

Ditën e 18 Korrikut, Ursula von der Leyen u zgjodh sërish për një mandat të dytë 5-vjeçar si presidente e Komisionit Evropian.
Von der Leyen fitoi me 401 vota në një votim të fshehtë të mbajtur në Parlamentin Evropian duke i kaluar pritshmëritë, pasi vetëm 361 vota nevojiteshin për ta fituar.
Por më shumë se sa rikonfirmimi i Von der Leyen, momenti që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte fjalimi i një eurodeputeteje, e cila guxoi t’i thoshte në sy presidentes atë që askush nuk kishte guxuar t’ja thoshte deri më tani.
Fjala është për eurodeputeten polake, Ewa Zajączkowska-Hernik. Në fjalimin që ajo mbajti para eurodeputetëve të PE-së, nuk iu kursye akuzave ndaj Von der Leyenit. Ajo jo vetëm e konsideroi atë si një zgjedhje të gabuar për presidente, por shtoi se Von der Leyeni meritonte burgun dhe jo të mbante atë detyrë kaq të rëndësishme.
Por pse i tha eurodeputetja polake këto, do e mësojmë më poshtë.
Çfarë ndodhi në Parlamentin Evropian
Sipas BBC News, Von der Leyen arriti të fitonte mbështetjen e Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë (EPP), Socialistëve dhe Demokratëve, Renew liberal si dhe të Gjelbërve, por jo të gjithë anëtarët e tyre e mbështetën atë.
Ajo pranoi se të Gjelbërit kishin luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e shumicës së votave, duke thënë se ishte “shumë mirënjohëse” për mbështetjen e tyre.
Para se të zgjidhej sërish, ajo bëri publike prioritetet e saj për mandatin e ardhshëm, duke përfshirë procesin e zgjerimit të bllokut evropian si dhe do të emërojë një komisioner të posaçëm për Mbrojtjen dhe një tjetër për Mesdheun, pasi këto fusha sipas saj janë prioritetet e Bashkimit Evropian.
Gjatë seancës së parlamentit evropian Ursula von der Leyen u përball me një sërë kritikash të ashpra për politikat e saj të imigracionit si dhe politikat e saj të gjelbëra. Por askush nuk arriti ta kritikonte siç bëri një përfaqësuese e grupit më të ri të ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian.
Ewa Zajączkowska-Hernik, një eurodeputete polake, pjesë e grupit Evropa e Kombeve Sovrane (ESN), rreshtoi një më një akuzat dhe vërejtjet që kishte për Von der Leyenin disa orë përpara se anëtarët e Parlamentit Evropian të vendosnin të votonin nëse presidentja aktuale e Komisionit Evropian, do e vazhdonte sërish këtë detyrë për një mandat të dytë.

Gjatë fjalimit të saj (të cilin mund ta ndiqni këtu) eurodeputetja Zajączkowska-Hernik e cilësoi edhe mandatin e parë të presidentes Von der Leyen si një “gabim të madh”.
Hernik tha se Von der Leyen është “fytyra” e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, e cila sipas saj po shkatërron ekonominë dhe bujqësinë evropiane dhe po çon në shndërrimin e Evropës në një vend të prapambetur ekonomik.
Po ashtu i tha: “Ju jeni fytyra e gjithë çmendurisë klimatike të BE-së, e cila na bën që ne evropianët të bëhemi gjithnjë e më të varfër.”
Mirëpo akuza më e rëndë që eurodeputetja polake i drejtoi Von der Leyenit ishte mbi çështjen e emigrimit të paligjshëm. Hernik i tha se ajo është përgjegjëse për çdo përdhunim dhe çdo tragjedi të shkaktuar nga emigrantët e paligjshëm në Evropë. Madje shtoi se ajo e kishte vendin në burg.
“Ne evropianët po bëhemi gjithnjë e më të varfër. Për shkakun tuaj. Ju jeni fytyra e Paktit të Imigrimit, po ju flas si grua dhe si nënë. Si nuk ndjeni turp që promovoni Paktin e Imigrimit, që nënkupton që mijëra gra dhe fëmijë në Evropë ndihen të rrezikuar, të kërcënuar në rrugët e qytetit të tyre?! Ju jeni përgjegjëse për çdo përdhunim, për çdo sulm të dhunshëm, për çdo tragjedi të shkaktuar nga emigrimi i jashtëligjshëm. Sepse ju po i ftoni ata të vijnë në Evropë. Dhe për atë që po bëni, ju duhet të shkoni në burg. Dhe jo në Parlamentin Evropian.”- janë fjalët me të cilat eurodeputetja iu drejtua presidentes së PE-së.
Në atë moment ndërhyri presidentja e PE-së, Roberta Metsola që drejtonte seancën. Ajo tentoi ta ndërpresë eurodeputeten duke i thënë se koha e saj kishte mbaruar, ndërsa Von der Leyeni e shikonte me të qeshur.

Ewa Zajączkowska-Hernik
Ewa Zajączkowska-Hernik ka lindur më 20 Janar 1990 në Radom, Poloni. Ajo e ka nisur karrierën e saj profesionale në rolin e mësueses, siç raporton media polake TVN24.
Në vitet 2016-2023 ajo nisi të punonte në media. Gjatë punës si gazetare në portalin e djathtë wSensie.pl dhe në portalin poznarolnika.info., ajo mbuloi çështjet me tema politike, ekonomike dhe bujqësore.
Më vonë Zajączkowska-Hernik kandidoi për herë të parë për Sejm (Parlamentin e Përgjithshëm të Polonisë) në zgjedhjet e vitit 2015 nga listat e partisë KORWIN në Kalisz, por nuk fitoi një vend në Parlament.

Ajo provoi sërish në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 duke kandiduar në listën e Konfederatës nga Radomi dhe fitoi 7880 vota, por kjo nuk ishte e mjaftueshme të merrte një mandat.
Pas zgjedhjeve në dhjetor të këtij viti, ajo u bë zëdhënëse e shtypit e Konfederatës.
Ewa Zajączkowska-Hernik u martua në janar 2020 dhe partneri i saj është Marcin Hernik, një dizajner grafik i Fondacionit për Mbështetjen e Fermerëve Polska Ziemia. Çifti ka punuar me industrinë e leshit për një kohë të gjatë, kunati i eurodeputetes është presidenti i Shoqatës Polake të Industrisë së Leshit. Ata kanë bashkë sot dy fëmijë.



