
Nga Irena Beqiraj
Ministrja e Ekonomisë na prezantoi një llogari ku sipas së cilës, falë Paketës së re Fiskale, familjet shqiptare që kanë dy të punësuar me rrogë minimale do të kursejnë deri në 4 mijë lekë në muaj nga ulja e TVSH-së për ushqimet, ndërsa do të paguajnë rreth 500 lekë më shumë nga rritja e TVSH-së për mallrat e tjera.
Problemi i parë është se ministrja llogarit sikur çdo lek i uljes së TVSH-së do të përkthehet automatikisht në ulje çmimi. Por ekonomia nuk funksionon me këtë automatizëm.
Studimet empirike mbi transmetimin e ndryshimeve të TVSH-së në çmime tregojnë se përfitimi nga ulja e normës nuk kalon domosdoshmërisht i plotë te konsumatori. Në varësi të konkurrencës dhe strukturës së tregut, një pjesë jo e vogël e saj mund të mbetet te prodhuesit, importuesit apo tregtarët.
Për shembull, studimi i FMN-së për vendet e Eurozonës evidenton një transmetim të kufizuar të uljeve të normave të reduktuara të TVSH-së, deri 30% ndërsa studimet për Gjermaninë dhe Poloninë tregojnë se edhe kur transmetimi është më i lartë, ai mund të kërkojë kohë por mbi të gjitha monitorim të tregut.
Problemi i dytë është se vetëm 54 produkte do të tatohen me 6% jo gjithë shporta ushqimore. Kështu që jo gjithë ushqimet do të blihen me normën 6% do të ketë edhe nga ato që do të blihen me 21 % TVSH. Një sanduiç apo shishe ujë do të taksohet me një tvsh më të lartë pra 21 % .
Problemi i tretë është edhe më interesant: Shqipëria ka një treg ku konkurrenca është e ulët, dhe përqëndrimi i tregut tek furnizuesit e shumicës shumë i lartë . Ulja e TVSH-së krijon mundësinë për ulje çmimesh në teori, por nuk e detyron automatikisht tregtarin ta transferojë të gjithë përfitimin te konsumatori, edhe pikërisht , shkenca ekonomike na mëson se kur mungon konkurenca përfitimi nga ulja e taksave vështirë se e gjen rrugën për tek konsumatori .
Po le të bëjmë,, një llogari në bazë të studimeve.
Nëse familja shpenzon 39 mijë lekë në muaj për ushqime dhe TVSH-ja ulet nga 20% në 6%, kursimi teorik maksimal është rreth 4,550 lekë, me kusht që të gjitha produktet të jenë të tatuara me 6% dhe ulja të kalojë plotësisht te çmimi.
Le të mos jemi mosbesues , por të supozojmë se pasqyra Albania do të na ndihmojë që jo 30% por 50% e uljes të shkojë tek konsumatori .
Atëherë kursimi nga ushqimet zbret në rreth 2,275 lekë. Nëse shtojmë edhe rreth 475 lekë koston e rritjes së TVSH-së standarde, përfitimi neto është rreth 1,800 lekë në muaj.
Pra, jo 3,500 lekë, por gjysma. Por edhe kjo gjysmë përfitimi është një skenar ilustrues, jo një garanci.
Ulja e TVSH-së është një vendim fiskal. Ulja e çmimeve është një rezultat tregu. Dhe midis të dyjave ekziston një hallkë që nuk mund të zëvendësohet me video shpjeguese.. Ajo quhet konkurrencë.
Në ekonomi, taksat ulen me ligj, çmimet me konkurrencë. Të ngatërrosh të parën me të dytën është një keqkuptim që zakonisht u kushton konsumatorëve. Nëse do të mjaftonte të uleshin taksat që të uleshin çmimet, ekonomia do të ishte disiplina më e thjeshtë në botë. Do të na duhej vetëm një ministër me kalkulator.


