
Në 5 maj 2025, Rumania hyri në një fazë të re politike kur kryeministri, Marcel Ciolacu dha dorëheqjen pas një rezultati të papritur në zgjedhjet presidenciale dhe ku George Simion, një lider nacionalist dhe konservator, pati një fitore të qartë në raundin e parë. Sipas “The Guardian” Simion, udhëheqës i Aleancës për Bashkimin e Rumunëve (AUR), mori 40.96% të votave, duke siguruar një pozicion të fortë për raundin e dytë që do të mbahet më 18 maj, ku ai do të përballet me Nicușor Dan, kryetarin e Bukureshtit.

Qytetarë duke votuar në raundin e parë të zgjedhjeve Presidenciale në Rumani
George Simion 38 vjeç është një figurë e njohur për qëndrimet e tij të forta nacionaliste, sipas “BBC”-së ai e cilëson veten si një “patriot rumun”. “Unë jam një patriot rumun, i cili gjatë gjithë jetës time ka ëndërruar të jetë pjesë e botës së lirë, dhe tani e kuptojmë që bota e lirë nuk është aq e lirë më.” Ai gjithashtu është një admirues i Donald Trump dhe mbështet një BE të bazuar në shtete të forta dhe sovrane, duke e përshkruar Evropën si një grup kombesh të ndryshëm dhe të respektuar.
Simion ka një histori të spikatur për qëndrimet e tij kundër politikave të BE-së dhe mbështetjes për Ukrainën. Ai është një kritik i fuqishëm i mbështetjes financiare dhe ushtarake të Rumunisë për Ukrainën, duke kërkuar një qasje më të moderuar dhe duke propozuar bisedime të mundshme paqeje të udhëhequra nga administrata Trump. “Unë besoj se Rusia është kërcënimi më i madh për Rumaninë, Poloninë dhe shtetet baltike. Problemi është se kjo luftë nuk po shkon asnjëherë askund.” ka thënë ai në një intervistë për “BBC”-në.

George Simion dhe Mateusz Morawiecki, lideri polak i Partisë Konservatorëve
Simion është një politikan që ka arritur të mobilizojë shumë votues në diasporë, ku ka fituar më shumë se 70% të votave në Itali, Spanjë dhe Gjermani, ku rumunët kryesisht punojnë në punë fizike.- raporton “The Guardian”.
George Simioni ka një qëndrim të fuqishëm kundër elitave politike të vendit dhe BE-së, duke thënë se zgjedhjet e tij nuk janë thjesht për të fituar pushtetin, por për të mbrojtur identitetin dhe të drejtat e rumunëve. Kërkesat e tij për një BE-në më të decentralizuar, ku shtetet të kenë më shumë autonomi dhe më pak ndërhyrje nga struktura burokratike e Brukselit, e bëjnë atë një aleat të mundshëm të politikanëve të tjerë nacionalistë dhe të djathtë në Evropë, duke përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe liderët e tjerë populistë si Viktor Orbán i Hungarisë dhe Marine Le Pen në Francë.

George Simoni dhe Giorgia Meloni në një takim në Romë
Një pikë tjetër kyçe në fushatën e Simion është kundërshtimi ndaj politikave të rritjes së mbështetjes për refugjatët ukrainas, një çështje që ka krijuar ndasi të mëdha në shoqërinë rumune. Megjithatë, ai ka theksuar se nuk është pro-rus dhe se prioriteti i tij është siguria e Rumunisë, duke e konsideruar Rusinë si një rrezik të madh për vendin dhe për shtetet e tjera të Europës Lindore. “Nëse bëhem president, marrëdhëniet me Ukrainën do të varen nga mënyra se si trajtohen minoritetet rumune dhe kishat rumune atje.“- ka thënë ai për “BBC”-në.
Nëse Simion fiton raundin e dytë të zgjedhjeve dhe bëhet president, ai ka premtuar se do të përqendrohet në forcimin e sovranitetit të Rumunisë dhe do të përpiqet të krijojë një BE të përbërë nga shtete të forta, të cilat respektojnë diversitetin e tyre dhe veprojnë sipas interesave të tyre kombëtare. “Unë besoj se duhet një BE ku çdo komb është i respektuar dhe ka të drejtën të vendosë për të ardhmen e tij pa u detyruar të ndjekë politikat e një modeli të vetëm“- raporton “Politico”.

George Simoni në një nga takimet e tij me qytetarët
Rezultatet e zgjedhjeve dhe përpjekjet e Simion për të fituar edhe raundin e dytë mund të shënojnë një kthesë të rëndësishme në historinë politike të Rumanisë. George Simion është një kandidat që përfaqëson një mesazh të fuqishëm për shumë rumunë, duke ofruar një alternativë ndaj elitave politike dhe duke synuar një drejtim të ri për vendin dhe për të ardhmen e tij në Bashkimin Evropian.


