
Artisti suedez Niklas Elmehed nuk është një personazh i famshëm, të paktën jo në nivelin e skicave të tij të cilat qarkullojnë çdo vit në të gjithë botën, sa herë që jepet një çmim i ri “Nobel”. Po, Elmehedi është piktori i cili vizaton portretet e fituesve të çmimeve “Nobel”, të cilat shihen dhe shpërndahen nga miliona njerëz dhe kanale mediatike në mbarë botën.
Komiteti i Nobelit shpërndau një ditë më parë një fotografi të Elmehedit, për të kujtuar publikun se ai është artisti që qëndron pas portreteve të famshme. Njëherë e pyetën se sa kohë i japin për të vizatuar portretet kur do të shpallet një çmim, por ai u përgjigj “Fatkeqësisht, nuk mund t’ju them këtë, është konfidenciale!” Me çmimet Nobel, nuk është vetëm koha që ka rëndësi, është edhe konfidencialiteti. Edhe pse Elmehed nuk lejohet të zbulojë se sa shpejt ka akses në emrat e fituesve, ai konfirmoi se i duhen vetëm disa orë për të përfunduar çdo portret të tyre. Madje ai e krahason vizatimin e fituesve me një maratonë apo gara të tjera sportive.

“Unë jam shumë i shpejtë, kështu që janë disa orë për çdo portret. Ka shumë përgatitje më parë – është si një ngjarje sportive: duhet të stërvitesh për javë, madje edhe vite, pastaj të shkosh në garë dhe të përfundosh në një kohë shumë të shkurtër.“-thotë Elmehedi, i cili i ka bërë këto portrete që nga viti 2012.
Në murin pas Elmehedit janë rreshtuar një sërë portretesh të fituesve të mëparshëm. Për të shpjeguar procesin artistik, Elmehedi sjell portretet më të fundit dhe i mban pranë kamerës. “Unë përdor një ngjyrë vinili të zezë opake të aplikuar me furça të holla për të bërë linjat super të holla, si në pikturim normal. Por ngjyra e artë është paksa e veçantë. Unë përdor një fletë metalike, të cilën mund ta shihni të shkëlqejë, të montuar në një ngjitës të veçantë që është plotësisht transparent. Ndonjëherë, kur jam me nxitim, përdor një pajisje ngrohëse për të shpejtuar procesin e tharjes.”



Si lindi nevoja për të vizatuar fituesit e “Nobelit”?
Publikimi i portreteve të tij u bë një ritual i përvitshëm për shkak se ishte shumë sfiduese të gjeje foto cilësore të laureatëve të shkencës. “Shumë prej laureatëve të shkencës janë shumë të vështirë për t’u gjetur fotografitë”, shpjegoi Elhemed në një intervistë për Popular Science. Ai shton se nëse kërkoje për një foto, të dilte një imazh me rezolucion të ulët, e realizuar me një kamerë të keqe. Para se Elmehedi të ndërhynte, shpalljet e fituesve shoqëroheshin me çfarëdo fotografie të fituesve që mund të gjeje në internet.
“Unë jam punësuar si drejtor arti i Nobel Media dhe kam qenë përgjegjës për të gjithë përmbajtjen vizuale gjatë shpalljeve në vitin 2012.”- shpjegon Elhemed në faqen e tij të internetit. Vetëm në vitin 2017, Elmehed vendosi që portretet e tij kishin nevojë për një ndryshim dhe shtoi një prekje me fletë ari në portretet e tij. “Kam eksperimentuar shumë me bojë të ndryshme floriri dhe kam rënë pas fletës së artë, një fletë metalike super e hollë që mund ta vendosni mbi pikturë me një ngjitës të veçantë. Së bashku me konturet e zeza, të pikturuara në një sfond të bardhë, mendoj se portretet kanë një ndikim shumë i fortë dhe ekskluziv.”– tha ai.



Por Elmehed nuk vizaton vetëm fituesit e “Nobelit”. Ai ka punuar si i pavarur dhe për ekipin kombëtar suedez të futbollit dhe korporata të tilla si “Tencent”. Ai gjithashtu ka bërë portrete të porositura, shpesh për qëllime dhuratash. Ndërsa këto u sjellin gëzim të madh atyre që i marrin, ai sqaron se është e mundur vetëm nëse “portreti është i dikujt jo të famshëm dhe sigurisht në asnjë lloj kandidimi për një çmim Nobel!”
Jeta përtej artit
Jashtë artit dhe bërjes së portreteve, jeta e tij është e zënë pasi është baba i tre fëmijëve. “Familja ime merret me lloje të ndryshme sportesh. Unë i ndihmoj fëmijët me gjimnastikën e tyre, futbollin, basketbollin… dhe më pëlqen të luaj futboll dhe të bëj kikboks.”-citohet të ketë thënë ai nga The Hindu. Ndërkohë që zhurma aktuale e mediave sociale nuk ka ndikuar shumë në jetën e tij personale apo familjare. Ai rrëfente disa vite më parë: “Ishte pak e veçantë kur Barack Obama ri-postoi shpalljen e këtij viti për Çmimin e Paqes që kishte portretet e mia të gazetarëve në të!”
Posted by Artist Niklas Elmehed on E hënë, 10 qershor 2024


