
Shefja e Shërbimit Sekret në SHBA, Kimberly Cheatle është vënë në qendër të vëmendjes ditët e fundit pas tentativës për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump.
Shërbimi Sekret Amerikan po përballet me një lumë kritikash për dështimin e tij për të parandaluar sulmin e 13 korrikut.
Tanimë, Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po i bëjnë thirrje shefes Cheatle që ajo të dëshmojë përpara një komiteti të Kongresit, ndërsa vazhdojnë ende pikëpyetjet se si një person i armatosur arriti t’i afrohej ish-presidentit mjaftueshëm sa për ta plagosur atë, teksa ai fliste gjatë një tubimi në Pensilvani.
Por kush është Kimberly Cheatle
Presidenti Biden e emëroi Kimberly Cheatle si Drejtoren e re të Shërbimit Sekret në vitin 2022, duke e bërë atë gruan e dytë që mban këtë pozicion në historinë 157-vjeçare të agjencisë.
Ajo është drejtoresha e 27-të e Shërbimit Sekret dhe është përgjegjëse për ekzekutimin e misionit të mbrojtjes dhe hetimeve të agjencisë.
Sipas faqes zyrtare të Shërbimeve Sekrete, Cheatle drejton tashmë rreth 7800 agjentë specialë, oficerë divizionesh, oficerë teknikë të zbatimit të ligjit dhe personel tjetër.
Ajo shërbeu në detajet e sigurisë së Bidenit gjatë mandatit të tij si zëvendëspresident, duke fituar besimin dhe respektin e tij.
“Kur Kim shërbeu për detajet e sigurisë sime, ne i besuam gjykimit dhe këshillës së saj. Ajo është një profesioniste e dalluar e zbatimit të ligjit me aftësi të jashtëzakonshme drejtuese.”- e vlerësoi Biden atë.

Dështimi i Shërbimit Sekret ndaj atentatit të Donald Trumpit
Gjatë periudhës që Cheatle u emërua është përballur me një sërë skandalesh dhe polemikash që kanë ndikuar në reputacionin e Shërbimit Sekret. E më e fundit është atentati ndaj ish-presidentit Trump.
Kritikët kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e agjencisë për të parandaluar një sulm të tillë, i cili në këtë rast ishte një dështim, teksa bëjnë thirrje për dorëheqjen e shefes Cheatle.
Senatori republikan i Teksasit, Ted Cruz dhe biznesmeni Elon Musk, kanë qenë mjaft kritikë, duke e akuzuar shefen e Shërbimit Sekret si dhe duke vënë në pikëpyetje aftësitë fizike të agjenteve femra.
Në një intervistë në emisionin televiziv amerikan ABC News, ajo tha se nuk ka në plan të japë dorëheqjen, si dhe për neglizhencën e treguar nga agjentët “fajësoi” çatinë e pjerrët nga ku ndodhi sulmi.
“Kjo ndërtesë në veçanti ka një çati të pjerrët në pikën e saj më të lartë. Dhe kështu, ju e dini se ekziston një faktor sigurie që do të konsiderohej atje që ne nuk do të dëshironim të vendosnim dikë në një çati të pjerrët.”
“Dhe kështu vendimi u mor për të siguruar ndërtesën, nga brenda.”- tha ajo gjatë intervistës.

Cheatle pranoi se agjencia e dinte se çatia e ndërtesës ishte një dobësi sigurie, por megjithatë zgjodhi të mos poziciononte agjentët atje, duke e lënë të hapur që Crooks të merrte një pozicion ideal me snajper me një pamje të qartë të Trumpit në skenë.
Ajo gjithashtu ka reaguar në faqen zyrtare të Shërbimit Sekret për atentatin ndaj Trumpit, duke thënë se agjencia do të bashkëpunojë me hetimet në lidhje me të shtënat.
“Shërbimi Sekret po punon me të gjitha agjencitë federale, shtetërore dhe lokale të përfshira për të kuptuar se çfarë ndodhi, si ndodhi dhe si mund të parandalojmë që një incident si ky të mos ndodhë më. Ne gjithashtu do të punojmë me komitetet përkatëse të Kongresit për çdo veprim mbikëqyrës.”– tha ajo.

Gjithashtu ajo shtoi se është në kontakt të vazhdueshëm me personelin e Shërbimi Sekret që nga momenti i atentatit.
“Që nga të shtënat, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me personelin e Shërbimit Sekret në Pensilvani, i cili punoi për të ruajtur integritetin e skenës së krimit derisa FBI-ja mori rolin e saj si agjencia kryesore e hetimit në tentativën për vrasje.
Unë kam qenë gjithashtu duke u koordinuar me detajet mbrojtëse për ish-presidentin Trump dhe kam informuar Presidentin Biden për detajet e incidentit.”- shtoi ajo.
Shefja e Shërbimit Sekret pritet të dëshmojë në një seancë dëgjimore më 22 korrik në lidhje me atenatin ndaj Trumpit.

Nisja dhe kulmi i karrierës së Kimberly Cheatle
Kimberly Cheatle u diplomua në Universitetin e Illinois Lindore në 1992 në fushën e studimit sociologji. Në kohën kur u diplomua ajo kishte aplikuar për një punë si agjente e Shërbimit Sekret.
Vendimi i saj për të ndjekur një karrierë në zbatimin e ligjit u ndikua nga vëllai i saj, i cili aspironte të bëhej një ushtarak shtetëror, por vdiq tragjikisht në një aksident automobilistik në vitin 1988.
Në kohën kur Cheatle mori detyrën si drejtore e Shërbimit Sekret në shtator 2022, vëllai i saj ishte zhdukur prej 34 vitesh. Por në një farë mënyre, ajo ka atë për ta falënderuar për një karrierë që ka tejkaluar pritshmëritë e saj.
“Unë ndoshta jam në zbatimin e ligjit sot si rezultat i drejtpërdrejtë i vëllait tim.“- tha ajo gjatë një interviste për gazetën lokale amerikane News Gazette.
Pas rreth 27 vitesh në Shërbimin Sekret, Cheatle në vitin 2019 u largua dhe u bë drejtoreshë e lartë në sigurinë globale të PepsiCo në Amerikën e Veriut.
Roli i saj në kompaninë PepsiCo përfshinte mbrojtjen e drejtuesve të korporatës, sigurimin e zyrave të PepsiCo në tre shtete si dhe dërgimin e mallrave nga magazinat dhe fabrikat.
Në vitin 2022, kur Cheatle punonte për PepsicCo dhe mendonte se tashmë kishte dalë në pension nga një karrierë 27-vjeçare me Shërbimin Sekret, i vjen një ofertë që s’mund ta refuzonte. Pikërisht ajo për të udhëhequr Shërbimin Sekret.

Në një darkë të rastësishme me prindërit e saj, Cheatle mori një telefonatë nga një anëtar i stafit të Presidentit Joe Biden, i cili e pyeste nëse ishte e gatshme të merrte një ofertë nga vetë Bideni. Nga ai moment, ajo ishte zgjedhur për të udhëhequr agjencinë.
“Mendova se kisha arritur kulmin e karrierës sime dhe mendova se kisha bërë gjithçka në agjenci.”- tha ajo.
Shumë njerëz, duke përfshirë dhe biznesmenin Elon Musk e kanë kritikuar se përvoja e saj në korporatën e ushqimit dhe pijeve ishte e pamjaftueshme për ta përgatitur atë për të udhëhequr Shërbimin Sekret.
Por mesa duket kritikuesit kanë harruar se Cheatle punoi për 27 vite në Shërbimin Sekret.
Por Cheatle kishte gjithashtu një marrëdhënie të mëparshme pune me Bidenin, pasi i kishte shërbyer në detajet e tij të sigurisë kur ai ishte zëvendës president, ashtu siç ajo kishte shërbyer për detajet e sigurisë edhe të ish-zëvendëspresidentit Dick Cheney para tij.
Herë pas here Cheatle bën udhëtime jashtë shtetit, por ajo thotë se diversiteti i ndërveprimeve të saj të përditshme me punonjësit në këtë fushë është një nga arsyet e punës që e tërhoqi atë ta vazhdonte akoma.
Ndërsa për jetën personale të shefes së Shërbimit Sekret nuk flitet. Statusi martesor i saj gjithashtu nuk ështe i zbuluar publikisht.
I gjithë fokusi i saj mbetet në karrierën e saj të shquar dhe në rolin drejtues brenda Shërbimit Sekret.


