

Keir Starmer do të jetë kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar. Partia Laburiste arriti të fitojë shumicën parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar që u mbajtën më 4 korrik, duke rrëzuar konservatorët të cilët kishin plot 14 vite në pushtet.
Kur Starmer u zgjodh në krye të Partisë Laburiste në vitin 2020, partia e tij sapo kishte pësuar humbjen më të keqe në zgjedhjet e përgjithshme në 85 vjet, por ai e ktheu ringritjen e laburistëve në misionin e tij personal. Dhe kjo fitore është historike për politikën britanike. Por le të njihemi më shumë me njeriun që do të drejtojë Mbretërinë e Bashkuar.

Kush është Keir Starmer
Keir Starmer është një avokat i të drejtave të njeriut nga një qytet i vogël në Anglinë jugore. Starmer ka qenë politikan për vetëm 9 vjet dhe që kur u kurorëzua si lider i Laburistëve në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2020, e ka drejtuar partinë e tij duke e marrë nga humbja më e keqe zgjedhore në gati një shekull për t’u bërë forca dominuese në politikën britanike.
Në një analizë, Politico.eu thotë se pakkush e mendoi të mundshëm një transformim të tillë. Por, armiqtë e tij e quajnë thjesht fat: ata thonë se ai ka përfituar nga fatkeqësia konservatore.
Fëmijëria e Keir Starmer
Starmer u rrit në një qytet të vogël në Surrey, jashtë Londrës. Babai i tij ishte një veglabërës i heshtur dhe shumë autoritar.
Starmer e kujton zanatin e babait të tij aq shpesh sa klasa politike, dhe nganjëherë edhe votuesit, tallen me të për këtë. Sidomos gjatë kësaj fushate ai e përmendi aq shpesh këtë fakt, saqë u kthye në meme.
Nëna e tij nga ana tjetër ishte një infermiere me shëndet të ligshtë, pasi vuajti gjithë jetën nga sëmundja e Still, një lloj artriti inflamator. Ajo u nda nga jeta vetëm disa javë pasi Starmeri u zgjodh për herë të parë në Parlamentin Britanik në vitin 2015. Babai i tij u nda nga jeta gjithashtu vetë tre vjet më vonë.
Starmer ka thënë se marrëdhënia e tij me të atin ishte e tensionuar dhe fakti që nuk i tha kurrë, “të dua dhe të respektoj” është “e vetmja gjë për të cilën pendohem”.

Lidhjen e parë me politikën e pati qëkur lindi, pasi prindërit ia vunë emrin Keir, për shkak të Keir Hardiet, liderit të parë të Partisë Laburiste. Mesa duket, ata e manifestuan fort të ardhmen e të birit në politikë, mbi të gjitha në këtë forcë politike.
Dhe ai shkëlqeu në shkollë. Ai mësoi t’i binte flautit dhe të luante futboll. Por në fund u bë avokat. Vëllezërit e motrat e tij e quanin “Superdjalë”.

Starmer ishte anëtari i parë i familjes së tij që shkoi në universitet, e pas studimeve ai ndihmoi në drejtimin e një reviste të krahut të majtë të quajtur Alternativat Socialiste. Më pas ai u bë avokat, duke u ngritur lart për t’u bërë më pas kreu i prokurorisë publike në vitin 2008, duke drejtuar Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës të qeverisë britanike. Ai mori titullin kalorës në vitin 2014, një vit para se t’i drejtohej politikës.
Pavarësisht prejardhjes së tij legjitime në trajtimin e krimeve të rënda, Starmeri nuk ka arritur kurrë të lëkundë imazhin e një politikani relativisht të mërzitshëm para publikut.
“Nëse, në fund, kjo është e vetmja grimë balte që mbetet për të më hedhur, atëherë jam shumë rehat,” tha ai për ITV të Britanisë në janar. “Nëse ata po ju quajnë të mërzitshëm, ju jeni duke fituar.”

Ardhja në pushtet
Në vitin 2015, Starmer u bë deputet për Holborn dhe St Pancras në veri të Londrës. Ai shërbeu në ekipin e parë të ish-udhëheqësit laburist Jeremy Corbyn, kohë në të cilën këmbëngulte se mbajtja e një referendumi të dytë të BE-së duhet të konsiderohet, shkruan BBC.
Pas humbjes së rëndë të partisë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019, Keir Starmer iu fut garës për t’u bërë lideri i partisë – një garë që ai fitoi në prill 2020.
Në fjalimin e tij të fitores, ai premtoi se do t’i çojë Laburistët “në një epokë të re me besim dhe shpresë”.
Pasi erdhi në krye të laburistëve, ai i hodhi poshtë të gjithë, përveç Corbynit, për të siguruar një opozitë efektive. Korbinitët dhe antisemitët u spastruan nga partia sipas Politico.eu.

Kabineti me më shumë gra
Kabineti i Keir Starmer do të ketë numrin më të madh në histori të ministrave që kanë studiuar në shkolla publike dhe po ashtu të ministreve që janë gra, megjithëse përfaqësimi etnik ka rënë. Kështu raporton The Guardian.
Një rekord prej 89 deputetësh të pakicave etnike u zgjodhën në parlament në përgjithësi, sipas hulumtimit nga grupi i ekspertëve British Future. Por David Lammy, sekretari i jashtëm, do të jetë i vetmi ministër me ngjyrë i kabinetit në qeverinë e Starmer.
Kabineti i parë laburist në 14 vjet do të ketë gjithashtu vetëm dy ministra me origjinë aziatike – Shabana Mahmood, një nga deputetet e para muslimane të Mbretërisë së Bashkuar, dhe Lisa Nandy.
Vetëm dy ministra në kabinetin e Starmer shkuan në shkollë private – Louise Haigh, e cila ndoqi shkollën e mesme Sheffield dhe Anneliese Dodds, e cila shkoi në Kolegjin e Robert Gordon në Aberdeen.
Jeta personale
Starmer është i martuar me Victoria (neee Alexander) Starmer, që prej vitit 2007.
Kur ata u njohën për herë të parë në fillim të viteve 2000, ai nuk ishte një politikan, por një avokat. Ajo gjithashtu ishte një avokate që punonte në të njëjtën çështje.

Keir i tregoi moderatorit Piers Morgan gjatë një interviste për njohjen me Victorian. Ata për herë të parë kishin folur në telefon në lidhje me çështjen për të cilën po punonin, e kur ky e telefonoi për ta kritikuar ajo i kishte mbyllur telefonin duke thënë: “Kush dreqin mendon ky se është?!”
Pavarësisht fiillimit të vështirë, ai i propozoi asaj vetëm disa muaj më pas gjatë pushimeve në Greqi.

Ndonëse Victoria ka studiuar dhe punuar për ligjin si ai, tanimë ka ndryshuar fushë dhe punon për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar.
Keir dhe Victoria Starmer kanë dy fëmijë adoleshentë së bashku – një djalë dhe një vajzë. BBC shkruan se Starmer ka thënë se dëshiron të lërë mënjanë kohë për familjen e tij çdo të premte gjatë kohës që do të jetë kryeministër, duke shpresuar të përfundojë punën deri në orën 18:00.
Gruaja e tij është hebreje dhe darka e së premtes mbrëma është një festë në judaizëm kur shumë familje ulen për të ngrënë së bashku.
Gjatë fushatës ai tha: “Të premteve – e kam bërë këtë prej vitesh tashmë – nuk do të bëj asnjë gjë që ka lidhje me punën pas orës 18:00.”
Ai shtoi se megjithatë mund të ketë disa përjashtime.



