
Pas shtatë javësh pa një kryeministër, presidenti francez Emmanuel Macron më në fund e ka bërë zgjedhjen e tij për kryeministrin e ri të Francës. Ai ka zgjedhur ish-ministrin dhe ish-komisionerin evropian të krahut të djathtë, Michel Barnier. Kjo zgjedhje vjen pas një hezitimi të gjatë të presidentit francez përballë një situate të paprecedentë. “Le Monde” shkruan se emri i ish-ministrit të Jashtëm i erdhi Macronit mbrëmjen e të mërkurës, pasi kishte hequr dorë nga kandidaturat e tjera. Kryeministri i ri do të duhej të plotësonte dy kriteret kryesore: “moscensurimi” nga Asambleja Kombëtare “dhe aftësia për të krijuar koalicione”. Avantazhi i Barnierit ishte pikërisht kjo, pasi ai është “më pak përçarës” dhe “më konsensual” sesa profilet e konsideruara më parë.
Dy “finalistët”, Bernard Cazeneuve dhe Xavier Bertrand, të pritur të hënën në një takim nga Macroni u hoqën si opsione për këto arsye: I pari, ishte i pasigurt se do të merrte miratimin e Partisë Socialiste nga e cila u largua, ndërsa për tjetrin si fronti i majtë dhe ai i djathtë kishin deklaruar se do ta refuzonin kategorikisht. Shpejt u bë e qartë se ish-negociatori i “Brexit”-it i plotësonte të gjitha kriteret e Macronit. Ai kishte mbështetjen e republikanëve, por në moshën 73-vjeçare, ai do të jetë kryeministri më i vjetër në historinë e Francës dhe nuk do të rivalizonte aleatët e rinj me ambicie presidenciale.

Tanimë “Le Monde” shkruan se Marine Le Pen ka deklaruar për Barnierin se ai “duket se plotëson të paktën kriterin e parë që kishim kërkuar, domethënë një njeri që respekton forcat e ndryshme politike dhe i aftë të jetë në gjendje t’i drejtohet Tubimit Kombëtar, që është grupi i parë në Asamblenë Kombëtare, në të njëjtën mënyrë si grupet e tjera.” Megjithatë ajo shtoi se mbetet për t’u parë se çfarë fjalimi do të mbajë dhe çfarë zotimesh do të marrë përsipër, para se ta votojnë.
Edouard Philippe, presidenti i partisë “Horizons” e uroi Michel Barnierin pas shpalljes së emërimit të tij si kryeministër. “Detyra e tij premton të jetë e vështirë, por vështirësia nuk e ka trembur kurrë. Dhe shumë prej nesh do ta ndihmojmë.”- tha ish-kryeministri, i cili të martën shpalli kandidaturën e tij për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Por jo të gjithë duken të kënaqur me zgjedhjen e Macronit. Partia Socialiste ka deklaruar se do ta censurojë qeverinë e Michel Barnierit. “Michel Barnier nuk ka as legjitimitet politik dhe as republikan. Kjo situatë jashtëzakonisht e rëndë nuk është e pranueshme për ne. Kjo është arsyeja pse grupi socialist do të censurojë qeverinë e Michel Barnierit.”– tha Partia Socialiste në një deklaratë duke shtuar se Macroni me këtë zgjedhje “po shkel mbi votën e popullit francez”.

Kush është Michel Barnier
Michel Barnier pason Gabriel Attalin në këtë detyrë. Nëse Barnier do të jetë kryeministri më i vjetër në detyrë, Attali ka qenë më i riu (ai është 35 vjeç). Barnieri do të duhet të përpiqet të formojë një qeveri që mund t’i mbijetojë censurës parlamentare, për t’i dhënë fund krizës më të rëndë politike që nga viti 1958. Ndërkohë, ministrat që kanë dhënë dorëheqjen do të qëndrojnë në detyrë për të vazhduar menaxhimin e çështjeve aktuale gjatë negociatave.
Michel Barnier ishte një kandidat i pasuksesshëm në zgjedhjet paraprake të partisë “Les Républicains” për zgjedhjet presidenciale të vitit 2022. Një veteran i politikës, ai njihet si një ndërmjetës i mirë, deri në pikën që emri i tij qarkulloi për të pasuar Jean-Claude Juncker si kreun e Komisionit Evropian në vitin 2019. Ai ishte kryenegociatori i Bashkimit Evropian për “Brexit”-in, kur u largua Britania e Madhe. Para kësaj, Michel Barnieri ka mbajtur disa role ministrore në disa qeveri të krahut të djathtë në Francë në vitet 1990 dhe 2000 (duke drejtuar çështjet evropiane, mjedisin, bujqësinë, punët e jashtme në veçanti), ishte dy herë Komisioner Evropian, i ngarkuar me politikat rajonale dhe financat (1999-2004), si dhe përgjegjës për tregun dhe shërbimet e brendshme (2009-2014). Kohët e fundit, kur ai i kishte vënë syrin Pallatit presidencial, e ashpërsoi diskursin e tij mbi emigracionin, duke mbrojtur një “moratorium” dhe duke shkuar aq larg sa të vinte në dyshim Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në emër të “sovranitetit ligjor”.

Fillimet modeste
Barnier lindi në rajonin alpin lindor të Savoie në vitin 1951 në një familje artizanësh dhe praktikantësh katolikë me prirje të majta, duke bërë një jetë modeste por të rehatshme. Ai e filloi aktivizmin e tij politik në moshën 14-vjeçare, duke iu bashkuar lëvizjes së Charles de Gaulle dhe shpejt gjeti një punë si këshilltar ministror pas diplomimit në shkollën prestigjioze “École de Commerce Supérieur de Paris” (një shkollë biznesi) në vitin 1972.
Ai këshilloi ministrat për disa vite përpara se të vendoste të bëhej vetë pjesë aktive e politikës. Në vitin 1978 u zgjodh në Asamblenë Kombëtare si deputeti më i ri atje. Pas 15 vjetësh, pas një kohe të gjatë që kishte kaluar në Savoie për të ndihmuar në organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 1992 në Albertville, ai u kthye në punë për qeverinë, këtë herë si ministër. Ai kaloi dy vjet në portofolin e mjedisit dhe dy vjet të tjera si ministër për çështjet evropiane, një pozicion që më vonë do të shërbente si një trampolinë për në Bruksel.
Çështje të tilla si Traktati i Mastrihtit, krijimi i euros dhe lëvizja e lirë në të gjithë bllokun e vunë Barnierin në qendër të vëmendjes evropiane: megjithëse ai u bë senator francez në vitin 1997, ai u kthye me vendosmëri përsëri në Bruksel kur u emërua si komisioner i BE-së për politikat rajonale në vitin 1999. Si një nga figurat kryesore që i dha formë projektit evropian, Barnieri ishte gjithashtu në gjendje të rriste profilin e tij në Francë. Në vitin 2004, ai u vu në krye të ministrisë së jashtme të Francës dhe në vitin 2007 u emërua ministër i Bujqësisë dhe Peshkimit – dy poste kyçe në kabinetin francez.

Sukseset në Bruksel dhe negociatat për “Brexit”-in
Në vitin 2009, Barnier u kthye në Bruksel, fillimisht si eurodeputet dhe më pas si Komisioner për Tregun e Brendshëm dhe Shërbimet – një nga punët me profilin më të lartë në ekzekutivin e BE-së. Nga ky pozicion, ai bëri një përpjekje të pasuksesshme për t’u bërë President i Komisionit Evropian në vitin 2014, por humbi përballë Jean-Claude Juncker nga Luksemburgu. Megjithatë siç shkruan “Euronews” një rol i profilit të lartë i një lloji tjetër ishte afër. Në një lëvizje që tronditi gjithë BE-në, Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar nga blloku në vitin 2016, duke ndezur seri pas një serie negociatash intensive mbi kushtet e ndarjes.
Barnieri ishte njeriu i ngarkuar me udhëheqjen e ekipit negociator të BE-së, një rol që i dha atij popullaritet si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në flluskën e Brukselit. Trajtimi i tij i bisedimeve për rreth pesë vjet të “Brexit”-it, duke mbuluar si daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, ashtu edhe marrëdhëniet e ardhshme midis dy palëve, i dha atij një admirim të konsiderueshëm në qarqet e BE-së.
Megjithatë, sytë e tij shpejt u kthyen përsëri në vendlindje. Në vitin 2021, Barnieri njoftoi se do të kandidonte në zgjedhjet presidenciale franceze vitin e ardhshëm, por në fund nuk arriti të fitonte mjaftueshëm mbështetje nga partia republikane liberale-konservatore, e cila në vend të tij zgjodhi Valérie Pécresse.

Jeta personale
Nëse Barnier është një fytyrë relativisht e njohur për francezët, nga ana tjetër ai është shumë i matur kur bëhet fjalë për jetën e tij private. Ose më saktë është gruaja e tij Isabelle Altmayer ajo e cila ndryshe nga ai është më diskrete, pasi rrallë herë ndodh të jetë në qendër të vëmendjes. Isabelle Altmayer punon në hije. Pasi punoi si juriste për 10 vite, ajo u fokusua në fushën e komunikimit. Që nga viti 2016, ajo është përgjegjëse për komunikimin dhe mbledhjen e fondeve për fondacionin “La vie au Grand Air”, i cili punon në mbrojtjen e fëmijëve. Mes viteve 2007 dhe 2010, kur bashkëshorti i saj ishte Ministër i Bujqësisë, ajo ishte përgjegjëse për shëndetin e të rinjve dhe grave në Ministrinë e Shëndetësisë. Prandaj, çifti ka një pasion të përbashkët për politikën dhe ka ecur përpara krah për krah për më shumë se katër dekada.
Të martuar për dyzet e dy vjet me radhë ata kanë tre fëmijë sëbashku, të cilët quhen: Nicolas, Benjamin dhe Laetitia. Më i madhi prej tyre Nicolas Barnier, 33 vjeç, po ndjek hapat e babait të tij. Ai ka qenë kandidat në një listë liberale belge në zgjedhjet evropiane të vitit 2019 si dhe përgjegjës për Presidencën e Senatit që nga viti 2021. Ai është i përfshirë edhe në aksione humanitare në Haiti.



