Dy adoleshentë janë arrestuar në lidhje me sulmin që iu bë ish-guvernatorit të Nju Jorkut, David Paterson, dhe thjeshtrit të tij 20-vjeçar, ndërsa ata po shëtisnin qenin e tyre në Manhattan të premten në mbrëmje. Policia i identifikoi të dy adoleshentët, i pari si një djalë 12-vjeçar, i cili u akuzua për sulm të shkallës së dytë në grup, dhe një djalë 13-vjeçar, i cili u akuzua për sulm të shkallës së tretë në grup. Por emrat e tyre nuk u publikuan sepse janë të mitur. Ama nuk janë dy, por pesë të dyshuar.

Si dhe pse ndodhi sulmi

Hetuesit kanë qenë në kërkim të pesë të dyshuarve që sipas tyre ishin të përfshirë në sulmin ndaj Patersonit dhe thjeshtrit të tij, Anthony Chester Sliwa (djali i gruas së tij Mary, nga martesa e saj e mëparshme). Incidenti ndodhi pak pas orës 8:30 të mbrëmjes së premten. Pesë të paidentifikuarit u përballën me Patersonin dhe Sliwan, dhe filluan një përplasje verbale që, sipas policisë, u përshkallëzua në një sulm fizik, duke lënë ish-guvernatorin të lënduar në kokë dhe thjeshtrin e tij me një dëmtim më të rëndë në fytyrë. Patersoni dhe djali u dërguan në një spital lokal.

Një furgon policie pranë vendit të ngjarjes ku autoritetet thonë se Patersoni dhe thjeshtri i tij u sulmuan

Paterson, i cili është 70 vjeç dhe nuk shikon fare, i tha “FreedomNews.TV” të shtunën se thjeshtri i tij fillimisht hasi tre nga adoleshentët kur i pa duke u ngjitur mbi zjarrfikësen e një ndërtese në lagje dhe bërtiti se do të thërriste policinë nëse ata nuk do të zbrisnin poshtë në rrugë. “Ata zbritën. Ai u përplas me njërin prej tyre dhe kjo ishte disi fundi i saj.”– tha Paterson. Ish-guvernatori tha se më pas ai dhe thjeshtri i tij i takuan përsëri adoleshentët dhe miqtë e tyre më vonë në rrugën e dytë dhe filloi një grindje mes tyre. Patersoni tha se ndërsa adoleshentët debatonin me thjeshtrin e tij, dy të rritur të tjerë ndërhynë dhe shkaktuan përleshjen që pasoi. “Fëmijët nuk e filluan sherrin.”– tha Patersoni. “Ata po grindeshin. Pastaj, kur filloi përleshja, të gjithë u përfshinë në të.” Patersoni u tha gazetarëve se ai u “godit disa herë në fytyrë” dhe në shpatull. “Personin që më goditi në shpatull, e hodha vetë kundër dritares së McDonald’s.”– shtoi Patersoni.

Policia ka publikuar përshkrimet për pesë të dyshuarit dhe ka kërkuar ndihmën e publikut për t’i identifikuar ata. Zëdhënësi i ish-guvernatorit demokrat, Sean Darcy, më parë i kishte thënë “Fox News”-it se Patersoni dhe thjeshtri i tij dolën nga spitali herët në mëngjesin e së shtunës. “Kërkesa e vetme e guvernatorit është që njerëzit të përmbahen nga përpjekjet për të përdorur një akt të pafat të dhunës për përfitime personale ose politike.”– tha Darcy. “Ai dhe gruaja e tij, Mary, janë mirënjohës për reagimin e shpejtë të policisë dhe për mbështetjen e madhe që kanë marrë nga njerëz të të gjitha sferave.”

Skena e krimit

Kush është David Paterson

David Paterson shërbeu si guvernator i Nju Jorkut nga viti 2008 deri në 2010. Gruaja e tij është Mary Sliwa, ish-bashkëshortja e themeluesit të “Guardian Angels”, Curtis Sliwa. Sipas biografisë së tij të publikuar në “The History Makers”, David A. Paterson lindi më 20 maj të vitit 1954, në Bruklin, Nju Jork. Prindërit e tij ishin Basil Paterson dhe Portia Paterson. Një infeksion e la Patersonin ligjërisht të verbër menjëherë pas lindjes së tij, kështu që familja e tij u zhvendos në Hempstead, Nju Jork, në mënyrë që Patersoni të mund të ndiqte shkollën pa iu kërkuar të ishte në klasa të arsimit special.

Patersoni mori diplomën e bachelorit në histori nga Universiteti Columbia në Nju Jork në vitin 1977. Dhe më vonë në vitin 1983, përfundoi dhe studimet master në Shkollën Juridike Hofstra në Hempstead. Pas diplomimit, Patersoni punoi për Zyrën e Prokurorit të Qarkut të Queens. Në vitin 1985, iu bashkua stafit të fushatës për fushatën e tretë të David Dinkins për Presidentin e Burosë së Manhatanit. Në të njëjtin vit, Patersoni u zgjodh në Senatin e Shtetit të Nju Jorkut si senatori më i ri shtetëror në Albany, duke shërbyer në Senatin e Shtetit deri në vitin 2006. Në vitin 2002, Paterson u zgjodh si udhëheqësi i parë afrikano-amerikan i pakicës në Senatin e Shtetit të Nju Jorkut. Në vitin 2006, Patersoni u tërhoq nga Senati për të kandiduar si nënguvernatori i parë afrikano-amerikan i Nju Jorkut, krah kandidatit për guvernator, Eliot Spitzer. Ata fituan me një rezultat të thellë.

Në vitin 2008, Spitzer dha dorëheqjen nga posti i guvernatorit mes një skandali, duke e bërë Patersonin guvernatorin e parë afrikano-amerikan por dhe që nuk shikon dot të Nju Jorkut në vitin 2008. Si guvernator, Patersoni uli deficitin buxhetor të Nju Jorkut me 40 miliardë dollarë dhe rriti ndihmën sociale për individët në nevojë për herë të parë në 20 vjet. Patersoni gjithashtu prezantoi legjislacionin që më vonë do t’i jepte fund diskriminimit ndaj çifteve të të njëjtit seks në Nju Jork. Pas largimit nga detyra, Patersoni drejtoi një emision radiofonik për stacionin “WOR” të Nju Jorkut nga viti 2011 deri në 2012. Ai gjithashtu dha mësim mbi qeverisjen si profesor ndihmës në Universitetin e Nju Jorkut.

Në vitin 1992, Paterson u martua me Michelle Paige, me të cilën ka një djalë.  Çifti u nda në vitin 2012 dhe u divorcua në korrik 2014. Në vitin 2019, Patersoni gjeti përsëri dashurinë dhe u martua me Mary Sliwa. Familja e tyre përfshin tre fëmijë.

David Paterson dhe bashkëshortja e tij, Mary Sliwa

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10