
Në rrugën për Damask nga kufiri i Sirisë me Libanin, më 8 Dhjetor, postat e ushtrisë siriane ishin braktisur. Asfalti ishte mbushur me uniforma të lëna pas nga forcat e Bashar al-Asadit, të cilët kishin veshur shpejt në rroba civile dhe ishin larguar për t’i shpëtuar rebelëve që përparonin. Posterat me fytyrën e diktatorit të mëparshëm ishin grisur dhe njollosur. Më pak se dy javë pasi rebelët nisën përparimin, regjimi kishte rënë dhe presidenti Asad kishte ikur në Moskë. Në Damask dhe në të gjithë vendin, sirianët festonin një fillim të ri dhe një rivendosje të marrëdhënieve me botën.
Por çfarë lloj fillimi të ri do të kenë?
Shumëçka varet nga fakti nëse opozita e Sirisë, e mbetur papritur pa një armik të përbashkët, do të bashkohet për të formuar një qeveri civile pluraliste dhe federale për gjithë Sirinë, apo do të zhytet në përçarje që mund ta fusin vendin në një luftë të re civile.
Shenjat e para kanë qenë inkurajuese, edhe pse është ende shumë herët për të qenë të sigurt për diçka konkrete. Rebelët, ndër të cilët më të rëndësishmit janë dhe Hayat Tahrir al-Sham (HTS), një ish-degë e al-Kaedës që ka sunduar një pjesë të Sirisë veriperëndimore për disa vite, thonë se kanë nxjerrë mësime nga ndryshimet e mëparshme të regjimeve në botën arabe. Ndryshe nga Iraku dhe Libia, tranzicioni po menaxhohet në nivel lokal, jo nga fuqitë e huaja dhe mërgimtarët që kthehen. Rusia dhe Irani, mbështetësit kryesorë të Asadit, janë tërhequr në hije.
Rebelët u kanë bërë thirrje policisë dhe autoriteteve civile që të qëndrojnë në pozitat e tyre derisa të shpallet një qeveri uniteti. Ata kanë vendosur një orë policore, e cila deri në mbrëmjen e 8 dhjetorit dukej se kishte ndaluar kryesisht plaçkitjet në kryeqytet (me përjashtim të vjedhjes së pajisjeve shtëpiake nga pallati presidencial). Megjithëse shumica e rebelëve janë nga shumica sunite, e cila ishte veçanërisht e terrorizuar nga regjimi alavit i Asadëve, ata kanë zbutur triumfalizmin e tyre dhe kanë premtuar të mbrojnë pakicat e shumta të Sirisë.
Por, në Siri gjërat kanë tendencën të bëhen të ndërlikuara. Ndërsa ndarja faktike e Sirisë nën regjimin e Asadit ishte intensifikuar, kjo ndarje është thelluar pas rrëzimit të tij. Rebelët nga veriu, lindja dhe jugu bashkërenduan marrjen e pushtetit me disiplinë të jashtëzakonshme ditët e fundit. Megjithatë, për shkak se regjimi i Asadit u rrëzua shumë më shpejt nga sa prisnin, ata nuk kishin pasur kohë të planifikonin për ditën pas.
Secila nga katër fraksionet kryesore, rebelët sunitë të mbështetur nga Turqia në veriperëndim, kurdët në veri dhe lindje, rebelët e mbështetur nga Jordania në jug dhe besnikët e mbetur të sektit alavit të Asadit në perëndim, kanë ushtrinë e tyre. Të gjitha janë fuqizuar nga armët, toka dhe pasuritë ekonomike të marra nga Asadët gjatë ditëve të fundit. Çdo grup kërkon pjesën e vet nga pasuritë dhe nga çfarëdo pakete të përbashkët për rindërtimin e vendit, një proces që kërkon rreth 200 miliardë dollarë.

Harta e Sirisë
Brenda disa orëve pas rënies së Asadit, armëpushimi i brishtë mes grupeve filloi të prishej, ndërsa shpërthyen luftime në Manbij, në vijën që ndan forcat arabe të mbështetura nga Turqia në veriperëndim nga kurdët në verilindje. Sirianët nuk kanë harruar që rrëzimi i diktatorëve në Irak dhe Libi shkaktoi një dekadë lufte civile midis pasardhësve të mundshëm. Ata janë gjithashtu të vetëdijshëm se sa e vështirë do të jetë të menaxhohen marrëdhëniet me fqinjët. Në një hotel me pesë yje në Damask, në mbrëmjen e 8 dhjetorit, muzika xhaz që shoqëronte shërbimin e darkës ndërpritej herë pas here nga tingulli i sulmeve ajrore izraelite mbi një bazë ushtarake aty pranë.
Kush mund të jetë kandidati i Sirisë

Abu Muhammad al-Jolani
Kandidati më i fortë për të marrë kontrollin e Sirisë është Abu Muhammad al-Jolani, 42-vjeçari udhëheqës i HTS-së, i cili nisi karrierën e tij nga baza në Idlib, në veriperëndim të Sirisë, vetëm 11 ditë më parë. Jolani ka hequr dorë nga pseudonimi i tij islamik (kanalet e tij tani e përmendin si “President Ahmed al Shara”) dhe ka siguruar të krishterët dhe gratë se nuk ka plane për të imponuar kode të rrepta islame. Mbrëmjen e 8 dhjetorit ai mbajti një predikim në xhaminë Umajade në Damask. Televizioni shtetëror sirian transmetoi një deklaratë ku ai tha: “E ardhmja është e jona”. Thuhet se ai pëlqen krahasimet me princin saudit Mohammed bin Salman, një tjetër sundimtar i ri sunit.
Por e kaluara e Jolanit si udhëheqës i al-Kaedës në Siri dhe shtypja e tij brutale ndaj rivalëve i bën të tjerët të kenë rezerva. Sfida më e madhe për të do të jetë të bindë rebelët e tjerë që të pranojnë udhëheqjen e tij. Për vite me radhë, ai ka luftuar kundër tyre më shumë sesa kundër Asadit. Disa qindra ish-rebelë në jug arritën në Damask përpara Jolanit. Ata marshuan drejt pallatit presidencial dhe arrestuan kryeministrin, Mohammad Ghazi Al-Jalali, jo vetëm për të ndjekur besnikët e Asadit, por edhe për të parandaluar Jolanin që të mbërrinte aty i pari.
Fakti që Amerika, Rusia dhe OKB-ja e konsiderojnë Jolanin si terrorist dhe HTS-në si një organizatë terroriste mund ta komplikojë situatën nëse ai merr vërtet kontrollin. Lidhjet e tij të ngushta me Turqinë dhe Katarin shqetësojnë fuqitë arabe, të cilat duan të kufizojnë zonën e tyre të ndikimit. Disa figura të opozitës flasin me shqetësim për sa e përshtatshme do të ishte vrasja e tij. “Kemi frikë se mund të shndërrohet në një tjetër Asad,” -thotë një analist me lidhje të ngushta me rivalët e tij. Shumë sirianë shqetësohen se mund të përfundojnë duke zëvendësuar një diktator me një tjetër, këtë herë një islamist.
Kushdo që merr pushtetin në Damask do ta ketë të vështirë të kontrollojë të gjithë Sirinë. Në verilindje, kurdët do të mbështeten tek disa qindra trupa amerikane të vendosura atje për të penguar përpjekjet për të rikthyer nën kontroll qendror fushat e naftës, hambarin e grurit të Sirisë dhe qytetet arabe që ata qeverisin. Në Manbij dhe Raqqa, ata tashmë po luftojnë forcat e mbështetura nga Turqia për të ruajtur autonominë që fituan nën Asadin. Të strehuar në fshatra malore mbi bregdetin mesdhetar, sekti i Asadit, alavitët do të duhet gjithashtu të vendosin nëse do të luftojnë apo do të pranojnë sundimin e shumicës sunite. Përveç armëve të rënda të shpëtuara nga shpartallimi i regjimit, ata mund të kërkojnë mbrojtje edhe nga Rusia, e cila ende mban një bazë detare dhe ajrore atje dhe mund të vazhdojë ta mbajë duke negociuar me Turqinë dhe sundimtarët e rinj të Sirisë.
Civilët në opozitën politike të mërguar në Stamboll, në Turqi, duket se janë lënë mënjanë për momentin. Sipas një plani të OKB-së të dakorduar në vitin 2015, Komisioni i Negociatave Siriane supozohet të mbikëqyrë rolin e opozitës në tranzicionin e Sirisë. Ai ka mandatin të ndihmojë në hartimin e një kushtetute të re, përgatitjen e zgjedhjeve brenda 18 muajve dhe integrimin e shumë milicive të Sirisë në një ushtri që pasqyron grupet etnike dhe fetare të vendit. Por forcat në terren duket se nuk kanë asnjë nxitim të tërhiqen.
Disa shpresojnë që fuqitë e huaja të ndihmojnë rebelët të krijojnë këshilla politike dhe ushtarake ose madje një qeveri uniteti dhe të hapin rrugën për një tranzicion të ndarjes së pushtetit. Megjithatë, Amerika ndoshta nuk do të ndihmojë shumë. “Kjo nuk është lufta jonë. Lëre të zhvillohet. Mos u përfshi!”– shkroi Donald Trumpi në llogarinë e tij në rrjetet sociale. Pas 13 vitesh lufte civile dhe varfërie, një popull i rraskapitur lutet për një dorëzim paqësor, gjë që ka rezultuar shumë e rrallë në botën arabe. Me kaq shumë ndasi brenda dhe jashtë Sirisë, arritja e një konsensusi do të jetë e vështirë.
*Shënim: Artikulli është pronësi intelektuale e “The Economist”. Klikoni KËTU për artikullin origjinal.


