
Anthony Albanese është një nga figurat më të qëndrueshme të politikës australiane, i cili e ka çuar Partinë Laburiste drejt dy fitoreve radhazi, një arritje e rrallë në politikën e vendit. Në zgjedhjet federale të këti viti, ai jo vetëm që mbajti pushtetin, por e zgjeroi ndjeshëm shumicën e tij, duke sfiduar të ashtuquajturën “mallkimin e pushtetit” që prej vitesh kishte rrëzuar qeveritë pas vetëm një mandati.

Albanese erdhi në pushtet për herë të parë në vitin 2022, duke përfunduar një dekadë të qeverisjes konservatore. Mandati i tij i parë u karakterizua nga sfida serioze ekonomike si inflacioni dhe rritja e kostove të energjisë, si dhe një humbje e rëndësishme politike, referendumi për njohjen e popullsive indigjene, i cili u rrëzua me shumicë dërrmuese. Megjithatë, në vend që të tërhiqej, ai u rikthye me një fushatë të matur dhe të përqendruar tek stabiliteti, një mesazh që u përqafua nga elektorati në një kohë pasigurie globale, sidomos pas rikthimit të Donald Trumpit në presidencën amerikane.
Në mënyrë të veçantë, fushata e Albanese në këtë vit përfitoi nga paqartësitë dhe dobësitë e opozitës. Sipas “BBC”-së udhëheqësi konservator, Peter Dutton, u portretizua si një figurë “Trumpiane” nga shumë media dhe votues, një krahasim që dëmtoi rëndë imazhin e tij. Në fund, jo vetëm që humbi zgjedhjet në shkallë kombëtare, por edhe vetë mandatin e tij në zonën Dickson. Partia konservatore e Australiës, mbështetej gjithashtu nga strategjitë e Chris LaCivita, të cilat kësaj here mesa duket nuk funksionuan.

Ai është baba i një djali, Nathan, dhe njihet për lidhjen e ngushtë me të. Jashtë politikës, Albanese është i pasionuar pas muzikës dhe futbollit, veçanërisht ekipit South Sydney Rabbitohs, të cilin e ka mbështetur që fëmijë.
I rritur nga një nënë beqare në banesa sociale në Sydney, ai ka thënë shpesh se u rrit me “tri besime të mëdha”: Kishën Katolike, skuadrën e futbollit South Sydney Rabbitohs dhe Partinë Laburiste. Vjen nga një e kaluar e thjeshtë dhe ka ndërtuar karrierën mbi bazat e një ideali progresist, por pragmatik. Ai vetë e përshkruan veten si “një reformist, jo revolucionar”.- shkruan “The Guardian”.
Anthony Albanese ka treguar me krenari rrënjët e tij shqiptare. Ai është biri i një arbëreshi, pjesë e komunitetit të hershëm shqiptar të Italisë, i lindur dhe rritur atje. Trashëgimia e tij kulturore përfaqëson një urë lidhëse mes Australisë dhe historisë së pasur shqiptare.
Video e realizuar pasi Albanese fitoi zgjedhjet e 2022-it


