Liridon Rexhepi është shqiptari nga Kosova i cili është arrestuar në Turqi këtë të martë, pasi autoritetet atje dyshojnë se ai është kreu i rrjetit financiar të inteligjencës izraelite të Mossadit në Turqi. Media turke “Daily Sabah” shkruan se shtetasi nga Kosova u kap në një operacion të përbashkët nga inteligjenca turke dhe policia e Stambollit. Autoritetet atje thonë se Rexhepi besohet se po transferonte para për operativët në terren të agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad në Turqi, të cilët filmuan objektivat e Mossadit me drone, drejtuan operacione psikologjike kundër politikanëve palestinezë dhe grumbulluan informacione rreth fushës siriane.
Daily Sabah shkruan gjithashtu që Organizata Kombëtare e Inteligjencës Turke (MIT) e zbuloi Rexhepin pasi zbuloi parregullsi në llogaritë e tij financiare, që sipas hetuesve turkë tregojnë se ai po bënte depozita të panumërta për operativët e Mossadit në Turqi përmes “Western Union”.

Rexhepi ishte vënë u nën mbikëqyrjen e Inteligjencës turke sapo hyri në Turqi më 25 gusht 2024. “Liridon Rexhepi është monitoruar hap pas hapi dhe aktivitetet e tij janë regjistruar që nga hyrja e tij në Turqi më 25 gusht 2024. Pas kësaj faze është vendosur koordinimi me Degën e Kundër Terrorizmit dhe Operacioneve të Policisë së Stambollit. Rexhepi u ndalua nga Dega e Antiterrorizmit dhe Operacioneve të Departamentit të Policisë së Stambollit më 30 gusht.”- raporton media tjetër turke “Haberler”.
Operacionet e Inteligjencës turke deri më tani kanë zbuluar se agjentët në terren të Mossad-it në Turqi lehtësojnë transaksionet e tyre të parave përmes vendeve të Evropës Lindore, veçanërisht në Kosovë. Spiunët e Mossad-it gjithashtu dyshohen prej inteligjencës se transferojnë fondet që vijnë nga Kosova në burimet e tyre në Siri të cilat i paguajnë me kriptovaluta.
Mediat turke si Anadolu Agency dhe Daily Sabah shkruajnë se gjatë marrjes në pyetje, Rexhepi pranoi se kishte transferuar para. Ankaraja është e shqetësuar se Mossadi po rekruton operativë në territorin turk ndërsa ka raportime se disa anëtarë të Hamasit ndodhen në vend. Turqia mban lidhje me lëvizjen e Hamasit dhe refuzon klasifikimin e Hamasit si grup terrorist, ndryshe nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara.
Ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç thotë se shumica e të dyshuarve akuzoheshin për kryerjen e “spiunazhit politik ose ushtarak” në emër të inteligjencës izraelite. Në mediat turke thuhet gjithashtu se Mossadi se ka rekrutuar gjithashtu palestinezë dhe shtetas sirianë në Turqi si pjesë e një operacioni kundër të huajve që jetojnë në Turqi. Në mediet turke gjithashtu kanë qarkulluar video të momentit të arrestimit të shqiptarit të Kosovës.


