
Financieri Scott Bessent është i zgjedhuri i Donald Trumpit si Sekretar i Thesarit dhe nëse konfirmohet nga Senati, ai do të jetë i pari person me prirje homoseksuale që do të mbajë këtë post. Bessent është një ish-mbështetës i demokratëve, por dhe një mbështetës entuziast i Trumpit.
Miliarderi nga Karolina e Jugut më parë ka punuar për George Sorosin dhe ka bërë shumë herë donacione për kauzat dhe fushatat e demokratëve. Associated Press shkruan se përpara se të bëhej donator dhe këshilltar i Trumpit, Bessent kishte dhuruar për kauza demokrate në fillim të viteve 2000, veçanërisht për kandidimin presidencial të Al Gore.
Bessent pati një rol të rëndësishëm në operacionet e investimeve të George Sorosit në Londër, duke përfshirë këtu dhe bastin e tij të famshëm të vitit 1992 kundër paundit, i cili gjeneroi fitime të mëdha në të Mërkurën e Zezë, kur paundi u shkëput nga monedhat evropiane.


Kush është Scott Bessent?
Scott K. H. Bessent ka lindur në Conway të Karolinës së Jugut. Nëna e tij është Barbara (McLeod) dhe babai Homer Gaston Bessent Jr, një agjent imobiliar. Bessent studioi për shkenca politike në Universitetin e Yale-it, ku u diplomua në vitin 1984. Në kohën që ishte në kolegj, ai u bë redaktor për “The Yale Daily News”.
Puna me George Sorosin
Pjesën më të madhe të jetës së tij, Bessent e ka kaluar në financë, duke punuar për miliarderin e investimeve makro George Soros dhe biznesmenin Jim Chanos. Nga viti 2011 deri në 2015, Bessent ishte kreu i investimeve në “Soros Fund Management”, ku drejtoi strategjinë globale të investimeve me një portofol prej miliarda dollarësh. Ai luajti një rol kyç në ruajtjen e performancës së lartë të fondit dhe në adaptimin e tij ndaj ndryshimeve ekonomike globale. Pas largimit nga “Soros Fund Management”, ai krijoi fondin e tij mbrojtës “Key Square Group”, të cilin Sorosi e mbështeti me një investim fillestar prej 2 miliardë dollarësh.


Lidhja e tij me Trumpin
Bessent ka thënë se e njeh familjen e Trumpit prej 30 vitesh përmes miqësisë që ka patur me vëllain e ndjerë të Donald Trumpit, Robertin. Reuters shkruan se Bessent e ka mbështetur kandidimin presidencial të Trumpit në vitin 2016, por gjatë këtij cikli zgjedhor punoi si këshilltar i lartë ekonomik i fushatës, përveçse ishte një grumbullues i madh fondesh.
“Isha i gjithi për Presidentin Trump. Unë isha një nga njerëzit e paktë të Wall Street që e mbështeti atë.”-tha Bessent në një intervistë gjatë fundjavës.

Nominimi i 62-vjeçarit të premten në mbrëmje nisi një seri emërimesh në Shtëpinë e Bardhë që e lë ekipin kryesor të Trumpit pothuajse të kompletuar përpara kthimit të tij në presidencë në janar. Bessent vuri një bast të madh për fitoren e Trumpit kur ky i fundit vendosi të rikandidonte, pasi vuri re atë që ai e quajti një anomali në treg – se analistët politikë dhe të tregut ishin shumë negativë për atë që do të thoshte një fitore e Trumpit. Rritja e tregut pas fitores së Trumpit, sipas tij sinjalizoi pritshmëritë e investitorëve për “rritje më të lartë, paqëndrueshmëri më të ulët dhe inflacion, dhe një ekonomi të rigjallëruar për të gjithë amerikanët”. Ai është një mbështetës i kontrollit të ashpër të deficitit dhe ka thënë se do të punojë për të ulur borxhin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
“Unë mendoj se ky borxh dhe deficit do të jetë çështja e madhe e ditës. Unë mendoj se amerikanët janë të shqetësuar për këtë.”- pati deklaruar ai përpara zgjedhjeve. Ai argumenton se çmimet e konsumit mund të ulen “duke filluar me një program reduktimi të deficitit”.
Jeta personale
Bessent është i martuar me John Freeman, një ish-prokuror dhe kanë dy fëmijë të lindur përmes surrogacisë. Nëse konfirmohet, Bessent do të ishte sekretari i parë homoseksual i Thesarit. Martesa e tyre tregon përparim në të drejtat e LGBTQ+. Siç shkruan headlinestoday, në një intervistë të vitit 2015, Bessent foli për mënyrën se si qëndrimet kanë ndryshuar që nga koha e tyre në universitet në vitet 1980, gjatë krizës së SIDA-s. Ai u shpreh se po t’i thoje se ata mund të martoheshin ligjërisht dhe të rritnin fëmijë asokohe, nuk do ta besonte pasi ky do t’i dukej një realitet i pamundur.




