
Politikani gjerman Jörg Dornau pjesë e partisë të ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), së fundmi po akuzohet se ka shfrytëzuar të burgosurit politik për të punuar në fermën e tij, ku kultivohet bima qepë, në Bjellorusi. Jörg Dornau ka lindur në Borna, Leipzig në vitin 1970. Që nga viti 2019, ai është anëtar i parlamentit sakson, duke përfaqësuar grupin parlamentar të AfD për politikën bujqësore, si dhe sipërmarrës i fermës “Zybulka-Bel”. Në zgjedhjet e parlamentit në fillim të shtatorit, ai humbi mandatin në Leipzig, por u kthye në parlamentin në Dresden përmes listës shtetërore.

Revista gjermane “Spiegel” shkruan se në fillim të këtij vit, fillimisht u bë e ditur se anëtari i parlamentit të shtetit sakson Jörg Dorau drejton një fermë qepësh në Bjellorusi dhe si pasojë e mos raportimit të aktivitetit të biznesit, ai u gjobit me një vlerë prej 20,862 euro. Mirëpo kjo nuk është e gjitha, pasi disa javë më parë, media bjelloruse “Reforma News” bëri akuza të rënda ndaj Dornaut, në të cilën shkruhet se deputeti gjerman ka nënshkruar një marrëveshje me Qendrën Lida për Izolimin e Shkelësve (CIO), duke mundësuar tërheqjen e bjellorusëve të dënuar për akuza politike për të punuar në fermën e tij të qepëve. Sipas medias, ata paguheshin rreth 5 euro në ditë.

Rrëfimi i një ish-burgosuri
Andrei u arrestua në shkurt të vitit 2024, për shkak se i kishte pëlqyer një postim kritik ndaj regjimit në rrjetet sociale. Ai erdhi në fermën e qepëve me të burgosurit e tjerë, ku do të punonin për 15 ditë. “Na çuan në një magazine apo bodrum, të gjithë mbanin rrobat që kishin. Të burgosurit po ngrinin nga i ftohti, mëngjesi ishte në orën shtatë, pastaj punuam deri në orën 18:00 pa ushqim dhe pije.”– tregon i burgosuri. Më pas ai është pyetur nëse e njeh Jörg Dornaun, dhe rrëfehet se e ka parë atë. “E kam parë edhe atë. Një burrë i gjatë, tullac, njëherë ai erdhi me një makinë me targa gjermane dhe shkuam në magazinë ku renditëm qepët me punëtorët e tjerë.”– tha Andrei.

Dornau mësohet se e ka vizituar personalisht disa herë fermën e tij me një sipërfaqe prej 1555 hektarë, ku bëhet fjalë për të paktën 21 hyrje ose kontrolle të brendshme të regjistruara midis vitit 2019 dhe 2021. Aktualisht për këtë çështje është, ngritur një kallëzim penal kundër Dornaut, ndërsa prokuroria publike e Leipzig, Gjermani ka nisur hetimet për këtë. Vetë Dornau nuk ka reagur ende për akuzat.


