrë nga Ukraina në qytetin e e Kurskit.

Battistini nuk është e vetmja, pasi edhe gazetarë të tjerë perëndimorë po kërkohen me po të njëjtën akuzë nga Rusia. Shërbimet e brendshme të inteligjencës ruse kanë nisur procedime penale kundër Battistinit dhe operatorit të saj, Simone Traini, si dhe kundër disa korrespondentëve të tjerë të huaj si: Simon Connolly i “Deutsche Welle”-s, Nick Walsh i “CNN”-it si dhe gazetarëve ukrainas Natalia Nagornaya, Diana Butsko dhe Olesya Borovik. Agjencia e lajmeve ruse “Tass” thotë se hyrja e paligjshme në Rusi dënohet deri në 5 vjet burg.

Ky zhvillim ka sjellë një sërë reagimesh dhe kritikash nga organizatat në Perëndim, të cilat dënojnë vendimin e Rusisë.

Kush është Stefania Battistini?

Stefania Battistini ka lindur në Milano më 16 Prill 1977. Media italiane “Il Messaggero” shkruan se para se të niste karrierën e saj si gazetare, Battistini ka studiuar dhe është diplomuar për Shkencat e Komunikimit. Ajo iu bashkua rrjetit televiziv “Rai” në vitin 2004 dhe aktualisht është një korrespondente speciale për “Tg1”. Që nga 10 shkurti i vitit 2022, dy javë para pushtimit rus, ajo ka ndjekur ngjarjet që kanë të bëjnë me agresionin ndaj Ukrainës. Për raportimet e saj nga lufta, ajo ka marrë disa çmime dhe vlerësime, duke përfshirë këtu dhe Urdhrin e nderit të Princeshës Olga nga Presidenca e Republikës së Ukrainës.

Përveç luftës në Ukrainë, Battistini ka raportuar edhe mbi luftimet në Irak, në Kurdistanin sirian dhe së fundmi në Nagorno Karabahk. Ajo ishte gjithashtu në terren gjatë pandemisë së shkaktuar nga Covid19 dhe krijoi transmetime të fokusuara në çështjet sociale, veçanërisht ato që lidhen me barazinë gjinore. Por kur bëhet fjalë për jetën e saj private Battistini është shumë e rezervuar. Pak dihet për të, as nëse është e martuar apo ka fëmijë. Në mediat italiane megjithatë thuhet se ajo është e apasionuar pas gatimit dhe i pëlqen ta kalojë kohën e lirë jashtë në shoqërinë e miqve të saj më të ngushtë. Përpos kësaj, në rrjetet e saj sociale vihet re dashuria që gazetarja ka për kafshët, në veçanti macet dhe qentë.

Raportimi që tërboi Moskën

“Ne hymë në zonën e Kurskut të shoqëruar nga mjete të blinduara të ushtrisë ukrainase. Ne e bëmë këtë në përputhje me rregulloret ndërkombëtare. Ishte e drejtë të raportohej për këtë aspekt të luftës në Ukrainë.”- deklaroi vetë më 17 gusht Stefania Battistini. Dy punonjësit e “RAI”-it ishin të parët në botë që vizituan territoret ku Ukraina kishte avancuar në Rusi.

Kështu lindi raporti që solli reagimin e Moskës. “Kemi kaluar kufirin rus me një makinë të drejtuar nga një ushtar, së bashku me kolegun Traini.”-rrëfente Battistini. “Ne arritëm në pozicionet e pushtuara nga brigada ukrainase, e cila na çoi me një automjet të blinduar për të arritur në qytetin e parë të pushtuar nga avancimi ukrainas. Ne dokumentuam shenjat e luftimeve pranë ndërtesave administrative dhe qendrave të energjisë, bashkisë së qytetit të shkatërruar plotësisht, ku kishte ende një trup në tokë dhe ndërtesat e dëmtuara aty pranë”. Pak më pas, nga e njëjta zonë, raportoi edhe reporteri i CNN-it, Nick Peyton Walsh nga territori i pikës së kontrollit rus në Sudzha, ku ishin të pranishëm edhe “New York Times” dhe televizioni ukrainas.

“Ne e kemi ndjekur këtë konflikt që 10 ditë para agresionit rus dhe të mërkurën menduam se ishte e drejtë t’ju tregojmë edhe këtë pjesë të luftës.”- tregon gazetarja. “Në luftë, tregimi është gjithmonë i pjesshëm; ne mund t’ju tregojmë vetëm atë që na lejohet të shohim dhe dokumentojmë. Na dukej e rëndësishme të ishim atje dhe të raportonim për atë pjesë të realitetit.”

Por ndryshe nga sa Rusia pretendon, ajo thotë se gjatë raportit janë respektuar të gjitha rregulloret ndërkombëtare, duke filluar nga neni 4 i Konventës së Gjenevës, i cili mbron gazetarët që ndjekin ushtritë në zonat e konfliktit: “Ishim qartësisht të dukshëm dhe të identifikueshëm me shenjën e shtypit, të dallueshëm nga ushtria.”

Ministri i jashtëm italian Antonio Tajani thirri të premten ambasadorin rus në Romë për t’i shprehur habinë por dhe kundërshtimet mbi vendimin e Rusisë, për ta future gazetarët në listën e ‘kriminelëve të kërkuar”. “Kam thirrur ambasadorin e Federatës Ruse në Itali për të shprehur habinë tonë për vendimin e pazakontë të Moskës për të përfshirë gazetaren Battistini në listën e të kërkuarve të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme ruse.”– Kështu ka bërë të ditur në rrjetet sociale ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

Operatori Simone Traini

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka dënuar vendimn e autoriteteve ruse për të hapur një çështje penale kundër gazetares italiane Stefania Battistini dhe operatorit Simone Traini për kalim të paligjshëm të kufirit nga Ukraina në Rusi. “Përpjekja për të nxjerrë në gjyq gazetarët italianë Stefania Battistini dhe Simone Traini duket se është një përpjekje e dëshpëruar nga autoritetet ruse për të frikësuar dhe heshtur gazetarët ndërkombëtarë që mbulojnë luftën ruso-ukrainase.”- tha Gulnoza Said, Koordinatorja e Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore të CPJ-së, në Nju Jork. Ajo shtoi se zyrtarët rusë duhet të ndalojnë ngacmimet e tyre ndaj gazetarëve dhe të respektojnë rolin thelbësor të shtypit në zonat e konfliktit.

LËR NJË KOMENT

Ilse Aigner lindi më 7 dhjetor 1964 në Feldkirchen-Westerham. Në vitin 1981, përfundoi arsimin e mesëm të ulët (Mittlere Reife) në shkollën Wilhelm-Leibl-Realschule në Bad Aibling. Pas përfundimit të formimit...
/ Nov 9
Nga Isa Myzyraj Sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian u tregua qartë se përtej vullnetit politik në Tiranë e Bruksel rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e vështirë....
/ Nov 10
Tashmë që nuk ka më diskutim që të gjithë po e përdorim Inteligjencën Artificiale, pyetja që lind është: a dimë realisht ta përdorim dhe si po e bëjmë? Inxhinieri i...
/ Oct 28
“Ka ardhur koha për luftë civile, të marrim gjithë armatimet e rënda kundër kësaj policie, granata gjithçka kemi, o burra.”Kjo deklaratë është transmetuar në një ekran televiziv shqiptar. Nuk është...
/ Nov 10