
Sarah Mullally është zyrtarisht Kryepeshkopja e parë femër e Archbishop of Canterbury, duke shënuar një moment historik në mbi 1400 vite histori të Kishës së Anglisë. Ceremonia u zhvillua në Canterbury Cathedral përpara rreth 2,000 të ftuarve, ku ajo nisi zyrtarisht misionin e saj publik si udhëheqëse shpirtërore e komunitetit anglikan në mbarë botën. Emërimi i saj vjen në një periudhë të vështirë për kishën, e cila përballet me përçarje të brendshme mbi rolin e grave dhe çështjet LGBTQ+, si dhe me pasojat e skandaleve të abuzimeve që kanë tronditur besimin e publikut, veçanërisht gjatë mandatit të paraardhësit të saj, Justin Welby. Në këtë kontekst, pritet që Mullally të fokusohet në rikthimin e besimit, transparencës dhe stabilitetit brenda institucionit.

E lindur në vitin 1962 në Mbretërinë e Bashkuar, Mullally ka një rrugëtim të veçantë profesional dhe shpirtëror. Sipas “The Guardian” ajo fillimisht punoi si infermiere në sistemin shëndetësor britanik, duke u specializuar në kujdesin për pacientët me kancer. Falë aftësive dhe përkushtimit të saj, ajo arriti të bëhej një nga figurat më të rëndësishme në infermieri, duke mbajtur edhe postin e shefes së infermierisë në Angli në një moshë relativisht të re.
Në moshën 40-vjeçare, ajo vendosi të ndjekë rrugën fetare dhe u shugurua si priftëreshë, në një kohë kur gratë sapo kishin filluar të pranoheshin në këtë rol në kishë (që nga viti 1994). Karriera e saj në hierarkinë kishtare u zhvillua shpejt: në vitin 2015 u bë peshkope, ndërsa më pas mori drejtimin e dioqezës së Londrës, një nga pozicionet më të rëndësishme në kishë.

Mullally njihet për qasjen e saj të qetë, të kujdesshme dhe empatikë, sidomos në trajtimin e çështjeve të ndjeshme si abuzimet dhe mbështetja për viktimat. Ajo ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e transparencës dhe përgjegjshmërisë, duke vendosur në qendër të punës së saj dëgjimin e zërave të atyre që janë prekur, shkruan “The Guardian”.
Megjithëse emërimi i saj përfaqëson një hap të madh përpara për barazinë gjinore në kishë, ai është shoqëruar edhe me kundërshti nga disa pjesë të komunitetit anglikan, të cilat nuk e pranojnë ende udhëheqjen e grave. Pavarësisht kësaj, Mullally shihet si një figurë që mund të sjellë një frymë të re dhe të ndihmojë kishën të kalojë një nga periudhat më sfiduese të saj.


