

Në fillim të muajit korrik, BE-ja i zgjati mandatin Miroslav Lajçakut si i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Kështu ai do të vazhdojë të ushtrojë këtë detyrë deri në fillim të vitit që vjen. Arsyeja pse Josep Borrell (Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri) mund ta ketë marrë këtë vendim për të zgjatur qëndrimin e Lajçakut në këtë detyrë mund të lidhet me zgjedhjet në bllok dhe nisjen e punës nga lidershipi i ri.
Kështu beson dhe analisti politik nga Kosova Arbnor Sadiku, i cili thotë se vendimi i Bashkimit Evropian për të zgjatur mandatin e Lajçakut nuk është i motivuar nga ndonjë pritshmëri e veçantë prej tij, por përkundrazi lidhet me pritjen e zgjedhjes së lidershipit të ri në BE.
“Mendoj se BE-ja nuk ishte e fokusuar në vazhdimin e mandatit të Miroslav Lajçakut, sepse ata kanë ndonjë pritshmëri prej tij, por thjesht sepse po përballen me ardhjen e lidershipit të ardhshëm të BE-së”, tha Sadiku për Kosova Online.
Duke folur për atë që mund të pritet gjatë këtij “zgjerimi”, Sadiku kujton se Kosova është në një vit zgjedhor dhe se kryeministri Albin Kurti nuk është i prirur për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
Debati i Lajçakut me ministrin Hasani
Por Lajçaku vetëm pak kohë më parë, u përplas me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Igli Hasanin, në një panel të Forumit të Dubrovnikut. Në panel merrnin pjesë diplomatë të rajonit dhe Ndihmës Sekretari për Evropë dhe Eurazi James O’Brien (lexo këtu).
Kur moderatori Michael Martens e pyeti nëse procesi i anëtarësimit në BE është një proces i bazuar në merita, kryediplomati shqiptar Igli Hasani dha mendimin e tij kritik që nuk i pëlqeu fare Lajçakut.
Hasani u përgjigj duke thënë se “forcat centripetale drejt BE-së duhen rritur” dhe se Shqipëria do vijojë t’i përmbushë kriteret dhe “se këtë nuk e bën për shkak të BE-së por për shkak të vetë Shqipërisë”.
“Kam vështirësi të kuptoj se vendi im e ka organizuar vetëm një konferencë ndërqeveritare (Shqipëri-BE), dhe po ashtu edhe të tjerët kanë bërë këtë. Kaq.”- tha Hasani në panel duke iu referuar konferencës së parë për çeljen e negociatave Shqipëri – BE të organizuar në vitin 2022.

Pas këtyre fjalëve, nuk ka vonuar Lajçaku i cili ka kërkuar të komentojë mbi përgjigjen e kryediplomatit shqiptar.
“Ndihem i obliguar që të përgjigjem në pyetjen që i bëri ministrit Hasani. Dua të them se ky proces është absolutisht i bazuar në merita.
Ka shumë politikë dhe gjeopolitikë në fazën përgatitore, vendimi për të dhënë statusin e kandidatit, ftesa për hapjen e negociatave për anëtarësim, por pasi të jeni në proces të anëtarësimit ju duhet të përmbushni kriteret, s’ka rrugë të shkurtër.”-tha Lajçaku.
Pas këtyre fjalëve Hasani reagoi aty për aty duke thënë: “Nuk thashë asnjëherë rrugë të shkurtra…me gjithë respektin…ti je për dialogun Beograd – Prishtinë. Kështu që dua të jem i qartë në një gjë. S’kemi kushte për kushtet që na janë vënë. Le të jem i qartë për këtë.”
I menjëhershëm ishte Lajçak duke thënë se “nuk jam duke polemizuar me ty Igli”. E po aq shpejt iu përgjigj me ironi dhe Hasani: “Po, po, por rri te dialogu, do të jemi të lumtur nëse ke ndonjë rezultat, do të mbështesim, do të mbështesim vazhdueshëm siç kemi bërë…por rri te dialogu.”
Lajçaku u justifikua duke thënë se ka një eksperiencë personale 25-vjeçare që s’mund ta injorojë dhe ka qenë pjesë e procesit të vendit të tij dhe nuk mund të rrijë pa folur, duke e mbyllur kështu polemikën.
Lajçak i papëlqyeshëm dhe për Albin Kurtin
Por Lajçaku nuk është një diplomat shumë i pëlqyer mes politikanëve të Kosovës, e sidomos nga kryeministri Albin Kurti. Gjatë ndërmjetësimit të tij në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Lajçaku është akuzuar shpresh herë për “anshmëri” në këtë proces nga Kurti.
Në shtator të vitit 2023, Kurti deklaroi se Lajçaku dhe i dërguari i Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, “vinin tek ne me kërkesa nga pala tjetër”, duke iu referuar Serbisë.
Ai e bëri këtë deklaratë në një intervistë për Associated Press, në një kohë kur bashkësia ndërkombëtare po i kërkonte Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet në veri të Kosovës, të cilat u përshkallëzuan në maj të atij viti, pasi kryetarët shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe.
Kurti deklaroi gjithashtu se Lajçaku ishte pozicionuar “kundër Kosovës” (kliko këtu).
Karriera e Lajçakut
Por le të mësojmë pak më shumë për karrierën e Miroslav Lajçak. Lajçaku është i diplomuar në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe ka një diplomë juridike nga Universiteti Comenius në Bratislavë.
Aktualisht ai është Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë siç e përmendëm në hyrje të këtij artikulli, por më parë ai ka shërbyer dhe si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake nga 2012-2020.
Ama karrierën e tij diplomatike ai e ka nisur në ambasadën sllovake në Moskë, pikërisht atje ku ka studiuar. Siç shkruhet në biografinë e tij në faqen e OKB-së, Lajçaku iu bashkua shërbimit të jashtëm të Çekosllovakisë së atëhershme në vitin 1988 dhe u dërgua në Moskë nga viti 1991 deri në 1993.
Pas kthimit të tij në Sllovaki në vitin 1993, Lajçaku luajti një rol jetik në transformimin e vendit të tij të ri. Ai ndihmoi aktivisht në ndërtimin dhe formësimin e shërbimit të jashtëm kombëtar sllovak si Drejtor i Zyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme (i emëruar dy herë) dhe si Drejtor i Zyrës së Kryeministrit në vitin 1994.
Nga 1994 e tutje, Lajçak ka vijuar të mbajë detyra të ndryshme diplomatike. I konsideruar si një figurë kyçe në ndërmjetësimin e krizave të pas konfliktit në Ballkanin Perëndimor, Lajçaku negocioi, organizoi dhe mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006 në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Përbashkët dhe të Sigurisë, Javier Solana.
Lajçaku ka shërbyer gjithashtu si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për sesionin e 72-të (shtator 2017 – shtator 2018).
Paralelisht që prej vitit 2005, ai vazhdon ende në rolin e Kryetarit të Sekretariatit për Organizimin e Samitit të Presidentëve të Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bratislavë.

Jeta personale
Ai është i martuar dhe ka dy vajza, por jeta e tij private mbetet private. Ai nuk e ekspozon shumë këtë pjesë të jetës së tij për mediat.
Por gruaja e tij edhe pse mund të jetë e panjohur për publikun shqiptar, në Slloveni është krejt e kundërta. Ajo ka qenë një moderatore shumë e njohur atje, Jarmila Hargashova.

Megjithatë pasi ajo u martua me diplomatin më shumë se njëzet vjet më parë, filloi të zhdukej nga hapësira mediatike.
Por ajo pretendon se kurrë nuk e pa fundin e karrierës së saj si një sakrificë. “Nuk jam ndjerë realisht si viktimë. Unë iu dorëzova faktit se dua t’i krijoj një sfond njeriut tim për punën e tij. Burrat që janë në pozicione të tilla kanë nevojë për një sfond dhe një ndjenjë sigurie.”
Lajçaku për shkak të shumë punëve që ka marrë përsipër si diplomat, duket se nuk ka shumë kohë për familjen.
Vitin e kaluar Hargashova u shpreh në emisionin “Trochu”: “Pas më shumë se njëzet vitesh, ne jemi të sapomartuar, sepse nuk kemi kaluar shumë kohë bashkë.”
Përveç karrierës së saj, moderatorja tregoi se i është dashur shumë t’i përkushtohej edhe familjes dhe bashkëshortit të saj.

Si diplomat, ai kaloi shumë vite në udhëtime dhe ajo bashkë me dy vajzat e shoqëruan atë në shumë prej tyre. Madje kur shkuan në Beograd, ajo ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë.
Pas disa vitesh, burri i saj duhej të shkonte në Sarajevë ndërsa ajo me vajzat në Sllovaki për arsye sigurie. “Netëve kur fëmijët flinin, flisja me të përmes Skype.”- ka përshkruar momentet e vështira prezantuesja.
Jarmila Hargashova rrëfeu se e kishte të vështirë të përpiqej të kombinonte prindërimin, karrierën dhe në të njëjtën kohë të ishte një mbështetje për bashkëshortin e saj, i cili është vazhdimisht në lëvizje.
Vetëm tani vonë thotë se po mëson të kujdeset për veten ose të relaksohet pa pendim. Për shembull, ajo konsideron se arritjet e tij të mëdha janë aftësia për të shijuar një vakt e ulur, ose për të parë një film nga fillimi deri në fund.
Tanimë Lajçaku dhe Hargashova janë edhe gjyshër, pasi Vanessa është bërë nënë e dy djemve.



