
Nigel Farage, kryetari i Reform UK dhe më herët udhëheqës i Partisë së Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP), në një intervistë për “GB News” u shpreh se “1 në 50 shqiptarë në Britani është në burg”. Farage përdori këtë statistikë për të argumentuar kërkesën për deportime masive, sepse sipas tij shqiptarët paraqesin një problem kriminal në Mbretërinë e Bashkuar.
Reagimi nga ana tjetër, Edi Ramës, ishte i menjëhershëm. Ai e kundërshtoi ashpër deklaratën e Farage, duke e quajtur një shpifje dhe një gënjeshtër të qëllimshme. Rama theksoi se nuk ka asnjë bazë të vërtetë për të thënë që “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg” dhe e konsideroi këtë një sulm të padrejtë dhe diskriminues ndaj shqiptarëve. Por për të kuptuar origjinën e kësaj deklarate, duhet të kuptojmë kush është Nigel Farage dhe çfarë përfaqëson ai.

Nigel Farage është një nga politikanët më të zëshëm të skenës politike britanike, e cila kaloi në kalvarin e gjatë të vendimeve që e çuan drejt Brexit, kabineteve të njëpasnjëshme të Boris Johnson dhe një vale masive emigracioni. Ai u bë mjaft i njohur për kundërshtimet e politikave financiare dhe sociale të Bashkimit Europian dhe deklaratat e tij në Parlamentin Europian. Pikërisht kjo dialektikë e tij prodhoi partinë e parë “Brexit” në Mbretërinë e Bashkuar, e cila synonte që dalja nga BE të realizohej në mënyrë të plotë dhe pa kompromis.
Megjithëse Farage nuk ka mbajtur poste ekzekutive në qeveri, ndikimi i tij në politikën britanike ka qenë i jashtëzakonshëm, duke formësuar debatet rreth sovranitetit kombëtar, imigracionit dhe marrëdhënieve me BE-në.

Në vitin 2016, në fushatën e referendumit që çoi drejt Brexit, ai pati një marrëdhënie disi komplekse me ish-kryeministrin Boris Johnson, i cili përkrahu njësoj me të idenë e daljes nga Bashkimi Europian, por jo gjuhën e tij të ashpër ndaj emigrantëve dhe pragmatizmin jo klasik të politikës britanike. Edhe pse të dy janë përfaqësues të krahut konservator dhe nacionalist, Farage pati mjaft kundërshti gjatë qeverisjes së Johnson për mënyrën se si Londra varej akoma nga politikat zyrtare të Brukselit dhe për qasjen jo fort të ashpër ndaj emigrantëve në tërësi.
Kjo çoi në formimin e partisë së re Reform UK, e cila në zgjedhjet e fundit arriti një rezultat prej 14.3% të votave, duke u renditur si partia e tretë më e madhe sipas numrit të votave, pas Partisë Laburiste dhe Partisë Konservatore, dhe duke lëkundur mjaft status quo-në dypolare të Britanisë.

Farage dhe partia e tij përfaqësojnë një frymë të kuotuar dhe me një rritje të mbështetjes gjatë viteve të fundit, duke pasur të qartë linjën e saj mediatike: luftë ndaj emigracionit dhe një frymë të re konservatore. Ndaj, deklarata e tij ndaj shqiptarëve është pjesë e kësaj dialektike dhe e strategjisë së partisë. Në zhvillimin e kësaj deklarate ndikuan edhe deklaratat e ndryshme të Edi Ramës për Brexit, si një lëvizje e gabuar, apo për vendimin për të dërguar emigrantët që shkojnë në Britani në një vend të tretë. Natyrisht që Nigel Farage nuk mund të mos përfitonte për të zgjeruar influencën e tij me një deklaratë kundër emigrantëve dhe fenomenit të emigrimit masiv të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar.


