
Aurora Polo është drejtoresha e re e komanduar e përgjithshme e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Ajo zëvendëson përkohësisht ish-drejtorin Alfred Pezën, i cili dha dorëheqjen pak javë më parë. Në fakt, Polo e ka marrë automatikisht këtë detyrë që më 6 shtator sipas statutit të RTSH-së, pra që kur Peza dha dorëheqjen. Kjo sepse ajo mbante postin e zv.drejtoreshës. Por kush është Aurora Polo? Më parë, Polo ka qenë administratore e “Albafilm”, si dhe zv.drejtore e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar. Por para se t’i bashkohej RTSH-së, eksperienca e saj ka qenë në një fushë që s’ka lidhje fare me median – Energjetikën.

Në profilin e saj zyrtar në “LinkedIn” rezulton se Polo ka studiuar dhe është diplomuar në vitin 1996 për Inxhinieri Elektrike dhe Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës. Për shumë vite ajo ka punuar në sektorin energjetik, njëherë si Shefe e Furnizimit me Energji në Tiranë e deri si Përgjegjëse e Sektorit të Tensionit të Ulët dhe të Mesëm në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (Institucion nën varësinë e Ministrisë së Energjetikës). Këtë detyrën e fundit e ka mbajtur nga Dhjetori 2014 deri më Janar të vitit 2020. Po ashtu, nga Nëntori i vitit 2020 ka punuar si Drejtoreshë e Kabinetit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Deri para dy vitesh, në profilin e saj në LinkedIn, Polo shpërndante postimet e OST-së.

Shumë gazetarë dhe përfaqësues të opozitës gjatë këtij muaji, i kanë bërë vazhdimisht thirrje Këshillit Drejtues të RTSH-së që të hapë menjëherë garën për Drejtor të Përgjithshëm të transmetuesit Publik. Gjë që RTSH nuk e ka bërë. Gazetari Isa Myzyraj, i cili është dhe drejtues i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë thotë në një postim në rrjetet sociale se “Sa më afër zgjedhjeve të bëhet kjo procedurë aq më e rrezikshme do të jetë”. Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, deklaron se i ishte drejtuar zyrtarisht Këshillit të RTSH-së në lidhje me hapjen e garës që s’po ndodh.

Pse u largua Alfred Peza?
Alfred Peza dha dorëheqjen më 6 Shtator në mënyrë të papritur, disa vite para se t’i përfundonte mandati (lexo këtu). Në letrën e tij të dorëheqjes drejtuar Këshillit Drejtues të RTSH-së ai nuk jepte ndonjë motiv, përveçse kjo ishte e “parevokueshme”. Ama dorëheqja e tij vjen pas muajsh të tërë debatesh, ankesash e denoncimesh ndaj tij për shkarkimet masive të punonjësve dhe abuzimet me fondet apo projektet në këtë institucion.
Dorëheqja e tij ishte e papritur, pasi pavarësisht kritikave të forta ndaj tij, kur 6 muaj më parë qarkulloi në media një lajm i rremë se ai kishte dhënë dorëheqjen, Peza e mohoi kategorikisht duke deklaruar se madje do të qëndronte në këtë detyrë deri kur t’i mbaronte mandati në vitin 2028. Por 6 muaj më pas diçka duket e ka shtyrë të ndryshojë mendim. Drejtimi i Pezës është shoqëruar me kritika për shkak të shkarkimit nga puna në RTSH të dhjetëra gazetarëve, kameramanëve dhe moderatorëve të emisioneve. Shumë prej të larguarve madje iu ankuan gjykatës derisa arritën të fitojnë edhe gjyqin, duke marrë miliona lekë dëmshpërblim.



