Diamond Tema është një i ri shqiptar, i cili është shpallur në kërkim në Turqi pasi po hetohet në lidhje me deklaratat që ka bërë javën e kaluar në rrjetet sociale lidhur me islamin.

Vetë ministri i Drejtësisë turke. Yılmaz Tunç, e dha lajmin për urdhër-arrestin e Temës. Ai tha se urdhri u dha për shkak të fjalëve fyese që studiuesi dhe shkrimtari shqiptaro-turk përdori në një episod të programit të tij të quajtur “Yer6” në YouTube.

Kush është Diamond Tema?

Tema është një shkrimtar shqiptaro-turk dhe prodhues përmbajtjeje në YouTube, që përgatit kryesisht video mbi fenë, shkencën, historinë dhe filozofinë. Ai përdor emrin e tij të vërtetë në rrjete sociale dhe nuk fshihet pas nofkave.

Sipas medieve turke, Diamond Tema ka lindur në Shqipëri në vitin 1994. Ai u shpërngul në Turqi në vitin 1996, vazhdoi shkollimin atje dhe kreu edhe shërbimin ushtarak në Turqi. Tema prej rreth 2 vitesh jetonte në Greqi dhe Itali, por prezantohet gjithmonë si turk.

Tema ka një eksperiencë edhe në media. Ai ka punuar si drejtor transmetimi në TV lokale për 2 vjet dhe ka xhiruar dokumentarë për Perandorinë Osmane.

Prej rreth 5 vitesh publikon video historie, filozofie, fetare dhe shkencore në kanalin e tij në YouTube, ku ka më shumë se 870,000 abonentë.

Ai është gjithashtu autor i librit “Agnosticizmi dhe Tragjedia Hyjnore”.

Çfarë bëri Tema që irritoi autoritetet turke?

Në një episod të programit të tij “Yer6” që transmetohet në “YouTube”, Tema bashkë me fenomenin e rrjeteve sociale Asrın Tok diskutuan për islamin.

Në këtë bisedë mes tyre, Tok shpjegonte pse duhet Sheriati apo sistemi juridik Islam i cili është një kod udhëzimesh për jetën të drejtuar nga dijetarët e fesë sipas interpretimit të Kuranit.

Por Tema ishte kundër dhe e argumentoi këtë duke thënë: “Nuk mund të martohesh me një vajzë 6-vjeçare në asnjë sistem tjetër përveç Sheriatit”. Ky program u transmetua më 14 Qershor.

Deklaratat e Temës nuk u pritën mirë në publikun turk dhe madje sipas medies tjetër turke medyascope, 30-vjeçari nisi të merrte dhe këcënime.

Dy ditë më pas, Koordinatori i Drejtorisë Presidenciale të Komunikimeve të Mediave Dixhitale, Aslan Değirmenci, deklaroi se është kërkuar ndalimi i aksesit për programin e Temës (kliko këtu).

Pas këtyre zhvillimeve, edhe ministri i Drejtësisë Yılmaz Tunç bëri një deklaratë në llogarinë zyrtare të tij në “X”, ku bëri të ditur se për Diamond Temën është lëshuar një urdhër arresti (kliko këtu).

Sipas ministrit, Tema u shpall në kërkim pikërisht “për shkak të shprehjeve fyese, të shëmtuara dhe provokuese të përdorura për Profetin tonë (Muhamedin) në përmbajtjen e videos të shpërndarë në mediat sociale.”

Në një tjetër postim, ministri i drejtësisë tha se liria e shprehjes është një kusht i domosdoshëm në shoqëritë demokratike, Tunç theksoi gjithashtu se ushtrimi i këtyre lirive mund të ndalohet në interes të sigurisë kombëtare, rendit publik, sigurisë publike, etj. Po ashtu theksoi se ka një dispozitë të qartë të ligjit që thotë se do të ndëshkohen personat që “kalojnë kufijtë e respektimit të të drejtave dhe reputacionit të të tjerëve nëpërmjet mediave sociale dhe disa mediave të shtypit, të cilët nxisin urrejtje apo denigrojnë fenë”.

Si ka reaguar Tema?

Diamond Tema ka bërë një sërë reagimesh në rrjetet sociale, fillimisht duke ndarë me publikun disa nga kërcënimet që ka marrë. Më pas kur u dha lajmi për shpalljen e tij në kërkim, ai gjithashtu iu kundërpërgjigj ministrit duke thënë: “Zoti Yilmaz, unë nuk kam fyer vlerat fetare të myslimanëve në programin që isha pjesë, nuk kam thënë asnjë fjalë që do të përbënte krimin e fyerjes”.

Ai shtoi: “Keni lëshuar një urdhër arresti me një shpejtësi që nuk e keni lëshuar as për ata që vranë shtetas turq dhe u arratisën.”

Tema e mbylli reagimin e tij duke thënë se ai thjesht kishte lexuar atë që thuhej në libra dhe nëse ajo që kishte lexuar ishte krim, atëhere dhe ata që kishin botuar librin duheshin ndëshkuar.

“Fjala vjen, nëse hadithi autentik që lexova konsiderohet shpifje dhe krim, a nuk duhet të bëni padi edhe kundër Drejtorisë së Çështjeve Fetare që i boton dhe shpërndan këto hadithe dhe klerikëve që i lexojnë këto hadithe? Apo krimi im nuk është leximi i këtyre haditheve, por të qenit ateist?”– pyet Tema ministrin turk.

Largimi nga Turqia

Mes reagimeve të tij në rrjetet sociale, Tema u bëri me dije ndjekësve të tij se ishte i detyruar të largohej nga Turqia pas kërcënimeve që kishte marrë online dhe shqetësimeve për sigurinë e tij.

Tema e përshkroi largimin e tij nga Turqia me fjalë të ashpra: “Herën tjetër që të vij në Turqi, nëse duan, mund të më arrestojnë, të më vënë në paraburgim, të shkojmë në gjykatë dhe të dëshmojmë. Nuk ka problem. Por nuk doja ta përjetoja këtë këtë javë. Ndërsa ky incident është në rendin e ditës dhe të gjithë duan që unë të vdes e të bëhem hi, nuk dua që fotot e mia me pranga të shpërndahen në internet. Nuk dua t’i bëj të lumtur. Unë nuk dua që ata të thonë: ‘A e patë se çfarë ndodhi me paganin?’ Unë nuk do t’ju jap atë kënaqësi.”

Tema thotë se qeveria turke kërkon ta heshtë atë, por ai shton se do të vazhdojë të ngrejë zërin.

“Nuk ka zë nga partitë opozitare. Unë mbroj sekularizmin dhe republikën kundër një njeriu që thotë sheriati duhet të vijë në këtë vend. Unë mbroj këtë vend.”– thekson 30-vjeçari.

Për të gjithë ata që e kritikonin, Tema zbuloi foto të tij të vjetra ku shihet me uniformë ndërsa kryente shërbimin ushtarat në vitin 2014-2015 në Şırnak, Cizre. Njëherazi me kërcënimet, mijëra përdorues turq të rrjetit social “X” deklaruan mbështetjen e tyre për Temën dhe hashtagu “#DiamondTemaYalnızDeğildir” (#DiamondTemaIsNotAlone) u bë viral.

Leave a Reply

  • (not be published)