Një dokumentar kontrovers në “Netflix” ndjek një hetim mbi të vërtetën pas njërës prej fotove më të rëndësishme të kohës së luftës që është bërë ndonjëherë. Është një nga fotografitë më të njohura të shekullit të 20-të, një vajzë e zhveshur, me krahët hapur, fytyrën të shtrëmbëruar, lëkurën të djegur dhe vrapon drejt kamerës ndërsa i ikën një sulmi me napalm në jug të Vietnamit. Në të djathtë të saj, fytyra e një djali është ngrirë si një maskë tragjedie greke nga dhimbja. Në të majtë, dy fëmijë të tjerë vietnamezë vrapojnë për të ikur larg nga fshati i bombarduar Trảng Bàng. Pas tyre, një grup i paqartë ushtarësh dhe, më tej, një mur tymi të zi.

Brenda disa orësh nga publikimi, në qershor 1972, fotografia me titull zyrtar “The Terror of War” (Terrori i Luftës), por e njohur gjerësisht si “Vajza e Napalmit”, u përhap në mënyrën analoge të asaj që sot do ta quanim virale; e parë dhe e diskutuar nga miliona njerëz në mbarë botën, ajo vlerësohet gjerësisht se mobilizoi opinionin publik kundër luftës së SHBA-së në Vietnam. Susan Sontag shkroi më vonë se: Imazhi tmerrësisht i paharrueshëm i Kim Phúc, (atëherë nëntë vjeçe) dhe në ankth, me shumë gjasa ka shtuar më tepër neverinë publike ndaj luftës se sa njëqind orë barbarish të transmetuara në televizion”. Sir Don McCullin, fotoreporteri legjendar britanik që mbuloi konfliktin, e quajti atë fotografinë më të mirë të vetme të asaj që më vonë do të njihej si “Lufta e Televizionit”. “Vajza e Napalmit” është, “thënë thjesht, një nga fotografitë më të rëndësishme të çdo gjëje që është bërë ndonjëherë, dhe padyshim e luftës së Vietnamit”, tha Gary Knight, një fotoreporter britanik me dekada përvojë në fotografi lufte.

Për 53 vjet, “Vajza e Napalmit” iu atribua Huynh Cong “Nick” Út-it, një fotoreporter 21-vjeçar vietnamez që punonte për “Associated Press” në Saigon. Por një dokumentar i ri dhe kontrovers në “Netflix” argumenton se fotografia ikonike, prej kohësh e konsideruar maja e gazetarisë së luftës, ajo që i solli Út-it çmimin “Pulitzer” dhe vlerësime të tjera ndërkombëtare, në fakt u realizua nga një burrë tjetër që ndodhej në vendngjarje atë ditë në Trảng Bàng.

Sipas “The Stringer”, një dokumentar i drejtuar nga Bao Nguyen dhe i rrëfyer nga Gary Knight, “The Terror of War” në fakt është realizuar nga një fotograf i pavarur, një “stringer”, i cili ia shiste fotot e tij agjencisë “AP”. Pretendimi, si edhe hetimi që ndjek filmi, burojnë nga një burrë me emrin Carl Robinson, ish-redaktor fotografie në “AP” në Saigon, i cili pohon se Horst Faas, shefi legjendarisht autoritar i fotografisë në zyrën e “AP-së”, i kishte urdhëruar që t’ia ndryshonte autorësinë fotos nga stringeri drejt Nick Út-it, i vetmi fotograf i stafit të “AP-së” në vendngjarje atë ditë.

Robinson, sot në të 80-at, i dërgoi një email të papritur Knightit në vitin 2022, duke kërkuar ndihmën e një gazetari për të gjetur fotografin e panjohur. “Nëse ai ishte ende gjallë, -tha ai, donte t’i kërkonte falje”. Knight mendoi për fotoreporterët e pavarur që kishte njohur përmes fondacionit të tij jofitimprurës, “VII Foundation”  “stringerat e sotëm”, të cilët, si freelancerët vietnamezë gjatë luftës, “Shpesh anashkalohen. Punohet duke vënë në dyshim punën e tyre. Punojnë në kushte shumë më të vështira. Nuk janë të siguruar. Nuk kanë pensione. Nuk kanë mbështetje. Shpesh nuk kanë pajisje të mira, dhe janë jashtëzakonisht të pambrojtur duke fotografuar në komunitetet e tyre.”

Knight u pyet: “Si duhet të ndihet njeriu që e ka bërë këtë fotografi, nëse vërtet Nick Út nuk e ka realizuar?” Si fotograf, mendoi ai, kjo do të ishte jashtëzakonisht e dhimbshme. Si studiues i fotogazetarisë, veçanërisht i fotografisë së vlerësuar të luftës në Vietnam, kjo do të ishte tronditëse, ndoshta edhe kërcënuese për reputacionin. Trashëgimia e shenjtë e kësaj fotografie mes vietnamezo-amerikanëve është e tillë, saqë Nguyen, prindërit e të cilit emigruan gjatë luftës, hezitoi të merrte përsipër projektin. “Nuk doja të trondisja narrativën e moçme që Nick e kishte bërë fotografinë,”- tha ai. “Dhe nuk doja të shqetësoja një komunitet që gjithmonë ishte krenar për këtë arritje.” Por si Knight, ashtu edhe Nguyen ranë dakord, ia vlente të shtrohej pyetja. “Nëse gazetarët do t’i bëjnë të gjithë të tjerët përgjegjës,” tha Knight, “atëherë duhet të jemi në gjendje t’i bëjmë pyetje të vështira vetes.”

“The Stringer” ndjek Knight, së bashku me gazetaret Fiona Turner, Terri Lichstein dhe Lê Vân, ndërsa kryejnë hetimin e tyre, nga intervistat me dëshmitarë okularë, te thirrjet publike në Ho Chi Minh City të sotëm, deri te kërkimet arkivore në pamje të tjera filmike të asaj dite (sipas realizuesve të filmave, “AP” nuk u dha qasje në arkiv). Përpjekjet e tyre më në fund nxjerrin një emër: Nguyễn Thành Nghệ, një shofer i “NBC-së” atë ditë, i cili herë pas here u shiste fotografi mediave ndërkombëtare si freelancer. Në film, një Nghệ i emocionuar, sot po ashtu në të 80-at dhe banues në Kaliforni, dëshmon se ia kishte shitur fotografinë “AP-së” për 20 dollarë dhe një printim, por kishte mbetur i përndjekur për dekada nga mungesa e meritës së autorësisë.

Nghệ paraqitet në film i rezervuar dhe i menduar, por historia e tij ndezi një furtunë në botën e fotogazetarisë. Disa ditë para premierës së “The Stringer” në festivalin “Sundance” në janar ku një Nghệ emocional u shfaq si i ftuar surprizë, duke siguruar përmes një përkthyesi se “Unë e bëra foton” “AP” publikoi një raport të gjatë që kundërshtonte rrëfimin e filmit përmes analizës së vet të brendshme, duke e përshkruar Robinsonin si një ish-punonjës “të pakënaqur”, dhe duke qëndruar në mbrojtje të Út-it, i cili u tërhoq nga një karrierë e dalluar në organizatë në vitin 2017. Disa fotoreporterë të njohur e hodhën poshtë menjëherë pretendimin e Nghệ-së dhe u angazhuan kundër shpërndarjes së filmit; të tjerë shprehën shqetësim, duke pasur parasysh klimën politike të sotme, për çdo sfidë ndaj besueshmërisë së gazetarisë. “Pati njerëz që sugjeruan të braktisnim hetimin sepse ishte një kohë e keqe për gazetarinë,” kujtoi Knight. “Por kur ka qenë ndonjëherë një kohë e mirë?”

Kim Phuc, në qendër, vrapon me vëllezërit dhe kushërinjtë e saj, e ndjekur nga forcat e Vietnamit të Jugut, përgjatë “Rrugës 1” pranë Trảng Bàng, pasi një avion i Vietnamit të Jugut hodhi gabimisht napalmin flakërues mbi trupat dhe civilët e vet më 8 qershor 1972. Fotografi: Nick Ut/AP

“Hetimi duhet të jetojë i pavarur nga këto lloj shqetësimesh,” shtoi ai. “Procesi i vetëekzaminimit mund të jetë i pakëndshëm, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë.”

Në maj, “AP” publikoi një raport më të gjerë dhe një analizë vizuale me zbulime të reja, ndër të tjera, siç argumentohet në “The Stringer”, fotografia me shumë gjasa u kap nga një aparat Pentax, jo Leica, siç ka pretenduar Út prej vitesh. Studimi i brendshëm, i bazuar në “analizë vizuale të gjerë, intervista me dëshmitarë dhe ekzaminim të të gjitha fotove të disponueshme”, arriti në përfundimin se ishte “e mundur” që Út ta ketë bërë foton. “Asnjë material nuk provon se dikush tjetër e ka bërë,” tha “AP”, ndaj gjetjet nuk përmbushën “provën përfundimtare” të nevojshme për të ndryshuar autorësinë. (Út, i cili refuzoi të merrte pjesë në “The Stringer”, ka mohuar kategorikisht pretendimet e filmit, ka këmbëngulur në autorësinë e tij dhe ka kërcënuar me padi për shpifje.)

Disa ditë më vonë, organizata “World Press Photo”, e cila e kishte shpallur “Vajzën e Napalmit” Fotografia e Vitit 1973, publikoi hetimin e vet të pavarur duke përfunduar se dy persona, Nghệ dhe fotografi Huỳnh Công Phúc, kishin qenë në pozicion më të mirë për të bërë foton. Organizata ia hoqi atributin Útit, por e la autorësinë zyrtare të pasaktësuar, me një epigraf të hapur: “Kjo mbetet histori e kontestuar, dhe është e mundur që autori i fotografisë të mos konfirmohet kurrë plotësisht.”

Gjetjet e të dy hetimeve, përfshirë detaje nga arkivi i “AP-së”, u përdorën për të rafinuar analizën forensike të filmit, të kryer në mënyrë të pavarur nga OJQ-ja franceze “Index”. Versioni final, i përditësuar nga ai i shfaqur në “Sundance”, arrin në përfundimin se, bazuar në fotot e bëra nga Út dhe fotot ku shfaqet ai atë ditë, fotografi i “AP-së” do të duhej të kishte vrapuar rreth 170 metra përpara, të kishte realizuar fotografinë e famshme, të ishte kthyer mbrapsht 75 metra, e më pas të ishte kthyer sërish për t’u parë duke ecur drejt operatorëve të “NBC News”,  “një skenar jashtëzakonisht i pamundur”. Në përfundim, ata thonë se Nghệ ishte në pozicionin e duhur për të bërë foton.

E gjithë kjo mund t’u duket të jashtmit si ndarje fijesh me thikë, një gërmim i panevojshëm në detajin sekondë pas sekonde, kornizë pas kornize, meter pas metri, për një foto që mbetet e pakontestuar në autenticitet dhe rëndësi. Në fakt, duke lexuar secilin raport, me vërshimin e detajeve e supozimeve, njeriu mund të ndihet më i hutuar sesa i sqaruar. Por realizuesit e filmit këmbëngulin se misioni i “The Stringer” nuk ka qenë kurrë rishpërndarja zyrtare e meritave, por rishqyrtimi i ndershëm.

Nguyen e sheh Nghệ-në si pjesë të një “brezi vietnamezësh që lanë pas jetët e tyre dhe i mbajtën historitë në heshtje”, dhe që “ende besojnë se nuk kanë hapësirë apo të drejtë të flasin për historitë e së kaluarës”. “Në shumë mënyra, -tha ai,- ky film ka të bëjë me rimarrjen e kësaj hapësire për dinjitetin, të vërtetën dhe kujtesën që shpesh anashkalohen.

Nguyễn Thành Nghệ në skenë gjatë një seance pyetje-përgjigje për shfaqjen e “The Stringer” në Los Angeles, Kaliforni, më 19 nëntor. Fotografi: Tommaso Boddi/Getty Images për “Film Independent”

Nguyễn Thành Nghệ në “Sundance”. Fotografi: Maya Dehlin Spach/Getty Images

“Kam respektin më të madh për AP-në dhe për organizatat e lajmeve që kanë mbështetur gazetarinë për më shumë se një shekull,” -shtoi ai -“dhe shpresoj që të gjithë të shohim thellë brenda vetes dhe të përballemi me të vërtetën kur është e nevojshme.” “The Stringer” paraqet një sërë faktorësh të ndërlidhur dhe të paqartë për atribuimin e gabuar të pretenduar: se zyra e Saigonit ishte një mjedis i pamëshirshëm dhe konkurrues; se stringerat punojnë në periferi të profesionit; se Faas ndiente një lloj faji për faktin që kishte dërguar vëllain më të madh të Út-it, Huỳnh Thanh Mỹ, drejt vdekjes në një detyrë lufte për “AP-në” në vitin 1965; se Faas mund ta mbante autorësinë “brenda shtëpisë”, sepse gazetarët vietnamezë veçanërisht ata që nuk ishin të punësuar, si Nghệ, ishin, siç e tha Knight, “të huaj në vendin e tyre”, pa fuqi apo mekanizma për t’u mbrojtur.

Knight tregoi për një aktivitet të fundit me gazetarë në Londër, ku i kishte pyetur pjesëmarrësit nëse njihnin ndonjë emër të ndonjë gazetari tjetër vietnamez të luftës përveç Nick Útit. Askush nuk dinte. “Të jem i sinqertë, as unë nuk dija emër tjetër përveç Nick Út para se të nisja këtë histori, dhe unë jam studiues i asaj lufte,” -tha ai- “por dhjetëra e dhjetëra prej tyre punonin për shtypin e huaj.”

“Një pjesë e misionit të filmit,- tha ai, -ishte rishikimi i rrëfimit të histories, si tregohet historia, kush e tregon dhe kujt i jepet merita. “Gazetarët vietnamezë janë fshirë realisht nga rrëfimi i luftës së tyre,” tha Knight. “Dhe shpresoj që kjo histori jo vetëm të fillojë ta balancojë pak këtë situatë, por edhe t’i kërkojë audiencës që të shqyrtojë kush po i tregon historitë e sotme dhe ku qëndrojnë strukturat e pushtetit në gazetari.”

Si Nguyen, ashtu edhe Knight deklarojnë, për protokoll, se ata kanë shumë pak dyshime mbi autorësinë e fotografisë së famshme. Por pavarësisht qëndrimit të kujtdo, Nguyen tha: “Shpresoj që njerëzit ta shohin filmin me zemër të hapur dhe mendje të hapur. Mendoj se individë si Nghệ e meritojnë këtë.”

Ky shkrim është pronë intelektuale e “The Guardian”

LËR NJË KOMENT

Justina Shiroka Pula është zyrtarisht Presidente e Republikës së Kosovës. Ajo u votua gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, pak minuta para skadimit të afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit....
/ Oct 7
Nga Xhensil Shkëmbi Kjo është Maricarmen Abascal, 87 vjeç. Gruaja që në Spanjë u kthye në simbol të një revolte që nisi nga një apartament i thjeshtë në Madrid. Maricarmen...
/ Oct 8
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Presidenti Donald Trump tha se do të shkarkonte dy këshilltarë të lartë zgjedhorë nëse angazhimi i tyre për fushatën e Mirolad Dodik në Republikën Srpska do të paraqiste konflikt interesi...
/ Oct 7