Pavel Durov, themeluesi dhe CEO-ja i aplikacionit të mesazheve “Telegram” është arrestuar të shtunën në aeroportin e Bourget në Francë. Arrestimi i tij vjen pas një urdhër-arresti të autoriteteve franceze mbi akuzat se mungesa e moderatorëve në “Telegram” ka lehtësuar veprimtaritë e paligjshme, duke përfshirë këtu pastrimin e parave, trafikun e drogës, ndarjen e përmbajtjeve pedofilike, bullizmin kibernetik, krimin e organizuar dhe promovimin e terrorizmit.

“Mjaft me mosndëshkimin e Telegramit.”– citohet të ketë thënë një nga hetuesit nga gazeta franceze Le Monde, duke shtuar se ata ishin të befasuar që Durov erdhi në Paris duke e ditur se ai ishte një njeri i kërkuar. Ministria e Jashtme e Rusisë ndërkohë tha se po ndërmerrte hapa për të “sqaruar” situatën dhe vuri në dyshim nëse organizatat joqeveritare perëndimore (OJQ) do të kërkonin lirimin e tij.

Kush është Pavel Dudov

Pavel Durov lindi më 10 tetor 1984, në Leningrad (tani Shën Petersburg), Rusi. Pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në Torino të Italisë, ku jetonte dhe punonte i ati. Durovi u diplomua në Departamentin e Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Shën Petersburgut në vitin 2006. Gjyshi i tij, Semyon Petrovich Tulyakov, luftoi në Luftën e Dytë Botërore dhe kishte marrë disa dekorata dhe vlerësime ushtarake. Ndërsa babai i tij, Valery Semenovich Durov, është doktor i Shkencave Filologjike dhe një akademik i njohur. Ama nga ana e nënës, Durovi ka trashëgimi ukrainase.

Sic shkruan The Economic Times, në vitin 2006, Durov bashkëthemeloi platformën e mediave sociale “VKontakte” (VK) me Ilya Perekopsky, i frymëzuar nga suksesi i “Facebook”-ut. “VK” u rrit në një vlerë prej 3 miliardë dollarësh nën udhëheqjen e Durovit. Mirëpo në vitin 2011, ai u përball me një përplasje me policinë pas kërkesave për të hequr faqet e politikanëve të opozitës nga rrjeti social. Një vit më vonë, Durovi kundërshtoi publikisht përpjekjet e “Mail.ru Group” për të blerë platformën dhe ia shiti 12% të aksioneve të tij Ivan Tavrinit në dhjetor të vitit 2013. Durovi njoftoi dorëheqjen e tij si CEO i VK-së më 1 prill 2014, fillimisht besohej se kjo kishte lidhje me Luftën e Ukrainës. Por më pas, me 3 Prill ai sqaroi se ishte një “shaka e 1 prillit”. Durovi refuzoi të dorëzonte të dhënat personale të protestuesve ukrainas tek agjencitë ruse të sigurisë dhe të bllokonte faqen e Alexei Navalny në “VK”. Ai u shkarkua si CEO i VK-së më 21 prill 2014. Durov pretendoi se “VK” u mor në mënyrë efektive nga aleatët e Vladimir Putin dhe u largua nga Rusia.

“Nuk marr urdhra nga askush”

Me largimin e tij nga Rusia, Durov kishte theksuar se ai zgjidhte lirinë në vend të jetesës në kombin e tij. “Më mirë të jem i lirë sesa të marr urdhra nga dikush.”- i tha Durovi gazetarit amerikan Tucker Carlson për largimin e tij nga Rusia. Në të njëjtën intervistë, Durovi tha se, përveç parave apo Bitcoinit, ai nuk kishte asnjë pronë të madhe si pasuri të paluajtshme, avionë apo jahte, pasi donte të ishte i lirë.

Durov është sot 39 vjeç, është themelues dhe pronar i “Telegram”-it, një aplikacion i lirë i mesazheve që konkurron me platformat kryesore si “WhatsApp”, “Instagram”, “TikTok” dhe platforma kineze “WeChat”. Aplikacioni synon të kapërcejë një miliard përdorues aktivë mujorë brenda vitit të ardhshëm.

“Telegrami” e kishte selinë në Berlin dhe më vonë u zhvendos në Dubai. Durovi krijoi kriptomonedhën “Gram” dhe platformën “TON” në vitin 2018 për të fituar para nga suksesi i “Telegram”-it. Ai mblodhi një total prej 1.7 miliardë dollarësh nga investitorët, por u përball me sfida ligjore nga rregullatori amerikan SEC.

Në vitin 2018, “Telegram” u përball me një bllokim në Rusi për shkak se kishte refuzuar t’i jepte shërbimeve të sigurisë shtetërore akses në mesazhet e koduara, gjë që çoi në protesta dhe kritika. Blloku u hoq në vitin 2020 pasi “Telegram” ra dakord për “kundër terrorizmit dhe ekstremizmit” në platformë.

Durov është vlerësuar me një sërë çmimesh për arritjet e tij. Ai u emërua si lideri më premtues i Evropës Veriore nën 30 vjeç në gusht të vitit 2014 dhe u zgjodh për t’iu bashkuar WEF Young Global Leaders, që përfaqëson Finlandën, në 2017. Ai gjithashtu u shpërblye nga Unioni i Gazetarëve të Kazakistanit për qëndrimin e tij kundër censurës në vitin 2018 dhe u përfshi në listën “40 nën 40” të revistës Fortune në të njëjtin vit.

Durovi është i njohur për pikëpamjet e tij liridashëse dhe promovon lirinë nga pasuritë personale dhe një mënyrë jetese asketike. Ai dhuroi një milion dollarë për Fondacionin Wikimedia në ditëlindjen e tij të njëzet e shtatë në vitin 2011 dhe botoi manifeste libertariane që përshkruanin idetë e tij për përmirësimin e Rusisë në vitin 2012. Ai shpesh është quajtur si “Mark Zuckerbergu i Rusisë”.

Ngritja dhe rënia e themeluesit të Telegram

Pasuria neto e Pavel Durovit vlerësohet në 15.5 miliardë dollarë nga revista Forbes. Por kontrolli i shtuar i autoriteteve evropiane mbi Telegramin e ka çuar atë drejt këtij fati të dukshëm të paraburgimit. Popullariteti në rritje i platformës ka çuar në rritjen e kontrollit nga disa vende evropiane, përfshirë Francën, mbi shqetësimet e sigurisë dhe shkeljes së të dhënave.

Moscow Times raportoi se urdhër-arresti i Francës për Durovin përfshin akuza për bashkëpunim në trafik droge, krime kundër fëmijëve dhe mashtrim për shkak të çështjeve të moderimit në “Telegram” dhe mungesës së supozuar të bashkëpunimit me forcat e zbatimit të ligjit.

Telegrami ka ndikim të rëndësishëm në Rusi, në Ukrainë dhe në ish-republika të tjera sovjetike. Ai është bërë një burim vendimtar informacioni për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe përdoret gjerësisht nga zyrtarët si nga Moska ashtu edhe nga Kievi. Analistët e përshkruajnë Telegramin si “një fushë beteje virtuale” në konfliktin e vazhdueshëm mes dy vendeve.

I pamartuar, por me mbi 100 fëmijë biologjikë

Shpesh herë në media, Durovi thuhet se ka mbi 100 fëmijë biologjikë të cilët kanë ardhur në jetë nëpërmjet dhurimit të spermës në 12 vende të ndryshme të botës. “Sapo më thanë se kam mbi 100 fëmijë biologjikë. Si është e mundur kjo për një djalë që nuk është martuar kurrë dhe preferon të jetojë vetëm?”– tha Durov në një postim.

Ai shpjegoi se shumë vite më parë, një mik iu afrua me një kërkesë të pazakontë. “Ai dhe gruaja e tij nuk mund të kishin fëmijë për shkak të një problemi të fertilitetit dhe më kërkuan të dhuroja spermë në një klinikë që ata të kishin një fëmijë. Kam qeshur para se të kuptoja se ai ishte serioz.”– ka rrëfyer Durov. Ai ka treguar se pas kësaj ka vendosur të bëjë të njëjtën gjë për të tjerë çifte të pafat. Ai konsideron se mungesa e spermës së shëndetshme është një çështje serioze në mbarë botën dhe ndihet krenar që ka ndihmuar në shtimin e popullsisë.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11