

Lojërat Olimpike “Paris 2024” kanë qenë në qendër të vëmendjes këtë verë, më së shumti për shkak të kritikave që ka patur ky organizim, duke nisur që nga hapja e ceremonisë dhe deri tek ankesat për kushte jo të mira për atletët, apo dhe kritika ndaj lojtarëve. Ndonëse për disa prej këtyre nuk mbante përgjegjësi, përveçse për ceremoninë e hapjes, sulmet më të mëdha i mori pikërisht drejtuesi artistik Thomas Jolly, i cili mbajti në këmbë organizimin e këtyre Lojërave.
Ndonëse “Paris 2024” përfundoi të dielën e 11 Gushtit, ende po diskutohen hetimet që nisën për gjuhën e urrejtes, pas një ankese në polici nga drejtori artistik i ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike, Thomas Jolly, i cili thotë se ka marrë deri në kërcënime me vdekje. Këto kërcënime erdhën pasi Jolly ishte përgjegjës për ceremoninë e hapjes që solli mjaft diskutime për shkak se u duk si një parodi provokuese e “Darkës së Fundit” të Leonardo da Vinçit, që tregon Jezu Krishtin dhe apostujt e tij. Jolly u akuzua se ishte frymëzuar pikërisht nga kjo pikturë e Da Vinçit, dhe e kishte përdorur për t’u tallur me piktorin dhe me besimin e krishterë. Të dyja këto akuza Jolly i ka mohuar vazhdimisht.

Pakënaqësitë ishin të tilla që u përfshinë dhe lidera vendesh. Madje presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan shprehu indinjatën e tij gjatë një bisede telefonike me Papën. Ish-presidenti amerikan Donald Trump e quajti ceremoninë një “turp”, gjithashtu dhe konservatorët e Hollivudit, si Rob Schneider dhe Candace Cameron Bure e kritikuan zgjedhjen e Jollyt për hapjen e ceremonies. Madje Schneider deklaroi se do të bojkotonte pjesën tjetër të lojërave si kundërpërgjigje. Miliarderi Elon Musk është një tjetër personazh që ka reaguar, duke e quajtur skenën si mungesë respekti për të krishterët. Po ashtu dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson i cili tha se skena ishte “tronditëse dhe fyese për njerëzit e krishterë në mbarë botën”.
Sic shkruan AP, të gjitha këto akuza, bënë që drejtori artistik t’i drejtohej Prokurorisë së Parisit duke paraqitur një ankesë në polici të martën e datës 6 Gusht, katër ditë pas ceremonisë së hapjes, për kërcënime me vdekje, fyerje publike dhe shpifje. Vetë drejtori artistik deklaroi se është vënë në qendër të mesazheve kërcënuese dhe fyerjeve në rrjetet sociale, të cilat fillimisht kanë kritikuar orientimin e tij seksual dhe origjinën e tij izraelite.
A e mbështeti njeri Thomas Jollyn?
Ashtu sikurse u kritikua shumë, Thomas Jolly pati po aq edhe një mbështetje të madhe, ku mes atyre që i dolën në krah përmendim presidentin e Francës, Emmanuel Macron. “Jam i indinjuar dhe i trishtuar. Asgjë nuk justifikon kërcënimet ndaj një artisti”-tha Macron. “Francezët ishin shumë krenarë për ceremoninë e hapjes që prezantoi historinë e Francës, shpirtin e saj aventuresk, guximin e saj dhe e gjitha u bë me lirinë artistike, e cila është shumë e rëndësishme për ne”- shtoi ai.
Edhe kyetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo doli gjithashtu në mbështetje ndaj drejtorit artistik. “Jolly i mbajti vlerat tona të larta. Ishte një krenari dhe një nder për Parisin që mund të mbështetej në talentin e tij për t’i treguar botës se kush jemi ne”- tha ajo gjatë një deklarate.

Lajme se Thomas Jolly u godit nga rrufeja
Përpos këtyre, Jolly u detyrua të përballej dhe me lajme të rreme. Ndër to ishte një lajm që qarkulloi në shumë media ndërkombëtare, ku thuhej se artisti që qëndron pas ceremonisë kontroverse, ishte goditur nga rrufeja. Ky lajm vazhdon të bëjë bujë në rrjetet sociale, me titujt si: “Artisti që krijoi ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike dhe tallte Zotin u shtrua në spital pas një rrufeje të frikshme”.
Kjo nisi kur një përdorues i TikTok-ut, pretendoi se kishte gjetur një lajm nga Associated Press News dhe publikoi një fotomontazh që dukej si një artikull i medias prestigjioze. Por jo, lajmi i vërtetë që AP kishte publikuar, ishte ai për ankesën e Jollyt në polici. Pas kësaj, agjencia e lajmeve Associated Press News u detyrua të deklaronte se ky artikull nuk ekziston në faqen e tyre të internetit.

Jeta e Thomas Jollyt nuk janë vetëm Lojërat Olimpike
Thomas Jolly është një aktor queer, komedian dhe regjisor teatri me një eksperiencë të gjatë në këtë fushë. Ai u rrit në një fshat të vogël në Normandi, por tani jeton në Paris me partnerin e tij, i cili gjithashtu quhet Thomas. Në një intervistë për “British Vogue” ai tha se të dy sëbashku janë “Thomasi në katror”. Jolly u rrit në Normandi të Francës, ai ishte djali i një printeri dhe një infermiereje. Ndonëse nuk vinte nga një familje artistësh, që në moshë të re, ai shfaqi një prirje për shfaqjet teatrale. Times Now shkruan se ai filloi aktrimin në vitin 1993 në Rouen të Normandisë kur iu bashkua kompanisë së teatrit për fëmijë, Théâtre d’enfants, me regji të Nathalie Barrabé. Jolly përfundoi studimet në shkollën Kombëtare Franceze të Teatrit, ku pas mbarimit të studimeve ai themeloi kompaninë e tij teatrore, La Piccola Familia.
Që nga viti 2011, Thomas Jolly ka punuar si mësues në disa shkolla kombëtare. Por ai gjithashtu njihet për një sërë projektesh në Francë, mes të cilave për prodhimin e dramave shekspiriane të vitit 2022. Ai ka fituar tre çmime Molière, që është çmimi më i lartë i teatrit në Francë.



