Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico u qëllua këtë të mërkurë jashtë Shtëpisë së Kulturës në qytetin Handlova.

“The Guardian” citoi një zyrtar nga partia Smer e Ficos për të raportuar se kryeministri 59-vjeçar u qëllua në bark dhe i është nënshtruar një operacioni.

Disa medie lokale, duke cituar dëshmitarët në vendngjarje, raportojnë se njeriu që qëlloi kryeministrin sllovak është një shkrimtar dhe aktivist liberal i quajtur, Juraj Cintula.

Pamjet në rrjetet sociale tregojnë momentin që parlamenti në Sllovaki u pezullua të mërkurën, për të njoftuar se kryeministri që nuk ishte prezent ishte qëlluar me armë.

Sipas raportimeve, Tsintula ka bërtitur në drejtim të Fico-s teksa ky i fundit po fliste me mbështetësit e tij dhe kur i është afruar për t’i dhënë dorën, ky ka hapur zjarr.

Kush është i dyshuari Juraj Cintula

71-vjeçari është një nga themeluesit e klubit letrar DÚHA, i hapur në vitin 2005.

Sipas TN, deri në vitin 2016, ai ka qenë president i klubit dhe ka shkruar tre përmbledhje me poezi. Por në vitin 2016, ai nisi të punonte në një qendër tregtare në Levice, qytetin që është vendlindja e tij.

Shkrimtari 71-vjeçar në kohën që ishte duke punuar si roje sigurie në vitin 2016, u rrah nga një narkoman. Historia e tij u pasqyrua nga gazetat dhe kanalet televizive.

I pyetur pse e qëlloi kryeministrin, shkrimtari tha se e bëri këtë sepse nuk ishte dakord me politikat e Ficos dhe drejtimin në të cilin po shkonte vendi.

Si ndodhi sulmi dhe si është gjendja e kryeministrit Robert Fico

Ngjarja ndodhi jashtë Shtëpisë së Kulturës në qytetin Handlova, që ndodhet rreth 150 kilometra larg kryeqytetit, Bratislavë.

Kryeministri Fico kishte shkuar për të takuar mbështetësit e tij atje. Në një moment, papritmas u dëgjuan disa të shtëna me armë mes turmës dhe kryeministri u shemb përtokë. Ai thuhet se u qëllua me 4 plumba, në gjoks, stomak dhe gjymtyrë dhe u transportua menjëherë me helikopter në spitalin Roosevelt në Banska Bystrica. Ai thuhet se ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore mes “jetës dhe vdekjes”.

Siç shkruan BBC, në një konferencë për shtyp Ministri i Mbrojtjes Robert Kalinak tha se çdo informacion i detajuar mjekësor do të jetë i disponueshëm më vonë: “Situata është vërtet e ndërlikuar tani.”

Ai u tha gazetarëve se operacioni po vazhdon prej tre orësh e gjysmë.

Kalinak u shpreh se populli i Sllovakisë ka qenë gjithmonë i njohur si tolerant dhe se ata kanë qenë gjithmonë në gjendje të diskutojnë çështjet.

“Ajo që ndodhi sot është një stigmë që do të na ndjekë për shumë vite në vijim,” thotë ai. “Por për momentin të gjithë mendojmë për gjendjen e kryeministrit tonë Robert Fico.” Ai përfundon duke thënë se “shpresojmë që ai të jetë mjaft i fortë për të përballuar këtë traumë”.

Disa medie kanë publikuar momentin kur Tsintula ka qëlluar 4 herë drejt kryeministrit, pamje nga momenti kur truprojet e tij vrapojnë të alarmuar për të marrë kryeministrin dhe për ta futur brenda makinës së blinduar për arsye sigurie, që ai të mos merrte plumba të tjerë.

Reagime mbi atentatin ndaj liderit sllovak

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e quajti këtë atentat ndaj kryeministrit sllovak si një ‘sulm të poshtër‘ dhe që ‘minon demokracinë’.

“Dënoj fuqishëm sulmin e poshtër ndaj kryeministrit Robert Fico.

Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë më të çmuar të përbashkët.

Mendimet e mia janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij.”– shkruan Von der Leyen në X.

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden dënoi “aktin e tmerrshëm të dhunës” dhe tha se ambasada e SHBA-ve është në “kontakt të ngushtë” me qeverinë sllovake dhe është “gati të ndihmojë”.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se “nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë krim monstruoz” dhe, në një telegram drejtuar presidentes sllovake Zuzana Caputova, tha se Robert Fico ishte “një njeri i guximshëm dhe me mendje të fortë”.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres tha se e “dënon fuqishëm sulmin tronditës të kryer sot”.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se “asgjë nuk mund të justifikojë kurrë dhunën ose sulme të tilla”.

Duke postuar në X, presidenti francez Emmanuel Macrondënon fuqishëm” sulmin ndaj Robert Fico dhe tha se “mendimet dhe solidariteti i tij janë me të, familjen e tij dhe popullin e Sllovakisë”.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është në “shok të thellë” nga “sulmi frikacak” dhe shprehu “dënimin më të fortë të të gjitha formave të dhunës dhe sulmeve ndaj parimeve kardinal të demokracisë dhe lirisë”.

Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar, duke thënë: “Jam thellësisht i tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi i makthshëm i sulmit ndaj kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Sllovakisë. Roberti është një i mbijetuar i fortë dhe një mik i dashur, dhe unë shpreh urimet e mia të përzemërta për një shërim të shpejtë dhe një rikthim të jashtëzakonshëm.”

Robert Fico rimori detyrën e kryeministrit në tetor 2023. Por ai ka qenë edhe më parë në këtë detyrë. Ai ka drejtuar qeverinë sllovake në vitet 2006 deri më 2010 dhe 2012 deri më 2018, kur u detyrua të jepte dorëheqjen pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij. Në kohën kur u vra, gazetari kishte qenë duke hetuar lidhjet mes mafies italiane dhe partisë së Ficos në pushtet, ngjarje që tronditi thellë qeverinë e tij të asaj kohe.

Ai u rikthye në pushtet pas zgjedhjeve shtatorin e kaluar, në krye të një koalicioni populist-nacionalist.

Leave a Reply

  • (not be published)