
Erika Kirk, emri i saj u bë i njohur në të gjithë botën pas një ngjarje të rëndë ku i shoqi, Charlie Kirk u qëllua për vdekje me një plumb në qafë. Charlie Kirk ishte një nga mbështetësit politikë të presidentit amerikan, Donald Trump. Erika dhe Charlie Kirk kanë dy fëmijë, një vajzë 3-vjeçare dhe djalin që sapo ka mbushur 1 vjeç. Erika Kirk befasoi me mesazhin që bëri në funeralin e bashkëshortit duke e falur autorin që e vrau gjatë një aktiviteti në universitetin e Utahut. “Unë e fal atë sepse kështu bëri edhe Krishti dhe kështu do bënte edhe Charlie. Përgjigjja ndaj urrejtjes nuk është urrejtja. Përgjigjja që ne e dimë nga Ungjilli është dashuria dhe gjithmonë dashuria. Dashuria për armiqtë tanë dhe dashuria për ata që na përndjekin.”-tha Erika e më pas është prekur para të pranishmëve.

Pas ngjarjes Erika Kirk ka marrë drejtimin e lëvizjës politike Turning Point USA në krye të së cilës ishte bashkëshorti i saj. Erika Kirk ka dhënë siguri se kjo forcë politike do bëhet edhe më e fortë, duke shuar zërat për dobësim të vijës e bindjeve që ka përfaqësuar deri tani. Fokusi i Turning Point USA është te integrimi i të rinjve drejt MAG, motoja që e ktheu Donald Trumpin sërish në pushtet. “Nëse menduat se misioni i bashkëshortit tim ishte i fuqishëm, nuk keni parë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje”-ka thënë Kirk.

Erika ka thelluar studimet për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare si edhe po ndjek doktoraturën për njohuri biblike. Ajo ka këmbëngulur në moton se për një grua familja duhet të ketë përparësi mbi karrierën. “Proclaim” është linja e veshjeve me mesazhe fetare të krishtera, si një nga bizneset që ajo ka krijuar e menaxhon. Podcasti i Erika Kirkut e ka bërë atë shumë popullore dhe ndikuese me propagandën fetare duke qenë një nga misionet edhe një nga nismat për të cilën kishte maksimumin e mbështetjes së bashkëshortit, Charlie Kirk.


Erika Kirk ka mbajtur kurorën e Miss Arizona USA 2012, dhe e pyetur nga një gazetë lokale për çmimin ajo tha se ka qenë shumë çapkëne dhe se nuk kishte veshur kurrë taka deri sa kishte mbushur 14 vjeç.(OPB.com) Një tjetër pasion që ajo ka patur është basketbolli. Kirk ka qenë dhe fotomodele. Karriera e saj tani është politika, ku më shumë se një pasion, është mision.



