“Debati mes kandidatëve për zëvendëspresident midis senatorit të Ohajos JD Vance dhe guvernatorit të Minesotës Tim Walz ishte diçka që po bëhet gjithnjë e më e rrallë në politikën moderne amerikane: ishte normal.”- kështu e ka përshkruar CNN debatin e mbrëmjes së të martës. Dhe shumë media të tjera amerikane e përshkruajnë po kështu. Edhe BBC-ja britanike mendon se debati mes Vance dhe Walzit u duk si një bisedë civile dhe relativisht e përmbajtur, krejt ndryshe nga dy debatet presidenciale që u mbajtën më herët këtë vit mes kandidatëve për president Kamala Harrisit dhe Donald Trumpit.

Në këtë debat që shumë mendojnë se nuk ka gjasa të ndryshojë trajektoren e garës presidenciale, dy kandidatët ishin të përzemërt me njëri-tjetrin dhe u fokusuan kryesisht në dallimet politike. Vance në mënyrë të përsëritur kritikoi zëvendëspresidenten Kamala Harrisin për sigurinë kufitare, ndërsa Walzi kritikoi ish-presidentin Donald Trump për të drejtat e abortit. Vance ndryshe nga Trumpi, i drejtohej personit përballë me titullin e tij dhe emrin e saktë. Dhe nuk u ankua për moderatorët. Madje Vance i la të kalonin shumë mundësi që i dolën përpara, për të diskutuar detajet e biografisë së kundërshtarit.

Walzi nga ana tjetër që ishte dukshëm më pak rehat në skenë se rivali, pati një fillim të lëkundur por e mori veten kur filloi të fliste për abortin dhe trazirat e Kapitolit. Por debati i qetë, i përqendruar te politika, me siguri i shërbeu më shumë kandidatit republikan në fund. Debati u përqendrua pothuajse tërësisht në çështjet e brendshme. Moderatorët e CBS-së e hapën diskutimin me një pyetje në lidhje me konfliktin në rritje midis Izraelit dhe Iranit, por nuk pyetën për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.

Konflikti mes Izraelit dhe Iranit

Pyetja e parë që iu bë kandidatëve për zëvendëspresidentë në debatin e tyre ishte: “A do ta mbështesni apo do ta kundërshtonit një sulm parandalues ​​nga Izraeli ndaj Iranit?” Ndonëse shumica dërrmuese e globit pret që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol lidershipi dhe të sjellin, minimalisht, një qetësi të përkohshme në rajonin lindor të Mesdheut, moderatorët e CBS-së e gjetën më me vend të pyesnin kandidatët nëse ata e mbështesnin përshkallëzimin e luftës tani apo përshkallëzimin e luftës më vonë.

Kandidatët i hodhën shigjetat e fajit ndaj njëri-tjetrit përpara se ta zgjidheshin në thelb me të njëjtën përgjigje. Dhe ky ishte në thelb lajtmotivi i këtij debati mjaft të çuditshëm: ne, dy kandidatë diametralisht të kundërt që qëndrojmë para jush, në fakt biem dakord për shumë, duke përfshirë edhe atë se sa krejtësisht të ndryshëm jemi. Jo vetëm në këtë çështje, por të dy burrat prireshin të binin dakord për një sërë pikash të tjera, duke filluar nga nevoja për të forcuar kalimet kufitare te promovimi i strehimit të përballueshëm.

Dhe kishte disa momente kur të dy burrat e pranuan dhe vetë këtë gjë. “Ka shumë të përbashkëta këtu.”- tha Walzi në fund të mbrëmjes. Ndërsa kur Walzi foli për djalin e tij 17-vjeçar që kishte dëshmuar një incident me të shtëna me armë në një qendër komunitare, Vance dukej vërtet i shqetësuar. “Më vjen keq për këtë dhe shpresoj se ai është mirë. Krisht ki mëshirë, është e tmerrshme.”- u shpreh ai, citon BBC.

Megjithatë, u vunë re dallime të rëndësishme mes tyre, më e rëndësishmja prej të cilave ishte për shëndetin riprodhues. Ndërsa Walzi foli fuqishëm për nevojën për të mbrojtur të drejtën e abortit, Vance gjeti mënyra për të fajësuar në heshtje emigrantët për dhunën me armë, pasigurinë kufitare dhe mungesën e strehimit. “Por debati do të harrohet javën e ardhshme, vetëm sepse bota aktualisht është një fuçi baruti dhe askush nuk duket i gatshëm t’i sfidojë këta dy kandidatë për gjetjen e një rruge reale drejt paqes, drejtësisë dhe sigurisë për të gjithë.”– shkruan The Guardian.

Të përzemërt – por me pak përplasje

Mosmarrëveshjet më të forta erdhën në fund të debatit, mbi temën e pretendimeve të përsëritura të Trumpit se zgjedhjet e 2020-ës iu vodhën. Kur Vance u pyet nëse Trumpi i humbi zgjedhjet e fundit presidenciale, ai iu shmang pyetjes dhe kritikoi atë që ai tha se ishte censura e Kamala Harrisit. Walzi vuri në dukje shpejt se kjo ishte një “mospërgjigje dënuese“. “Për të mohuar atë që ndodhi më 6 janar, kur ishte hera e parë që një president amerikan apo dikush u përpoq të përmbyste një zgjedhje, kjo duhet të ndalet.”- tha ai. “Po e copëton vendin tonë.”

Walzi vazhdoi të thoshte se e vetmja arsye pse Mike Pence, zëvendëspresidenti i mëparshëm i Trumpit, nuk ishte në skenë ishte sepse ai vërtetoi fitoren e presidentit Joe Biden. Vance nuk kishte asnjë përgjigje për këtë, duke theksuar se përtej sjelljes së tij miqësore dhe pajtueshmërisë, ai nuk do të shkëputej nga pozicioni i Trumpit.

Dy stile të ndryshme

Vance dhe Walzi hynë në këtë debat me grupe të ndryshme aftësish. Vance ka shkëlqyer më parë në përplasje dhe shkëmbime të nxehta me gazetarët. Kurse Walzi ndihet si në shtëpi kur bëhet fjalë për diskutimet e fushatës, duke përdorur stilin e tij popullor në kontrast me politikanë të tjerë. Në pjesën e fillimit të këtij debati, me të dy kandidatët që qëndronin pas podiumeve në studion televizive në Nju Jork, Vance dukej shumë më rehat. Përgjigjet e tij ishin të qeta dhe të pamëshirshme në mesazhe, duke i kujtuar vazhdimisht audiencës se për të gjitha premtimet e Zëvendës Presidentes Kamala Harris, demokratët e kanë mbajtur Shtëpinë e Bardhë për tre vjet e gjysmë të fundit. “Nëse Kamala Harris ka plane kaq të shkëlqyera se si të trajtojë problemet e klasës së mesme, atëherë ajo duhet t’i bëjë ato tani.”– tha ai. Walzi, nga ana e tij, dukej i pasigurt në temën e parë, kur po merreshin me sulmin raketor të Iranit që sapo kishte ndodhur ndaj Izraelit. Guvernatori i Minesotës rrallë flet për politikën e jashtme dhe shqetësimi i tij për këtë temë ishte i dukshëm.

Debati u zhvendos te emigracioni. Vance hodhi poshtë akuzat se ai përforcoi pretendimet e rreme për emigrantët nga Haiti që vidhnin dhe hanin kafshët shtëpiake në Ohajo (deklaratë e bërë nga Trumpi në debatin e tij me Harrisin). “Njerëzit për të cilët jam më i shqetësuar në Springfild, në Ohajo, janë qytetarët amerikanë të cilëve u është shkatërruar jeta nga politikat kufitare të Kamala Harrisit.”– tha ai. Vance tha se migrimi i padokumentuar rëndon burimet e qytetit, rrit çmimet dhe ul pagat. Walzi nga ana tjetër vuri në dukje kundërshtimin e Trumpit për legjislacionin e propozuar dypartiak të imigracionit në fillim të këtij viti. “Unë besoj se senatori Vance dëshiron ta zgjidhë këtë, por duke qëndruar me Donald Trumpin dhe duke mos punuar së bashku për të gjetur një zgjidhje, ajo bëhet një pikë diskutimi, dhe kur bëhet një pikë bisede si kjo, ne çnjerëzojmë dhe poshtërojmë qeniet e tjera njerëzore.”-tha demokrati.

Kur tema u kthye te të drejtat e abortit – një çështje ku sondazhet tregojnë se është një pikë e fortë për demokratët – ishte Vance ai që luajti në pozicion mbrojtës, duke pranuar se republikanët duhej të bënin më shumë për të fituar besimin e votuesve amerikanë. “Unë dua që ne si Parti Republikane të jemi pro familjes në kuptimin e plotë të fjalës.”– tha ai. “Unë dua që ne t’ua bëjmë më të lehtë nënave që të përballojnë të kenë fëmijë. Ka shumë gjëra që mund të bëjmë në frontin e politikave publike, vetëm për t’u dhënë grave më shumë mundësi.” Walzi u kundërpërgjigj duke thënë se pikëpamja demokrate për abortin është e thjeshtë: “Ne jemi pro grave. Ne jemi pro lirisë për të bërë zgjedhjen tuaj.”

Nëse Walzi ishte më i prirur për abortin, nuk ishte e njëjta gjë kur debati u kthye në kontrollin e armëve. Pasi Vance tha se ishte e rëndësishme të rritej siguria në shkolla, duke i bërë dyert dhe dritaret “më të forta”, Walzi foli për kontrollet e sfondit në vend që të mbështeste thirrjet e demokratëve për ndalimin e armëve dhe kufizime të tjera për armët e zjarrit. Kjo sepse si kongresmen, ndryshe nga pjesa më e madhe e demokratëve, Walzi ka votuar rregullisht në favor të të drejtave të armëve dhe kundër shumë masave të kontrollit të armëve. Gjatë debatit ai tha se pikëpamjet e tij mbi kontrollin e armëve ndryshuan pas të shtënave me armë në shkollën “Sandy Hook” në vitin 2012, por disa demokratë mund të jenë të zhgënjyer që ai nuk i bëri më shumë presion Vancit të martën mbrëma.

A do të ndikojë kjo në garë?

Historia politike amerikane sugjeron që debatet e zëvendëspresidentëve nuk kanë shumë rëndësi. Në vitin 1988, demokrati Lloyd Bentsen e shkatërroi në mënyrë figurative republikanin Dan Quayle. Por disa muaj më vonë, ishte Quayle ai që u betua si zëvendëspresident. Mund të rezultojë se ky debat është po aq i parëndësishëm për rezultatet e nëntorit. Megjithatë, nëse nuk shpallet një debat i minutës së fundit mes Trumpit dhe Harrisit, kjo do të jetë fjala e fundit që të dyja partitë kanë në një skenë debati përpara ditës së zgjedhjeve.

Walzi nuk e dëmtoi garën e demokratëve dhe tregoi pak nga sharmi që e bëri atë të zgjedhurin e Harrisit. Por performanca e fortë e Vancit ka të ngjarë të tërheqë republikanët në ditët në vijim. Dhe ndikimi i qëndrueshëm i debatit mund të jetë të bindë anëtarët e partisë së tij se senatori i Ohajos – i cili është vetëm 40 vjeç – ka një të ardhme në politikën konservatore. Shumë thonë se nuk e kanë të qartë se cili ishte fituesi i këtij debati dhe zgjedhësit janë të ndarë, por vihet re një preferencë e lehtë për kandidatin republikan. Në një sondazh të realizuar nga rrjeti televiziv amerikan CNN pas debatit, 51% e shikuesve thanë se Vance bëri një punë më të mirë, me 49% që zgjodhën Walzin. Në një sondazh të kryer me të njëjtët votues përpara debatit, ishte Walzi ai që pritej të performonte më fort, 54% me 45%. Duke qenë se rezultati i sondazhit është shumë i ngushtë, CNN thotë se nuk ka një fitues të qartë, por edhe pse diferenca është e ngushtë po i themi urime Vancit për atë 2 përqindësh më shumë.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10