Pas një beteje 5 vjeçare me drejtësinë, Antoneta Sevdari më në fund u rikthye të premten në detyrën e prokurores, të cilën e kishte ndërprerë në shkurt të vitit 2019 pasi ishte shkarkuar me vendim të Kolegjit të Posaçëm Apelimit.

Kjo shënon dhe precedentin e parë në sistemin e ri të drejtësisë, pasi është hera e parë që Kolegji i Posaçëm i Apelimit rishikon një vendim shkarkimi me formë të prerë. Por kjo vetëm pasi Strasburgu i dha Sevdarit të drejtë.

Sevdarin dje të gjithë e panë të emocionuar dhe pa fjalë, kur doli pas vendimit të KPA-së.

“Tani dua të them që jam e emocionuar, është shumë ditë e rëndësishme për mua si profesionalisht, dhe personalisht. Ndihem e gëzuar që arrita të marr drejtësinë që vlerësoj se e meritoja, sot është dita e drejtësisë dhe duke qenë e tillë unë e ndjej 2-fish përgjegjësinë të jem e përkushtuar në shërbim të saj. Ju falenderoj shumë për mbështetjen sepse keni qenë një forcë shumë e madhe për mua në rrugën time për të ardhur në këtë ditë. Falemindërit, jam e emocionuar, s’mund të them gjë tjetër.”– tha prokurorja në një prononcim për mediet pas vendimit të KPA-së.

Pse u shkarkua Sevdari?

Antoneta Sevdari e kaloi pa probleme fillimisht procesin e Vettingut në korrik të 2018-ës, madje u emërua dhe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mirëpo Komisioneri Publik Dariel Sina kërkoi rihapje të hetimit me pretendimin se kishte parregullsi në vlerësimin e parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi gjykonte se nuk ishte bërë një hetim i thelluar të paktën në dy kritere.  Sipas Sinës, prokurorja kishte dështuar për të dorëzuar dokumente që të vërtetonin ligjshmërinë e të ardhurave të deklaruara nga bashkëshorti i saj, Arben Sevdari.

Problemi qëndronte tek një shumë parash e bashkëshortit të saj, që kishte fituar në emigrim në Greqi dhe në Arabinë Saudite dhe sipas trupës gjykuese nuk e justifikonte dot pasi nuk ishin deklaruar saktë pjesa e tatimeve. Komisioni nuk u bind nga provat e sjella nga Sevdari dhe vendosi për shkarkimin e saj më 28 shkurt 2019.

Fillimisht me letër ambasadorëve dhe më pas në Strasburg

Pas shkarkimit nga detyra, Sevdari iu shkroi një letër publike ambasadave e institucioneve të larta të drejtësisë, e revoltuar për padrejtësinë që ndjente se i ishte bërë (Lexo këtu).

Ajo ngrente dyshime lidhur me procesin e Vettingut, duke thënë se po shndërrohet në një proces të korruptuar.

“Kur procesi i Vettingut filloi, unë, personalisht, u mbusha me shpresë, sepse besoja që drejtësia do të vihej në vend. Në rastin tim, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu.

Mos po shndërrohet edhe ky në një proces të korruptuar, në një vegël në shërbim të hakmarrjes prej kriminelëve të cilët gjyqtarët dhe prokurorët, që i nënshtrohen këtij proçesi, i kanë çuar përpara drejtësisë?

Mos ndoshta po përdoret edhe ky proces, si një vegël në shërbim forcash politike të cilat, jo rrallë, fatkeqësisht, u shërbejnë interesave të tyre të ngushta politike dhe jo interesave kombëtare?”-shkruante Sevdari.

Ajo shtonte se i ka bërë një analizë fakteve dhe ngjarjeve dhe ka arritur në konkluzionin se mund të jetë shkarkuar për një nga këto dy arsye: “Ose si rezultat i profesionalizmit të dobët në gjykim nga anëtarët e trupës së Kolegjit të Apelimit, që votuan për shkarkimin; Ose (dhe ky rast është edhe më flagrant, sa i përket të ardhmes së drejtësisë shqiptare) ai ishte një shkarkim i urdhëruar”.

Kështu ajo iu drejtua Strasburgut.

Strasburgu dhe fatura 25 mijë Euro për Shqipërinë

Në vitin 2020, ajo shprehej në një program televiziv se vendimet e padrejta në emër të vetingut do të përkthehen në fatura financiare për shtetin. E në fakt parashikonte që: “Unë kam përshtypjen se të gjithë subjektet e rivlerësimit do të fitojnë në Gjykatën e Strasburgut sepse përbërja e institucioneve të rivlerësimit është kaq e keqe dhe kanë ndodhur kaq shumë gabime sa Strasburgu do të vendosë në favor të subjekteve.”

Dhe realisht ndodhi që në vitin 2022, Strasburgu i dha të drejtë Sevdarit, duke thënë se vendimi është marrë në shkelje te nenit 8 dhe se shkarkimi nuk ka qenë proporcional dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit.

Si përfundim, faturën e morën taksapaguesit shqiptar pasi Gjykata e Strasburgut e ka gjobitur me 25 mijë euro Shqipërinë (lexo këtu).

Konkretisht Gjykata e Strazburgut i akordoi Sevdarit 13 600 Euro dëmshpërblim për humbjet financiare të pësuara nga shkarkimi si prokurore ndërsa i akordoi edhe 6 mijë Euro të tjera dëmshpërblim për dëme jopasurore. Sevdarit iu caktuan edhe 5 mijë Euro kompensim për kostot e procesit.

Pas vendimit të Strasburgut rinisi procesi në KPA dhe trupa gjykuese e përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz (si anëtarë) vendosën për rikthimin e prokurores në detyrë.

“Në kushtet kur parashikimet e Konvetës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimmarrja e GJEDNJ-së janë të detyrueshme për zbatim nga shteti shqiptar dhe për sa kohë lidhur me çështjen objekt gjykimi, dhënia e masës disiplinore e shkarkimit nga detyra është çmuar nga GJEDNJ se ka cënuar nenin 8 të Konventës, e vetmja alternativë për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të zonjës Antoneta Sevdari është konfirmimi i saj në detyrë. Për pasojë vendimi i konfirmimit në detyrë duhet të lihet në fuqi.”-lexoi vendimin kryesuesja Natasha Mulaj.

Tanimë i takon KLP-së të caktojë se në cilën prokurori do të marrë detyrën Sevdari. Para shkarkimit ajo ka pasur detyrën e prokurores në Prokurorinë e Tiranës dhe njëkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Antoneta Sevdari ka një karrierë të gjatë si prokurore. Karrierën e ka filluar si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës në vitin 2002 dhe në vitin 2013 ajo është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka qenë pjesë e task-forcës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Gjatë punës së saj hetoi dhe kërkoi dënime maksimale për dosje të rëndësishme me karakter krimi ekonomik.

Antoneta Sevdari është rasti i parë i një zyrtari të drejtësisë që rikthehet në detyrë, pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut.

Leave a Reply

  • (not be published)