
Nga Ervin Resuli
Ndërkohë që Shqipëria ishte nën ethet e një fushate zgjedhore njëmujore, sistemi i paralajmërimit të shpejtë të Bashkimit Europian për ushqimin (RASFF) raportoi pesë raste jo konforme të produkteve me origjinë nga Shqipëria, të cilat përbënin rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e konsumatorit. Dy prej tyre janë veçanërisht alarmante:
- 14 maj 2025 – Peshk ton shqiptar i konservuar, i eksportuar drejt Spanjës, u refuzua për mungesë të shenjës së identifikimit. Kjo mungesë informacioni do të thotë se nuk dihet nga cili subjekt, në çfarë kushtesh është përpunuar dhe sa i gjurmueshëm është produkti. Rreziku etiketohet si “i mundshëm”, por pasojat mund të jenë fatale.
- 2 maj 2025 – Gjermania raportoi prani të Salmonella spp. në një produkt barishtor (yarrow herb) me origjinë nga Shqipëria. Ky është një njoftim alarmi me klasifikim “serioz”, që do të thotë se ekspozimi i konsumatorëve ndaj këtij produkti mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore, veçanërisht për grupet e ndjeshme si fëmijët, të moshuarit apo personat me imunitet të dobët.

Pavarësisht këtyre alarmimeve zyrtare ndërkombëtare, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk ka bërë asnjë komunikim publik, nuk ka publikuar emrat e subjekteve, sasitë e ndaluara, as destinacionin final të këtyre produkteve. Sot, nuk dihet nëse pas kthimit, këto produkte janë asgjësuar, janë magazinuar, apo janë futur sërish në treg për konsum nga qytetarët shqiptarë.
Është thjesht e trishtueshme dhe tragjike të konstatosh se përballë një rreziku real për shëndetin publik, institucionet përgjegjëse kanë zgjedhur heshtjen, ndërkohë që prioritet kanë pasur axhendat elektorale, vendet e punës, dhe pozicionimi individual përballë reformës që parashikon shkrirjen e AKU.
Kur inspektorët janë në fushatë, kush mbron konsumatorin? Kur informacioni fshihet, kush ndalon rrezikun? Kur mungon gjurmueshmëria, kush mban përgjegjësi për jetën? Ky nuk është vetëm një dështim i radhës. Ky është një alarm për reflektim kombëtar.
Sot mund të jetë një barishtore ose një konservë peshku. Nesër mund të jetë një luleshtrydhe për fëmijë. Ose një mandarine me.pesticide . Ose një krizë e papërballueshme për sistemin shëndetësor. Nesër do të jetë vonë. Sot është koha për të vepruar.


