
Mjaftoi vetëm një veprim si këputja e luleve në një zonë të mbrojtur dhe një kërkim faljeje e menjëhershme që kryeministri çek Andrej Babiš të bëhej kryefjala e diskutimeve në mediat e vendit të tij dhe përtej.
Kryeministri Babiš, me një grup politikanësh dhe miqsh të tyre ka ngjitur vargmalin Beskidët Moravo-Silezianë në lindje të Çekisë, ku sipas tij këputi disa lule në përkujtim të një kolegu që ka ndërruar jetë, duke i vendosur në një monument në mal. Pesha e ligjit e bëri të shprehë menjëherë pendesë, duke deklaruar: “Është e mundur që të kem shkelur ndonjë ligj, për të cilin kërkoj falje dhe nëse është e nevojshme, do ta paguaj gjobën”.
KUSH ËSHTË ANDREJ BABIŠ?
Andrej Babiš ka lindur më 2 shtator 1954 në Bratislavë, asokohe Çeko-Sllovaki, i cili karrierën e tij e nisi si biznesmen dhe më pas u angazhua në politikë. Babai i tij ishte përfaqësues tregtar dhe anëtar i Partisë Komuniste në pushtet në Çeko-Sllovaki. Babiš e kaloi një pjesë të madhe të fëmijërisë jashtë vendit, ku shkollën fillore e ndoqi në Francë dhe më pas shkollën e mesme në Bratislavë. Sipas “Britannica” Më vonë studioi ekonomi në Universitetin Ekonomik të Bratislavës, ku u diplomua për tregti të jashtme.
Nga viti 1985 deri në vitin 1991, Babiš punoi në Marok si përfaqësues shitjesh i kompanisë shtetërore Petrimex. Pas kthimit në Çeko-Sllovaki, në vitin 1993 themeloi kompaninë “Agrofert”, e cila nga një biznes i vogël u shndërrua në një grup të madh ndërkombëtar me qindra kompani dhe dhjetëramijëra punonjës, kryesisht në sektorët e bujqësisë, ushqimit dhe industrisë kimike.

NGA BIZNESI NË POLITIKË
Në vitin 2011, Babiš krijoi lëvizjen politike ANO. Akronimi ANO do të thotë “po” në gjuhën çeke dhe lidhet me emrin “Aksioni i Qytetarëve të Pakënaqur”. Partia që ai themeloi u paraqit si një forcë që synonte të luftonte korrupsionin dhe të përmirësonte funksionimin e shtetit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ANO u bë një nga partitë kryesore dhe Babiš u bë ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër në vitin 2014. Ai qëndroi në këto poste deri në vitin 2017.
Në zgjedhjet e tetorit 2017, ANO doli forcë e parë. Babiš u bë kryeministër i Republikës Çeke në dhjetor të 2017-ës. Kabineti i tij qeveritar nuk mori menjëherë votëbesimin, por në vitin 2018 ai formoi e formoi qeverinë përmes një koalicioni me socialdemokratët, me mbështetje parlamentare nga të majtët. Ai qëndroi kryeministër deri në dhjetor të vitit 2021.
AKUZAT PËR MARRËDHËNIET E MËPARSHME ME STRUKTURAT KOMUNISTE
Gjatë karrierës së tij politike, Babiš është përballur me akuza dhe hetime për konflikt interesi, lidhur me subvencionet e BE-së, bizneset e tij dhe marrëdhëniet e mëparshme me strukturat komuniste. Për shkak se posedon pasuri në vlera të mëdha dhe ndikimit të tij në ekonomi dhe në media, shpesh është etiketuar si një oligark çek.
BABIŠ DY HERË KRYEMINISTËR
Në vitin 2021, ANO humbi mundësinë për të formuar qeverinë dhe Babiš u zëvendësua si kryeministër nga Petr Fiala. Më pas ai kandidoi edhe për president të Republikës çeke në vitin 2023, por humbi në raundin e dytë ndaj Petr Pavelit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ANO doli përsëri e para. Babiš më pas formoi një koalicion qeverisës dhe u rikthye në detyrën e kryeministrit në dhjetor të 2025-ës.



