
Abdul El-Sayed, 42 vjeç, është demokrati që hyri në histori duke u bërë senatori i parë mysliman në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai fitoi garën në Michigan, duke mposhtur kandidatin republikan Mike Rogers.
I lindur dhe rritur në Michiganin juglindor, El-Sayed vjen nga një familje me origjinë egjiptiane. Babai i tij, Mohamed, ishte emigrant nga Egjipti. Ai u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Michiganit, përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin Columbia dhe mori një doktoraturë të dytë në Universitetin e Oxfordit, si përfitues i bursës prestigjioze Rhodes.
Përpara hyrjes në politikën kombëtare, ai ndërtoi një karrierë në administratën publike. Drejtoi Departamentin e Shëndetësisë në Detroit dhe më pas Departamentin e Shëndetësisë, Shërbimeve Njerëzore dhe të Veteranëve në kontenë Wayne, që u shërben rreth 1.8 milionë banorëve.
Gjatë punës së tij u angazhua për sigurimin e syzeve falas për fëmijët në nevojë, eliminimin e plumbit në shkollat fillore, luftën kundër ndotjes dhe aksesin në Narcan, medikament që përdoret në rastet e mbidozës. Ai drejtoi gjithashtu një program që synonte anulimin e deri në 700 milionë dollarëve borxhe mjekësore për 300 mijë banorë të Michiganit.
El-Sayed është autor i librit “Medicare for All: A Citizen’s Guide”, ku mbështet krijimin e një sistemi shëndetësor universal dhe të përballueshëm. Në vitin 2020, ishte pjesë e grupit të punës për shëndetësinë të presidentit të atëhershëm Joe Biden.
Gjatë fushatës për Senatin, ai mbështeti sigurimin shëndetësor universal dhe kërkoi ndërprerjen e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin. Kandidatura e tij u shoqërua me sulme nga Donald Trump dhe JD Vance për shkak të besimit dhe origjinës së tij, ndërsa Trump e cilësoi si “komunist”.
Në fjalimin e fitores në Detroit, El-Sayed deklaroi se Amerika duhet të jetë një vend ku ka hapësirë për të gjithë, pavarësisht prejardhjes apo besimit fetar.
Ai jeton në Ann Arbor me bashkëshorten Sarah Jukaku dhe dy vajzat e tyre.


