X.Y publikoi një video të njeriut me të cilin jetonte duke e treguar të zhveshur. Y.Z edhe pas iniciativave të fqinjëve që të merrte trajtim shëndetësor mendor, vazhdonte të vriste macet e lagjes. Y.X kaloi një ditë në kryqëzimin e “Vasil Shantos” duke bërtitur, por ajo që të dhimbte ishte se askush nuk kërkoi ndihmë, veçse të gjithë nxituan hapat për t’iu larguar asaj sa më shpejt. Këto janë 3 situata që kanë ndodhur kohët e fundit në Tiranë që tregojnë shumë mbi shoqërinë në të cilën jemi transformuar. “Gogo.al” ka pyetur ekspertët e fushës për të kuptuar drejt situatën në Shqipëri, pse gjithë kjo indiferencë dhe si mund t’u vijmë në ndihmë përsonave që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor.

Prof. Dr Edmond Dragoti, Psikolog

Pse nuk e marrim seriozisht shëndetin mendor?

Prof. Dr Edmond Dragoti në intervistë për “Gogo.al” tha se: “Shëndeti mendor është një gjendje racionale ku ne ndihemi në ekuilibër mendor, emocional dhe fiziologjik të qendrueshëm. Kur mendimet dhe emocionet tona lidhen me shprehi të pazakonta sjelljeje, me mënyra të të menduarit obsesiv, me mungesën e ekuilibrit emocional, me pamundësinë për të kontrolluar emocionet dhe sjelljet përkatëse, që konsiderohen të pazakonshme, përjetojmë probleme psikologjike dhe gjendje shpirtërore jonormale, që dëmton cilësinë e jetës sonë të përditshme.”

Ai thekson se: “Gjendje apo sjellje të tilla zhvillohen gradualisht dhe ne familjarizohemi me to, i quajmë normale, derisa përfshihemi plotësisht dhe problemet mendore na duken normale, të zakonshme. Dhe nuk luftojmë me to, por thjeshtë rezistojmë ndaj tyre, derisa varësohemi dhe kthehemi në viktimë e pavëmendjes dhe pakujdesisë sonë psikologjike”.

Psikologia Arjola Manreka e shtjellon më tej thelbin e këtij fenomeni. Sipas saj kjo ndodh pasi “nuk shihet”. “Ndryshe nga sëmundjet fizike, vuajtjet psikologjike nuk kanë gjithmonë shenja të dukshme dhe për këtë arsye minimizohen”,-shpjegon Manreka për “Gogo.al” duke analizuar se: “Në shoqërinë tonë vazhdon të dominojë ideja se “duhet të jesh i fortë”, duke e barazuar vuajtjen emocionale me dobësinë personale. Kjo bën që ankthi, depresioni apo traumat të normalizohen si pjesë e jetës, derisa përkeqësohen”.

Në këtë logjikë, punonjësja sociale, Suela Koçibellinj për shëndetin mendor vëren se: “Perceptohet në mënyrë ekstreme, duke i veshur shumë krahasime denigruese. Në të vërtetë, shëndeti mendor është pjesë integrale e shëndetit të përgjithshëm të individit, njësoj si shëndeti i çdo organi tjetër që përbën trupin tonë.”

Koçibellinj sqaron se ndryshe nga organet e trupit, të cilat japin sinjale më të dukshme kur sëmuren dhe për të cilat kemi më shumë informacion, shqetësimet që vijnë nga mendja janë më të vështira për t’u vetëidentifikuar. “Pikërisht për këtë arsye, ekziston ende nevoja për më shumë informacion, ndërgjegjësim dhe edukim mbi shëndetin mendor, në mënyrë që individët të kuptojnë më mirë gjendjen e tyre të brendshme”-shprehet ajo duke kërkuar që të kuptojmë se ne funksionojmë në përditshmërinë tonë falë mendjes sonë. “Ajo drejton çdo veprim, çdo vendimmarrje dhe çdo ndërveprim tonin me botën. Nëse organet e tjera garantojnë funksionet e brendshme për të mbajtur gjallë qenien tonë, është mendja ajo që na lidh me të tjerët, me shoqërinë dhe me vetveten.”-thotë Koçibellinj.

Sociologia Entela Binjaku e pyetur nga “Gogo.al” vlerëson se shkaqet duhen kërkuar duke u kthyer në kohë kur njohuritë nga fusha e shëndetësisë ishin të pakta: “Shërbimi psikiatrik ishte një ekskluzivitet i një pakice, shërbimi spitalor mbulohej me mister dhe ushqente gojëdhënat, shërbimi psikologjik nuk njihej”,-rendit ajo duke analizuar psikën shoqërire nga brezi në brezi që sipas saj përcjell mendimit se njerëzit që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor janë “një kategori më vete”, “veçmas të tjerëve” dhe për ta “mirë është të mos e zgjasësh ose mos flasësh”. Si një çështje e jona më shumë kulturale ku shpesh këshillimi profesional sipas Binjakut jepet nga një mik, një familjar apo një i afërm.

Arjola Manreka, Psikologe

Pse kemi turp ta trajtojmë?

Turpi për të trajtuar probleme të shëndetit mendor për psikologen Manreka lidhet me stigmën sociale. “Ende ekziston frika se nëse kërkon ndihmë psikologjike do të etiketohesh, do të paragjykohesh ose do të humbasësh vlerën në sytë e të tjerëve”,-thotë ajo duke dëshmuar se shumë njerëz janë rritur me mesazhin se problemet “zgjidhen brenda familjes” ose “me vullnet”, duke e bërë kërkimin e ndihmës profesionale një akt që shoqërohet me faj dhe ndrojtje.

Koçibellinj i sheh paragjykimet të fokusuara te njerëzit që jetojnë në kushte të rënduara për shkak të mostrajtimit të problemeve të shëndetit mendor dhe te mënyra se si ata shpesh shmangen, ofendohen apo bëhen objekt talljeje. Në diskursin shoqëror, personat me probleme të shëndetit mendor perceptohen shpesh si individë të rrezikshëm që duhet të izolohen dhe të mbahen larg komunitetit.

Sipas saj shëndeti mendor shihet ende si diçka e pashërueshme, e pakthyeshme, gjë që reflektohet qartë edhe në gjuhën që përdorim. “Shprehje si “I ka lënë mendja” apo të ngjashme përforcojnë idenë se problemi është përfundimtar dhe se individi nuk ka më mundësi për përmirësim apo rikuperim. Kjo mënyrë të menduari ushqen frikën, distancimin dhe stigmatizimin.”-shton ajo duke treguar se situate nuk është e pashpresë, përkundrazi thotë se ka nivele të shëndetit mendor që janë të rikuperueshme, siç ka edhe disa gjendje tejet të rënda, ndoshta që në lindje, për të cilat trajtimet janë vetëm lehtësuese.

“Në thelb, njerëzit kanë një nevojë të fortë për t’u pranuar dhe për të qenë pjesë e grupeve sociale. Kur një individ ndjen turp për gjendjen e tij mendore, ose kur ka frikë se do të gjykohet, ai shpesh zgjedh heshtjen. Të flasësh për diçka që shoqëria e konsideron “turp” e vendos individin përballë rrezikut të vetëpërjashtimit, duke e thelluar izolimin dhe duke e bërë edhe më të vështirë kërkimin e ndihmës.”-vëren Koçibellinj për “Gogo.al”.

Përveç mungesës për ta marrë seriozisht shëndetin mendor ndihet edhe një lloj kompleksi a turpi për ta pranuar e trajtuar. Për këtë Dragoti përcakton se jemi ende shoqëri kolektiviste edhe paragjykuese, i japim rëndësi opinionit të njerëzve që na rrethojnë, pritshmërive që kanë ata për ne.

“Ne duam të sillemi si të tjerët që të mos provojmë disonancë socializimi, pra që të mos ndihemi të huaj në këtë mjedis social. Dhe po të pranojmë dhe të shfaqemi që kemi probleme të shëndetit mendor, do humbasim statusin social që kemi fituar në një grup të caktuar shoqëror, do ndihemi të përjashtuar. Prandaj i fshehim çrregullimet e sjelljes, mendimeve apo ndjenjave tona.”-thotë ai.

Binjaku e lidh turpin direkt me stigmën. “Në përgjithësi vetëdija dhe ngritja kulturore e shoqërisë sonë për tema që kanë në qendër psikën është e ulët. Kjo lë vend për spekulime, lejon me lehtësi vendosjen e nofkave, krijon baza për sjellje të diferencuara ndaj dikujt që ka një çrregullim të tillë”,- Binjaku përmend mënyrën si trajtohen a vetëizolohen për të cilat shoqëria nuk do që të jetë objekt.

Në një sondazh të organizuar nga “Gogo.al” mbi pyetjen se kush e ka përgjegjësinë kryesore që nuk u jepet ndihmë personave me probleme të shëndetit mendor, 50% mendojnë se duhet të jetë familja, 25 % shoqëria dhe 25% media.

Suela Koçibellinj, Punonjëse sociale

Pse nuk ndihmojmë si lagje, pallat, komunitete njerëzit që kanë nevojë për ndihmë, por jemi indiferentë?

Koçibellinj sjell një tjetër realitet duke shpjeguar distancën e krijuar pasi dominon frika nga personat me probleme të shëndetit mendor: “Së pari, shpesh dominon frika nga personat me probleme të shëndetit mendor.

Për ta justifikuar këtë distancim, i themi vetes se “është përgjegjësi e familjes së tyre”, duke e zhvendosur përgjegjësinë diku tjetër dhe duke zgjedhur të merremi vetëm me problemet tona”,- evidenton ajo duke shtuar se: “Në këtë mënyrë harrojmë se problemet që ndodhin përtej derës së shtëpisë sonë janë po aq pjesë e realitetit tonë të përbashkët. Ato ndikojnë në sigurinë, mirëqenien dhe klimën sociale të komunitetit ku jetojmë, pavarësisht nëse zgjedhim t’i injorojmë apo jo”.

Një tjetër arsye që rendit ajo është mungesa e informacionit dhe e dijes praktike mbi mënyrat konkrete se si mund të ndihmohet një person apo një familje në këto situata. “Shpesh nuk dimë si të ofrojmë ndihmë pa e lënduar tjetrin, ku mund të drejtohen për mbështetje profesionale, apo çfarë hapash mund të ndërmerren për të përmirësuar situatën. Kjo pasiguri krijon ngurrim dhe përfundon në mosveprim”, -vëren ajo për “Gogo.al”.

Dragoti e lidh indiferencën me mënyrën e re, individualiste të jetesës apo me faktin që shoqëria jonë, lagjja, komuniteti është e pastabilizuar, ende në lëvizje dhe e pastrukturuar plotësisht. Duke shkuar më tej, shton mendimin kur thotë se: “Indiferentizmi ynë është një situatë, nuk është në thelbin e kulturës sonë, që vazhdon të jetë humane, sociale dhe me dinamikë vitale”.

“Mungesa e solidaritetit dhe ndihmës tonë ndaj personave që vuajnë çdo ditë nga shqetësimet e shëndetit mendor, nuk është mungesë zemre”,- në argumentin e saj psikologia Manreka e sheh si një mungesë edukimi emocional dhe frikë nga përfshirja. “Shumë njerëz nuk dinë si të ndihmojnë, kanë frikë se mos gabojnë, ose mendojnë se “nuk është puna e tyre”.

Në komunitete ku mungon ndjenja e solidaritetit dhe përgjegjësisë kolektive, vuajtja individuale izolohet dhe shpesh lihet në heshtje. Ndaj duhet kultivuar që herët empatia tek fëmijët dhe zhvillimi i një inteligjence emocionale”,-shton ajo duke ofruar edhe zgjidhjet që duhet të qëndrojnë në themel të çdo shoqërie.

Në një vështrim të shoqërisë shqiptare, sociologia Binjaku thotë se: “Strukturat shoqërore kanë ndryshuar mjaft nga ato tradicionalet. Edhe nëse sot mund të ketë një hapje të mendësisë ndaj njerëzve që vuajnë këto çrregullime, shoqëria vetë po përballet me fragmentarizim të jetës dhe nuk arrin t´i trajtojë të gjithë”. Ajo ngre shqetësimin se shërbimet shëndetësore edhe sot njihen pak dhe fushata ndërgjegjësimi ose nuk ka pasur ose nuk kanë pasur ndonjë ndikim nëse janë kryer ndonjëherë. Në raport me përsonat përgjegjës për ata që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, Binjaku shprehet: “Shpesh njerezit presin nga njeri -tjetri për të dhënë ndihmë. Edhe nëse dikush dëshiron të ofrojë ndihmë, ai apo ajo mendon se duhet te jetë dikush tjetër që ose e ka për detyrë ose është më eficient dhe ndaj stepen”.

Entela Binjaku, Sociologe

Si ta kuptojmë kur dikush ka nevojë për ndihmë?

“Të kuptuarit vjen me komunikimin. Nëse nuk ka komunikim, nuk ka si ta kuptosh që dikush kërkon ndihmë apo ka nevojë të ndihmohet edhe sepse nuk kërkon”,- thotë Binjaku e cila më pas ndalet te vetëizolimi: “Sot njerëzit izolohen më lehtë, ngrenë mure imagjinarë dhe kjo e bën të vështirë tablonë e plotë”-thotë ajo duke theksuar disa prej sjelljeve që duhet të na shqetësojnë dhe të na vënë në lëvizjë si: “Njerëz që shohim se kanë ndryshuar sjellje, se tërhiqen në vetmi, shfaqin ankth të shtuar dhe luhatje të vazhdueshme të humorit, ndjehen pesimistë dhe të pashpresë për të ardhmen”, – Binjaku i sheh këto shenja si premisa se dikush ka nevojë për njerëzit e afërt, për të njohurit, për specialistin etj.

“Duhet të dimë se shenjat nuk janë gjithmonë dramatike”,-sipas Manrekës. Ajo vëren se disa nga shenjat janë: izolim social dhe tërheqje nga aktivitetet e zakonshme, ndryshime të forta humori ose irritim i vazhdueshëm, lodhje emocionale, mungesë shprese dhe apati, ndryshime të gjumit, oreksit apo performancës dhe shprehje të shpeshta dëshpërimi, pavlerësie apo fajësimi të vetes.

“Të kuptosh nevojën për ndihmë fillon me vëzhgim, dëgjim dhe empati, jo me gjykim. Shëndeti mendor nuk është luks, por nevojë bazë njerëzore. Trajtimi i tij kërkon guxim individual dhe përgjegjësi kolektive. Një shoqëri që dëgjon, mbështet dhe nuk stigmatizon është një shoqëri më e shëndetshme për të gjithë”,- këshillon ajo.

Për Suela Koçibellinjin problemet e shëndetit mendor nuk janë lehtësisht të evidentueshme, “Shumë herë personat rreth nesh janë ata që mund të dallojnë ndryshime në sjelljen tonë ndërkohë që për ne faza graduale e ndryshimit na ‘normalizohet’ pa e kuptuar. Pra duhet të jemi të kujdesshëm ndaj njerëzve që duam e që kalojmë shumë kohë me ta”-veçon ajo për “Gogo.al”.

Ajo shpjegon se: “Dikush mund të ketë nevojë për ndihmë kur vërejmë ndryshime të dukshme në sjelljen, emocionet apo funksionimin e tij të përditshëm. Izolimi, trishtimi i zgjatur, nervozizmi i pazakontë apo humbja e interesit për gjëra që më parë i pëlqenin janë sinjale që nuk duhen injoruar”.

Përveç shenjave të dukshme, ajo thotë se shpesh ato nuk janë të zhurmshme, por shfaqen gradualisht dhe kërkojnë vëmendje. “Në rastin më të mirë janë vetë ata që na shprehin me zë shqetësimet në një formë a një tjetër dhe këto situata nuk duhen normalizuar me qasjen “se kështu isha dhe unë, kalon!”

Më tej Koçibellinj shton se: “Neve nuk na takon të diagnostikojmë, por të kuptojmë që diçka nuk shkon. Të dëgjojmë pa paragjykuar dhe me pyetjen e thjeshtë dhe te sinqertë “A je mirë?” mund të jetë hapi jonë i parë drejt ndihmës”.

LËR NJË KOMENT

Ilse Aigner lindi më 7 dhjetor 1964 në Feldkirchen-Westerham. Në vitin 1981, përfundoi arsimin e mesëm të ulët (Mittlere Reife) në shkollën Wilhelm-Leibl-Realschule në Bad Aibling. Pas përfundimit të formimit...
/ Nov 9
Nga Isa Myzyraj Sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian u tregua qartë se përtej vullnetit politik në Tiranë e Bruksel rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e vështirë....
/ Nov 10
Tashmë që nuk ka më diskutim që të gjithë po e përdorim Inteligjencën Artificiale, pyetja që lind është: a dimë realisht ta përdorim dhe si po e bëjmë? Inxhinieri i...
/ Oct 28
“Ka ardhur koha për luftë civile, të marrim gjithë armatimet e rënda kundër kësaj policie, granata gjithçka kemi, o burra.”Kjo deklaratë është transmetuar në një ekran televiziv shqiptar. Nuk është...
/ Nov 10