Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump pritet të emërojë senatorin Marco Rubio nga Florida si sekretarin e tij të shtetit. Kështu kanë raportuar së fundmi mediat amerikane si New York Times, CNN dhe NBC. Nëse kjo ndodh, Rubio do bëhej latini i parë që do të shërbejë si kryediplomati amerikan sapo Trumpi të marrë detyrën në janar. Trump mund të ndryshojë ende mendje në minutën e fundit, por sipas tre njerëzve të rrethit të tij ai duket se e ka ndarë mendjen për Rubion.

Kush është Marco Rubio

Rubio është senatori aktual i Floridas, ku ka lindur dhe ka kaluar gjithë jetën e tij. Sipas webfaqes së tij, ai është i apasionuar pas ëndrrës amerikane, sepse e ka jetuar vetë. Kjo sepse prindërit e tij erdhën në Amerikë nga Kuba në vitin 1956 dhe e fituan jetesën e tyre duke bërë punë të thjeshta. Babai i tij punonte kryesisht si banakier dhe nëna e tij balanconte kujdesin për familjen në shtëpi ndërsa punonte si shërbëtore hoteli dhe për pak kohë edhe në një fabrikë të zonës ku jetonin Nëpërmjet shembullit të tyre, ai mësoi rëndësinë e punës dhe familjes dhe kuptoi se të gjitha gjërat janë të mundshme në Amerikë.

Rubio u tërhoq nga shërbimi publik kryesisht për shkak të gjyshit të tij, i cili e pa atdheun e tij të shkatërruar nga komunizmi. Para se të zgjidhej në Senatin e SHBA-ve në 2010, Rubio punoi si komisioner i qytetit në Majemin Perëndimor dhe si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Floridës.

Rubio shpesh thotë se nuk ka punë më të rëndësishme se sa të jesh baba. Ai e humbi babanë e tij vetëm dy muaj para se të zgjidhej në Senat, por shembulli i tij i punës së palodhur, të jetesës së përgjegjshme dhe përkushtimit ndaj familjes “mbetet një ndikim udhëzues edhe sot e kësaj dite”.

Rubio u takua me gruan e tij Jeanette, e cila gjithashtu lindi dhe u rrit në Miami, përmes miqve të përbashkët. Ata u martuan në vitin 1998. Së bashku, ata kanë rritur katër fëmijë të cilët i kanë quajtur: Amanda, Daniella, Anthony dhe Dominick.

Marco Rubio garoi kundër Donald Trumpit në 2016-ën

Marrëdhënia mes Trumpit dhe Rubios nuk ka qenë gjithmonë harmonike. Rubio konkurroi kundër Trumpit gjatë zgjedhjeve paraprake republikane të vitit 2016. Në atë kohë, Trumpi e quajti me tallje “Marco i vogël”, ndërsa Rubio bëri komente për burrërinë e tij, sikurse citon NPR. “A i keni parë duart e tij? … Ju e dini se çfarë thonë për burrat me duar të vogla?” Deklaratë të cilës Trumpi iu përgjigj: “Ju garantoj se nuk kam asnjë problem”. Rubio tha se votuesit nuk duhej ta mbështesin Trumpin në 2016, duke thënë: “Miqtë nuk i lënë miqtë të votojnë për një mashtrues”.

Rubio u largua nga gara presidenciale pasi humbi zgjedhjet paraprake dhe përfundimisht e mbështeti Trumpin atë vit dhe që atëherë, mbështetja e Rubios për Trumpin është rritur vetëm më shumë. Rubio i tha CNN-it në maj të 2016-ës se ai i kishte kërkuar falje kundërshtarit të tij dhe se deklaratat mes tyre nuk përfaqësonin atë si njeri. Rubio madje e ndihmoi Trumpin të përgatitej për debatin e tij kundër Presidentit Biden në 2020. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, Rubio përsëri e mbështeti fort Trumpin. Në një intervistë të fundit, ai sugjeroi që Ukraina duhet të fokusohet në negocimin e një zgjidhjeje me Rusinë në vend që të përpiqet të rifitojë territorin e saj të humbur. Ai ishte një nga pesëmbëdhjetë senatorët republikanë që votuan kundër një pakete ndihme ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën në fillim të këtij viti.

Një skifter në politikën e jashtme

Marco Rubio u zgjodh në Senat në vitin 2010 dhe ka mbajtur një pozicion të ashpër mbi politikën e jashtme, veçanërisht ndaj Kinës, Iranit, Venezuelës dhe Kubës. Qëndrimet e tij të forta kanë bërë që ta quajnë një skifter të politikës së jashtme. Pasi në politikë, termi “skifteri” përdoret për të përshkruar një person që favorizon fillimin e konflikteve të armatosura ose përshkallëzimin e atyre të vazhdueshme në vend që të përpiqet të zgjidhë problemet përmes dialogut ose metodave të tjera jo të dhunshme.

Ai fillimisht e gjeti veten në mosmarrëveshje me ata republikanë që ishin më skeptikë për ndërhyrjet jashtë vendit, por ai gjithashtu i ka bërë jehonë qëndrimit të Trumpit mbi luftën e Rusisë në Ukrainë. Pavarësisht se ka folur me terma të ashpër për Rusinë në të kaluarën, Rubio ka të ngjarë të shkojë me planet e Trumpit për të bërë presion ndaj Ukrainës që të gjejë një mënyrë për të arritur një zgjidhje me Rusinë dhe për të qëndruar jashtë NATO-s. Është e paqartë nëse liderët e Ukrainës apo Rusisë do të ishin të përgatitur për të hyrë në bisedime me Trumpin.

Rubio ka qenë ndër senatorët më të hapur për nevojën që Shtetet e Bashkuara të jenë më agresive ndaj Kinës. Ai ka mbajtur qëndrime që më vonë u bënë më të zakonshme në të dyja partitë. Për shembull, ndërsa shërbente në Kongres gjatë administratës së parë të Trumpit, ai filloi të advokonte për politikën industriale që synonte të ndihmonte Shtetet e Bashkuara të konkurronin më mirë me ekonominë e drejtuar nga shteti të Kinës. Rubio shërbeu gjithashtu si bashkë-kryetar i Komisionit dypartiak Kongres-Ekzekutiv për Kinën, i cili ka synuar të hartojë një politikë agresive ndaj Kinës, veçanërisht në përpjekjen për të adresuar abuzimet e të drejtave të njeriut atje. Në vitin 2020, Rubio sponsorizoi një projekt-ligj që përpiqej të parandalonte importin e mallrave kineze të prodhuara me përdorimin e punës së detyruar nga pakicat etnike Ujgure të Kinës. Presidenti Biden e miratoi atë ligj vitin e ardhshëm.

Po ashtu, në vitin 2019, Rubio ndihmoi të bindte Trumpin të miratonte një politikë të ashpër sanksionesh kundër Venezuelës në përpjekje për të rrëzuar presidentin e saj autoritar majtist, Nicolás Maduro. “Ai ka zgjedhur një betejë që nuk mund ta fitojë.”- tha Rubio për Maduron në një intervistë me Neë York Times. “Është thjesht çështje kohe. E vetmja gjë që nuk e dimë është se sa kohë do të zgjasë – dhe nëse do të jetë paqësore apo e përgjakshme.” Megjithëse njerëzit në Venezuelë kanë vuajtur nga sanksionet e vendosura nga SHBA-të, Maduro mbetet në pushtet.

Kohët e fundit, Rubio ka shprehur mbështetjen e pakonkurueshme amerikane për luftën e Izraelit në Gaza. Kur u pyet nga një aktivist paqeje në fund të vitit të kaluar se çfarë mendonte për shumë vdekje të civilëve palestinezë, ai tha: “Unë mendoj se Hamasi është 100 përqind fajtor”.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11